GJIROKASTER – Kakavija është shndërruar në një ferr të vërtetë për emigrantët që kanë mbërritur në dy ditët e fundit përmes saj me qëllim kalimin e festave të fundvitit në vatrat e tyre familjare. Më shumë se katër orë kanë qëndruar në radhë për të kaluar në territorin shqiptar mbi 5 mijë emigrantë mbrëmjen e së dielës duke u gdhirë e hëna. Mungesa e kapaciteteve kontrolluese nga ana e grekëve, ka sjellë radhë kilometrike në territorin helen e rrjedhimisht, edhe reagime negative nga ana e njerëzve që prisnin. Rreth 3 km ka qenë radha e automjete që prisnin në territorin grek për të kaluar në Shqipëri. Pala greke ka punuar me një kontrollor të vetëm për vulosjen e pasaportave, ndërkohë që autoritetet kufitare shqiptare kishin në gatishmëri tetë të tilla, e gjithë kjo vetëm për të mos krijuar konfuzion në radhët e emigrantëve. Këta të fundit kanë shprehur revoltën e tyre përmes gazetës “Panorama”. Besim Ngreci, nga Laçi, shprehet për gazetën se autoritetet greke kanë punuar qëllimisht me një sportel për të krijuar zemëratë të qëllimshme në radhët e emigrantëve. “Në një kohë kur kriza është ulur këmbëkryq te ta, na krijojnë probleme të tilla vetëm e vetëm që mos të marrim rrugën për në vendlindje, por të shpenzojmë të ardhurat tona te vendi i tyre”, shprehet Ngreci. p.n











