Rama: Berisha u jep hapësirë interesave të errëta serbe

Dec 1, 2011 | 15:41

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha në një intervistë për të përditshmen kosovare “Zëri” se interesat serbe kanë gjetur shumë hapësirë në Shqipëri falë qeverisë së kryeministrit Berisha.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ai u shpreh se “Por, një gjë do të them, që asnjëherë më parë interesat financiare dhe madje gjysmë të errëta që burojnë nga Serbia, nuk e kanë gjetur në Shqipëri hapësirën siç e kanë gjetur falë qeverisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky është fakt dhe nuk është opinion”. Në këtë intervistë Rama shpjegoi edhe arsyen përse i dha çelsin e Tiranës, këngëtarit serb, Goran Bregoviç.

A keni ju një shpjegim për tërë atë emocion të madh që e kanë kosovarët për Sali Berishën?

Këtë gjë duhet ta shpjegojnë ata që e dashurojnë, se unë, nga ana ime, nuk më takon t’i gjykoj për ndjenjat e tyre dhe as të gjej arsyen e këtyre ndjenjave. Besoj aq sa ka informacion, aq ka edhe dizinformacion…, aq sa ka mundësi për të njohur të vërtetën, aq ka pamundësi për të shkuar tek e vërteta dhe ma ha mendja, në rast se ky opinion do të ishte më i informuar, edhe dashurinë do ta kishte më të arsyeshme.

Ekziston përshtypja që dashuria e kosovarëve me z. Berisha ka të bëjë edhe me lidhjet që ka pasur me Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova…

Nuk e di këtë, por di kaq, që Ibrahim Rugova është një figurë historike sot, por në të gjallë të tij ka ditur të jetë i ekuilibruar dhe njësoj i dashur me të gjithë faktorët politikë në Shqipëri.

Si kanë qenë raportet e Partisë Socialiste me Rugovën, kanë qenë po aq të afërta si me Berishën, apo më ndryshe?

Të kemi parasysh që ka një raport institucional, që është një raport detyrimisht sistematik dhe në përmbajtje i pazëvendësueshëm mes autoriteteve përfaqësuese të institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri. Kur kjo ka përkuar me kohën e Presidencës së Sali Berishës apo me kohën e drejtimit të Fatos Nanos apo Pandeli Majkos, mendoj që ka qenë gjithmonë kështu dhe është normale që edhe sot të jetë kështu, sepse pavarësisht emrave, qeveritë duhet të bashkëpunojnë nga afër me njëra-tjetrën. Por, për sa më takon mua, unë kam pasur fatin ta takoj Ibrahim Rugovën dhe ruaj një mbresë të çmuar nga takimet me të, nga dashamirësia, nga paqja e brendshme, nga ekuilibri i tij në këndvështrimin dhe trajtimin e Shqipërisë, pa bërë kurrë dallime mes faktorëve politikë në Shqipëri.

Këtu kemi një përshtypje, që Partia Socialiste e Shqipërisë është më e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Ka bazë në këto mendime?

PS ka një marrëdhënie tradicionale me PDK-në, që zë fill nga lufta. PS në qeveri ka qenë një partnere e afërt e UÇK-së dhe normal, ka trashëguar bashkë me PDK-në një histori të përbashkët suksesi. Nga ana tjetër, në këtë mes hyn edhe një marrëdhënie e afërt miqësore me kryetarin e PDK-së dhe Kryeministrin aktual të Kosovës, për të cilin ne kemi një vlerësim të lartë dhe ushqejmë ndjenja vëllazërore.

Mos ka një mospërpurthje këtu? Ju në Shqipëri luftoni kundër vjedhjes së votës, ndërsa në Kosovë realisht është PDK ajo që ka bërë makinacione në zgjedhje…

Kjo është një çështje që u takon forcave politike në Kosovë ta trajtojnë lidhur me zgjedhjet në Kosovë. Ajo që unë mund të them është që në Shqipëri zgjedhjet i ka vjedhur qeveria dhe Saliu. Ne e kemi problemin me qeverinë dhe Saliun përsa i takon garantimit të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Për ta thënë kushtimisht si kontribut lidhur me këto përshtypje të gabuara që ekzistojnë në Kosovë për PS-në e Shqipërisë dhe ju personalisht, a ka mundësi të kenë të bëjnë edhe me mënyrën se si njerëzit këtu e perceptojnë komunizmin? Për dallim nga Shqipëria, këtu njerëzit e konsiderojnë socializmin e komunizmin si e njëjta ideologji.

Po, po. Nga ana tjetër, kosovarët nuk duhet ta harrojnë që pa një socialist të madh në komandë, Kosova nuk do të ishte çliruar, dhe ky e kishte emrin Toni Bler. Madje, në një kuptim, nuk ishte një i djathtë, por një i majtë nga ana tjetër e Atlantikut, që bashkë me Toni Blerin udhëhoqën luftën çlirimtare kundër regjimit të Millosheviçit. Kështu që ne i përkasim kësaj të majte, këtij socializmi europian që nuk ka asnjë lidhje me komunizmin apo me socializmin në kuptimin që kjo fjalë kishte në kohën e regjimit të kaluar.

Pak më parë më intrigoi ajo pjesa kur besoj latë të kuptoni që ne nuk duhet shumë të çajmë kokën për fuqitë e mëdha…

Jo, s’duhet të çajmë kokën, por nuk kemi pse të kompleksohemi nga debatet që mund të ngjallë një zgjidhje e drejtë… Ndërkaq, ju keni vizituar edhe lëvizjen “Vetëvendosje”, prej nga keni bërë një vlerësim shumë të mirë për ta, një subjekt politik ky që jo rrallëherë vizitorët evitojnë kontaktin me ta.

