Radiografia e zgjedhjeve lokale 2011

May 17, 2011 | 9:59

ALFRED CAKO

Zgjedhjet lokale 2011 tashmë mund t’i quajmë gati të përfunduara. Karakteristikë e dukshme e tyre ishte një përmirësim relativ cilësor në periudhën e fushatës e të ditës së votimit dhe, në sajë të kontributit të ndërkombëtarëve influentë të Tiranës, pati edhe një përmirësim të dukshëm të cilësisë së numërimit të destinacionit të vullnetit të trupës së sovranit. Në këtë kuptim, po të përjashtojmë nga ky përfundim zgjidhjen përfundimtare të nyjës gordiane të emrit të fitimtarit të krybashkisë, zgjedhjet sollën një ngritje të standardit demokratik në përzgjedhjen e përfaqësuesve politikë në administratat lokale. Një arritje e këtyre zgjedhjeve ishte fakti se perceptimi i “fitores” nga të dyja forcat kryesore është si “fitorja e Pirros” dhe të dy liderët, që me deklaratat e para pas përfundimit të numërimit të votave të fundit të Zonës 49 në Tiranë, iu kthyen modestisë dhe realitetit konkret. Këto zgjedhje kanë vendosur një balancë të shoqërisë shqiptare tejet të politizuar. Nga leximi më i imët i zgjedhjeve bie në sy fakti se z. Berisha ka ditur, si gjithnjë, të zgjedhë koalicione më funksionale. PD pati në votën e përgjithshme popullore rreth 100 mijë vota më pak se PS, por, nga përzgjedhja më efikase e aleancës të qendërzuar rreth tij, z. Berisha grumbulloi – sidomos me ndihmën e dy partive të rreshtuara dikur pranë PS-së (LSI dhe PDIU) – rreth 100 mijë vota më tepër sesa aleanca e krijuar nga z. Rama. U vu re se skandali tronditës i regjistrimit të një afere të supozuar korruptive ndaj z. Ilir Meta, skandal i cili dha kazusin për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, nuk e dobësoi, por përkundrazi, e rriti mbështetjen elektorale të LSI-së me rreth 30 mijë vota, duke e çuar atë në fondin e rreth 115 mijë votave. Karakteristikë tjetër e këtyre zgjedhjeve ishte dhe fakti se ato morën, për shkak të qasjes politike të z. Rama, më tepër se zakonisht, cilësinë e lakmuesit që mund të përdorej nga opozita në vazhdën e politikës së saj dyvjeçare; në rast të një fitoreje plebishitare të opozitës, ajo do të përdorej si një kartë për zgjedhje të parakohshme, çka ishte edhe objektivi final i lidershipit të ri e me shumë ambicie të selisë rozë, objektiv të cilin tash do ta ketë shumë të vështirë ta realizojë, veçse, nëse do të shfrytëzojë si pretekst përzgjedhjen e mundshme nga ana e KQZ-së të emrit të Lulzim Bashës si fitimtar të kryebashkisë. Në rast të kundërt, z. Rama tash do ta ketë të pamundur, të paktën deri në një ndryshim të mundshëm drastik negativ të opinionit publik ndaj qeverisjes, të përdorë terma të tillë në barrikadën e luftës ideologjike, si “popull opozitar”, në kuptimin e dhënies së legjitimitetit të veprimeve të dhunshme “të shumicës opozitare/sovranit”, në ngjarje si ato të 21 janarit. Madje, z. Rama u përpoq gjatë gjithë fushatës të bënte një debat – monolog dhe fushatë të thellë ideologjike; tapeti i plebishitit ndaj dy koalicioneve politike në Shqipëri ishte zgjedhur si strategji nga selia rozë, me synimin për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. Gjithashtu, këto zgjedhje rikonfirmuan një tendencë të zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s, sipas së cilës, PS dominon në qendrat urbane e PD ka triumfuar në pjesën rurale të Shqipërisë. Në këtë kuptim, Aleanca për të Ardhmen duket pa të ardhme të ndritur përballë shumicës së Aleancës Katundare – më falni, Qytetare – në ngjyrë blu. Ky tipar me fruta të hidhura, në zonat urbane, i shkaktuar objektivisht nga qeverisja e gjatë qendrore, por edhe i zgjedhur rëndom subjektivisht si një rrugë abuzive e pashmangshme e të gjitha maxhorancave, ka gjasa të mos lexohet mirë prej z. Berisha dhe lidershipit blu për feedback. Z. Berisha u shpreh i ngazëllyer për fitoren në katundet e Shqipërisë!!! Vërtet Doktor? Mos ka lidhje kjo me shtimin e oreksit të parakohshëm për një mandat “Berisha 3” dhe për përgatitjen e opinionit publik se PD mund të qeverisë edhe një mandat jocilësor me votën