Qyteza ndërkontinentale

Sep 4, 2011 | 11:10

EDMOND TUPJA

Le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike që t’i paraqes një listë me emra qytetesh, krahinash e kontinentesh, sigurisht të renditur sipas alfabetit: Aleksandria, Amerika, Ankaraja, Australia, Bavaria, Brazili, Brukseli, Budapesti, Dubai, Europa, Gjakova, Lisbona, Meksika, Milano, Montekarlo, Otava, Prizreni, Roma, Selaniku, Stambolli, Stokholmi, Shkupi, Tetova, Tokio, Uashingtoni, Venecia dhe Zyrihu. Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme. Po vazhdoj tani me njëfarë gjëegjëze gjeografie: Çfarë kanë të përbashkët, por, ama, vërtet të përbashkët, tërë këto kontinente, krahina e qytete të planetit Tokë? E thënë më thjesht: Çfarë i lidh, i bashkon ato, pikërisht sot, më 4 shtator 2011, gjë që, me shumë gjasë, do t’i lidhë e bashkojë edhe për disa vite të tjera (të paktën tri a katër)?
Me siguri matematikore, lexuesi im e ka të vështirë të japë një përgjigje të saktë, pra, ta gjejë këtë gjëegjëze gjeografie. Atëherë, po ia lehtësoj detyrën: Përgjigjen e saktë ka për ta gjetur nëse vepron siç veprova unë të shtunën para një jave: le t’i hipë, pra, furgonit, për të shkuar në Fushë-Krujë! Me t’u nisur, le t’i thotë shoferit t’i japë furgonit më ngadalë kur të futet në Kamzë, le t’i bëjë sytë katër, majtas e djathtas, gjatë udhëtimit, dhe atëherë do të ndodhë mrekullia: ai ka për të parë e lexuar me sytë e tij se tërë kontinentet, krahinat dhe qytetet e lartpërmendura i lidh, i bashkon, i kujton e i përkujton pikërisht vetëm qyteza e… Kamzës! Si kështu? Po, po, tamam kështu! Secili emër i lartpërmendur i përket një rruge në Kamzë! Prandaj këtij shkrimi ia kam vënë titullin “Qyteza ndërkontinentale”! Vështirë të gjesh njerëz më të ndërkombëtarizuar, më të globalizuar se Këshilli Bashkiak i Kamzës nga i cili u varka – siç më thanë – emërtimet e rrugëve dhe të shesheve, si kudo gjetiu në Shqipëri! Dikush mund të më korrigjojë e të më thotë se do të kisha bërë më mirë sikur këtë shkrim ta kisha quajtur “Qyteza kozmopolite”, veçse po të kisha ndjekur këtë këshillë, rrezikoja që të keqkuptohesha me Këshillin Bashkiak në fjalë, i cili me gjasë do të më kritikonte duke më mësuar se ai dhe qyteza e tij nuk kanë asgjë të përbashkët me… kozmosin, meqenëse Kamza nuk ka asnjë rrugë me emër planeti (Mars, Neptun, Jupiter etj.) apo yjësie (Arusha e Madhe, Luani, Orioni etj.). Mirëpo unë do t’i sqaroja duke i theksuar se te fjala “kozmopolit”, rrënja “kozmos”, në greqishte të vjetër, do të thotë “botë” dhe jo “kozmos”, kështu që edhe mbiemri “kozmopolit” do t’i shkonte fare mirë Kamzës shqiptare.
Ajo që më shqetëson paksa në këto emra rrugësh është edhe fakti se midis tyre vërej fare pak emra qytetesh shqiptare, vetëm tri: Gjakova, Prizreni e Tetova dhe, mjerisht, dy emra personalitetesh të vendit tonë, vetëm dy: Skënderbeu dhe Berisha. E kuptoj fare mirë që në Kamzë të ketë një rrugë me emrin e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, i cili ka tashmë disa shekuj që ka vdekur (edhe Tirana ka një shesh me emrin e tij, apo jo?), por historia e Shqipërisë, e Kosovës, e Çamërisë dhe e trevave të tjera të populluara me shqiptarë ka plot figura, emrat e të cilave e meritojnë para Brazilit, Australisë, Otavës, Selanikut dhe Ankarasë, për shembull, t’u vihen rrugëve të Kamzës.
Problemi që po trajtoj merr një ngjyrim edhe më shqetësues e, pse jo, më delikat, kur bëhet fjalë për emrin e kryeministrit të vendit, zotit Berisha. Kryetari apo anëtari i Këshillit Bashkiak të Kamzës, i cili ka propozuar që një rrugë e qytezës ndërkontinentale të quhej pikërisht “Rruga Berisha”, me siguri nuk e ka ditur se, kudo në botë, emri i një personaliteti të njohur, që ka lënë gjurmë në historinë e një vendi, i vihet një rruge, sheshi, qendre kulturore etj., etj. vetëm pas vdekjes së tij, kjo është praktika që ndiqet, me përjashtime fort të rralla, të paktën sipas përvojës dhe kujtesës sime. Gjithsesi, jam tejet i bindur që zoti Berisha ende nuk e di se një rrugë e Kamzës mban tashmë emrin e tij dhe, me siguri që, po ta marrë vesh një gjë të tillë, do të kërkojë që asaj rruge t’i ndryshohet menjëherë emri, sepse ai vetë është i gjallë, ndoshta më i gjallë se kurrë ndonjëherë. Vetëm se do t’i rekomandoja kryetarit apo anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Kamzës që, pas heqjes së emrit Berisha, rrugën në fjalë të mos e pagëzojnë me ndonjë emër qyteti të huazuar nga thellësitë e Groenlandës, të Saharasë apo të Bangladeshit.

© Panorama.al

Te lidhura