Zakonisht politikanët shqiptarë kanë këtë sëmundjen kronike të varësisë së plotë ndaj faktorit ndërkombëtar. Po ju ku bëni pjesë? Unë mendoj që pa “Vetëvendosjen” jeta politike kosovare do të ishte më e varfër dhe do kishit një dritare më pak. Secili ka të drejtë ta zgjedhë dritaren që i pëlqen dhe në këtë kuptim, ne kemi dritaren tonë nga ku e shohim rrugën e zhvillimeve dhe të integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE. “Vetëvendosje” ka dritaren e saj, të tjerët e kanë dritaren e tyre. E sigurt është që pa atë dritare, shtëpia e përbashkët shqiptare do të kishte një dritare më pak dhe një dritare më pak nuk do të ishte më shumë dritë, por më pak dritë.

Ju së fundi keni hartuar një program për shpëtimin e ekonomisë shqiptare, ndërsa atë ia keni prezantuar në takim edhe Kryeministrit të Kosovës, partia e të cilit publikisht është duke e prezantuar veten si të djathtë. S’duam t’ju pyesim për PDKnë, por në përgjithësi kë shihni se ka gjasa për të krijuar të majtën në Kosovë?

Është shumë herët për përkufizime të tilla në Kosovë, sepse të mos harrojmë që procesi i diversifikimit të forcave politike mund të ndodhë qetësisht dhe normalisht kur të jenë zgjidhur njëherë e mirë disa probleme themelore që në Kosovë janë drejt përmbylljes. Vetëm atëherë do të ketë më shumë qetësi publiku për të pranuar një proces të qetë diversifikimi dhe vetëm atëherë partitë mund të kurajohen të pozicionohen pa u trembur që mund të kenë rrjedhje në elektorat për arsye që sapo i thatë edhe ju, me plot të drejtë, që për shkak të një paragjykimi të përgjithshëm mbi të majtën dhe të një harrese ndoshta pa dashje që edhe Bill Klintoni dhe Toni Bleri i përkisnin pikërisht jo së djathtës. Jemi në një moment kur është vështirë të kërkohet nga partitë politike ta bëjnë këtë zgjedhje qetësisht. Mendoj që kjo është një zgjedhje që më shumë është e diktuar nga momenti dhe do të diktohet më pas për të gjitha forcat politike, sesa do të diktohet nga një përkatësi e sinqertë politike.

U përmend përshtypja se Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti grekofile, mirëpo ka edhe një keqkuptim tjetër, që partia juaj shihet edhe si parti proserbe. T’ju pyesim direkt, në Shqipëri kush po ia hap dyert Serbisë: PS, Ilir Meta, apo Sali Berisha?

Nuk e di nga buron ideja se PS ka afinitet me Serbinë përtej konvencionit të përgjithshëm dhe të gjithëpranuar besoj edhe këtu, edhe në Shqipëri se nuk mund të ketë një jetë të normalizuar dhe bashkëpunuese pa normalizimin dhe vendosjen e normave të bashkëpunimit me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë, por secili në respekt të kufijve të shtëpisë së tjetrit. Por, një gjë do të them, që asnjëherë më parë interesat financiare dhe madje gjysmë të errëta që burojnë nga Serbia, nuk e kanë gjetur në Shqipëri hapësirën siç e kanë gjetur falë qeverisë së Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky është fakt dhe nuk është opinion.

Në çfarë e mbështesni këtë?

Janë të gjitha të dhënat për futjen në ekonominë shqiptare të një sërë aktorësh që janë të lidhur ekonomikisht dhe financiarisht me Serbinë dhe që janë serbë. Unë nuk dua të vendos asnjë barrierë nacionale në ekonomi, por dua të them që këto interesa janë gjysmë të errëta dhe janë të mbrojtura jo përmes rrugës së konkurrencës së ndershme në treg, por përmes rrugëve të klientelave që lidhen me oborrin e pushtetit të Saliut.

Si gazetarë gjithmonë na pëlqen të përmenden edhe emrat. E keni fjalën për Fazlliçin, Mishkoviçin?

Është, pa dyshim, shëmbëlltyra e dukshme e gjithë kësaj që po them, por ajo që po ndodh është shumë më tepër se aq.

Arsyeja pse kosovarët rregullisht e kanë bindjen për PS-në si parti proserbe është te takimi i famshëm i ish-kreut të partisë suaj, Fatos Nano, me Sllobodan Millosheviçin në Kretë gjatë viteve ‘90, ndërkaq në Kosovë njerëzit janë hidhëruar jo pak edhe me pritjen që i keni bërë Goran Bregoviçit në Tiranë. Nganjëherë krijohet përshtypja që shumë më shumë janë prekur nga kjo, sesa nga Fazlliçi, Mishkoviçi etj.

Mendoj që dhe me atë moment është spekuluar jashtëzakonisht shumë dhe është bërë një propagandë shumë e shëmtuar. Ai ka qenë një gjest mikpritjeje në traditën shqiptare për këdo që troket në derën e shtëpisë. Dera e shtëpisë është e hapur dhe ai që hyn në shtëpi është dikush që respektohet dhe në atë rast, gjesti i mikpritjes ka pasur të bëjë me muzikantin e jo me politikanin.

© Panorama.al

Te lidhura