e katundarisë dhe pa mbështetjen e elitës së shoqërisë shqiptare? Por, si e përktheni ju, Doktor, faktin që elitat urbane ju kanë refuzuar? A mund të ketë kjo lidhje me perceptimin e popullsisë urbane, ku kryhen veprimet dhe transaksionet kryesore financiare dhe aktiviteti kryesor ekonomik i përqendruar, se ju rrezikon pushtetin kasta juaj e administratës shtetërore qendrore, e cila është në antagonizëm me elitën qytetare? Pse, kaq kollaj mund ta harroni faktin se karta juaj e antikorrupsionit mund të ketë një efekt bumerang edhe ndaj lidershipit të balsamosur blu? Pas kësaj radiografie, cili do të ishte feedback-u juaj, Doktor, për ta përmirësuar qeverisjen në një shoqëri ku korrupsioni duket se ka hedhur rrënjë kudo, ku pasuria e madhe arrihet vetëm me anë të bërrylave dhe mashtrimit, ku morali nuk gjen asnjë garanci, e ku vetë ndjenja e atdheut është mekur në kushedi se çfarë kozmopolitanizmi universal? Si mund ta anashkalojë elita e qyteteve më të mëdha, në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug, faktin se shumica e tenderëve shumëmilionësh me investime qendrore në qytete të tilla si Kavaja, Elbasani, Korça, Fieri, Berati, Vlora apo edhe Saranda, të “fitohen” kryesisht nga firma biznesi me pronarë e seli në qytetet apo komunat e Veriut të Shqipërisë? Kjo është arsyeja se përse këto qytete, si Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda, Elbasani, Korça nuk u tunduan nga investimet e realizuara apo të filluara që – për hir të së vërtetës, janë të papara në këto 20 vjet – edhe pse me një borxh publik me tendenca paksa të rrezikshme për punën e ardhshme të qeverive. Kjo është arsyeja se përse proceset e mëdha integruese euroatlantike të finalizuara nga qeverisja blu, si dhe realizimi i ëndrrës së lëvizjes së lirë nuk mundën të jepnin dot një bilanc më pozitiv në qendrat urbane për PD-në. Karakteristika tjetër e këtyre zgjedhjeve ishte se u mposhtën disa bastione të PD-së në Veri të vendit (dhe kjo ishte një gjë shumë e mirë) si Laçi, Kruma, Kopliku, Rrësheni e Fushë-Kruja dhe në qytete të tilla që prej 20 vjetësh kanë qenë të veshura me ngjyrë blu, si Kavaja. Gjithashtu, u vu re se në këto bastione fituan kandidatët rozë, që për një periudhë të gjatë kanë qenë anëtarë të PD-së, të cilët ecën në gjurmët e ish-demokratëve apo të djathtëve të dikurshëm si N. Peleshi në Korçë, apo edhe asnjanës si Q. Sejdini në Elbasan etj. Hermetizmi i mundshëm i z. Berisha në përzgjedhjen e dobët të kandidatëve kuptohet kur shikon shumicën blu të këshillave në shumë bashki ku kanë fituar kandidatët socialistë, si në Korçë, Elbasan, Kavajë, Durrës, Laç, Fushë-Krujë Koplik etj. Pra, në këtë kuptim, mund të arrijmë në përfundimin se në bazën blu ka pasur një tendencë që të minohen e shkallmohen vendimet e mbyllura personale apo të rrethit të ngushtë të z. Berisha, i cili, megjithëse ka një eksperiencë të madhe si politikan e demagog, nuk ka ditur të bindë apo të gjejë mesin e artë midis vendimeve despotike dhe atyre demokratike në përzgjedhjen e kandidatëve, duke e kthyer kësisoj PD-në më tepër të ngjashme me një fortesë në shërbim të një rrethi shumë të ngushtë, por pa një imazh real shprese në elektorat (si në pushtetin qendror, ashtu edhe atë lokal), sesa në një shtëpi të shumicës së demokratëve me vlera, me taban të fortë e ambicie për novacion e shpresë nëpërmjet talenteve të tyre individuale. Pa kundërshtuar rolin koheziv 20-vjeçar të z. Berisha, në fatin e PD-së, ndoshta në këtë rast ka ndodhur ajo që thotë Montieskieja dhe Makiaveli në “Dialog në Ferr” (vepër e M. Joly), se në organizatat “despotike frika dhe bindja e vartësve është diçka e nevojshme, virtyti është i kotë, nderi i rrezikshëm; duhet bindje e verbër, dhe se princi merr fund nëse harron ta mbajë dorën ngritur, qoftë edhe një çast” dhe se “dinjitarët e mëdhenj për levat kryesore të pushtetit, duhet të vendosen vetëm ata njerëz, back-ground-i dhe karakteri i të cilëve krijon një hendek mes tyre dhe masës dhe që e dinë se i pret syrgjynosja në rast se bie qeveria; që e kanë të domosdoshme, me një fjalë, ta mbrojnë verbërisht atë që është ndërtuar”. Çuditërisht, duhet shtuar, nga ana tjetër, se nga produkti i këtyre zgjedhjeve bie në sy një fenomen ndoshta jo i rastësishëm, që ashtu si mafia, gjithë bregdetin, nga Kopliku në Sarandë, e ka shtënë në dorë PS-ja dhe grupi i betonit pranë saj…
Përsa i përket konkurrimit për të rrëmbyer kurorën e diamantit të zgjedhjeve lokale – fronin e kryebashkisë – të cilën mund ta rreshtonim të parën për nga rëndësia, z. Berisha mund ta ketë kuptuar se ndoshta pati kryer një gafë të rëndë kur kishte emëruar në qeverisjen e tij të fundit z. Basha si ministër të Brendshëm, në një kohë që atë e kishte si asin e vetëm nën mëngë për kandidat potencial ndaj Tiranës; në një kohë që dukej se stuhia që po përgatiste selia rozë pas zgjedhjeve të 2009-s nuk mund të quhej stuhi në gotë – çka e vërtetoi sidomos 21 janari – edhe pranimi prej z. Basha i këtij posti mund të konsiderohet si naivitet dhe fatalitet. Ose ka gjasa se qëndrimi i ashpër e i paprecedent historik i dyshes Berisha – Basha më 21 janar, me mbështetjen edhe të z. Arvizu e të SHBA, mund t’i ketë forcuar kredencialet elektorale të Bashës nga ana e qytetarëve që duan shtet të fortë. Por, shumica mendojnë se po të mos ishte z. Basha ministër i Brendshëm më 21 janar, sot pa dyshim që ai do të ishte fitimtari dhe politika mund të mos kishte hyrë në një tunel të errët e të zi, duke rrezikuar të hedhë në erë të gjitha arritjet e standardeve më cilësore. Numri i votuesve në Tiranë u rrit me rreth 70 mijë vota. Basha dukej si Davidi me Goliathin në këtë betejë, pasi konkurronte me kryetarin e maxhorancës tri herë të zgjedhur si kryebashkiak dhe me rreth 23 mijë vota më pak në startin e fushatës. Për hir të së vërtetës, ai kreu një fushatë shumë pozitiviste e të ngritur kryesisht në debatin tekniko-administrativ. Basha ka fituar, me sa duket, në një territor më të gjerë të qytetit, ndërsa Rama ka fituar dukshëm në tri minibashki, ku spikat thellë Minibashkia 5, e cila vazhdon të jetojë prej 20 vjetësh vitin 1991. Përfundimi i lojës së tyre ngjan me një ndeshje futbolli që ka përfunduar në barazim dhe tash priten të gjuhen penalltitë. Rama, si kryeopozitar e ka humbur moralisht këtë betejë me Davidin. Nëse palët do të ishin me diferenca të thella mbi tre apo katërshifrore, verdikti i KQZ-së do të ishte shumë i kompromentuar. Por, në një situatë të tillë, kur ambasadorët kryesorë të Perëndimit u kthyen si rrallëherë në vëzhgues në terren të procesit të numërimit, humbës dhe fitues nuk është askush prej tyre. Kushdo që të jetë kryebashkiaku në katër vitet e ardhshme, votimi në Tiranë tregoi se z. Rama, nëse do të rikonfirmohet si kryebashkiak, nuk mund të sillet më si një despot që s’jep llogari me qytetarët e vet dhe përfundimisht, nëse atij i ka mbetur një fije ndërgjegje, mund ta shikojë 21 janarin me makthin e një Makbethi për katër viktimat e saj dhe të mos e lodhë më shoqërinë tonë të munduar vazhdimisht nga fryma e anarshisë dhe revoltës. Nëse KQZ-ja do të shpallë si fitues z. Basha dhe këtë rezultat do ta njohin edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, z. Rama dhe PS do ta kenë të vështirë të rrisin, qoftë ligjërisht, qoftë moralisht, adrenalinën e fansave të tyre, siç kanë bërë këto dy vjet me zgjedhjet e përgjithshme.
Nuk mund të harronim në fund pa përmendur edhe ndikimin dhe “votimin” e ndërkombëtarëve në manifakturimin relativ të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, si dhe ndikimin e katër qendrave okulte botërore, nga të cilat ata dhe shtetet e tyre kanë varësi (Iluminati europian i Ingolshtadit, Round Table i Londrës, Skull & Bones i Jeilit (SHBA) dhe Informbyroja aziatike). Ballkani dhe posaçërisht territoret e shqiptarëve në të shihen me mjaft interes ndërkombëtar, dhe këto qendra kanë kohë që po punojnë në inxhinierimin e ngjarjeve që ende nuk kanë përfunduar në risistemimin dhe ekuilibrin e forcave të Ballkanit të përfshirë prej kohësh në tronditje e tallaz.

© Panorama.al

Te lidhura