Qyteti te pragu i shtëpisë sime

Dec 20, 2011 | 10:58

FATOS ÇOÇOLI

Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit ka filluar këshillimet për projektbuxhetin 2012 me banorët e çdo njësie administrative të Tiranës. Ndryshe nga sa bëhej më parë, kur mendimi i qytetarëve “thithej” nëpërmjet disa përfaqësuesve që mbinin në dyert e Bashkisë dhe nuk kuptohej mirë se kush i kishte përzgjedhur për të folur në emër të dhjetëra mijëra qytetarëve, takimi i drejtpërdrejtë me ta ndihmon për të kuptuar saktë nevojat dhe kërkesat që kanë.  Ndryshe nga buxhetet e mëparshme, ky i vitit 2012 duket i përqendruar në zërat e tij, te rritja ekonomike e qytetit dhe te punësimi.  Nëse kemi mbi dy dhjetëvjeçarë që dëgjojmë për rritjen ekonomike të vendit, asnjëherë nuk e kemi parë këtë interes në nivel të një qyteti që sot mban mbi 800 mijë banorë. Asnjëherë paratë publike të tij nuk janë konceptuar në funksion të shtimit të punësimit, në asnjë fillim apo mbarim viti nuk kemi dëgjuar se në Tiranë janë shtuar “x” apo “y” vende të reja pune. E megjithatë, punësimi është interesi numër një i qytetarëve. Aty nis qyteti im dhe përfundon pragu i shtëpisë sime. Nëse i kam fëmijët të papunë, nuk më mjaftojnë as rrugët më të gjera, as fasadat e lyera bukur të qindra pallateve. Shndërrimi i mirëfilltë për jetën e çdo tiranasi, por edhe banori tjetër të çdo qyteti apo fshati të vendit, vjen nga rritja e të ardhurave për çdo familje. Dhe shtimi i vendeve të punës nënkupton pikërisht një rritje të tillë. Në dy javë Bashkia e kryeqytetit synon të nxisë punësimin, duke ua bërë zero pagesën e taksave dhe tarifave vendore atyre bizneseve që heqin 50 të papunë nga lista. Për çdo biznes ndërtimi që në Tiranë punëson mbi 75 veta, një nga taksat vendore, ajo e ndikimit në infrastrukturë, ulet me 30 për qind. Nuk duhet të harrojmë që vetëm kryeqyteti ynë numëron mbi 780 firma ndërtimi dhe shumë prej tyre janë tashmë të konsoliduara, duke punësuar me dhjetëra dhe qindra punëtorë. Ndërkohë, buxheti i Tiranës ka edhe një përmasë tjetër, atë të nxitjes së rritjes ekonomike nëpërmjet investimeve publike. Në një kohë kur viti 2012 parashikohet të jetë tepër i zymtë për vendet e eurozonës dhe sipërmarrja private rrezikon të tkurret, trefishimi i investimeve publike në kryeqytet, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve të Bashkisë së Tiranës në 20 vitet e fundit, përbën një ogur të mirë. Buxheti po ashtu sheh shpërndarjen e njëtrajtshme të investimeve në qytet. Deri tani kemi parë dendur zona “të nënës dhe “të njerkës” në Tiranë, në varësi të pëlqimeve apo ndikimeve personale të drejtuesve të Bashkisë në investimet e këtij institucioni. Edhe pse buxhet në rritje të fortë investimesh, sërish, ndryshe nga vitet e mëparshme, këto investime nuk bazohen në rritje taksash. Për vitin 2012, kryebashkiaku Lulzim Basha e ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë rritje taksash apo tarifash vendore. Bashkia më në fund po e kupton se rritja e vërtetë ekonomike vjen nga lehtësimi praktik dhe real i biznesit, i sipërmarrjes private, jo nga një politikë fiskale që synon rritje taksash. Është duke krijuar mjedisin më të përshtatshëm dhe nxitës për biznes në Tiranë duke ulur ndjeshëm kohën e marrjes së një lejeje ndërtimi, që mund të hapen qindra e mijëra vende të reja pune. Kush beson dhe predikon rritje taksash, e ka të humbur davanë me energjitë prodhuese të një vendi, madje dhe të një qyteti të vetëm. Prandaj dhe Bashkia Tiranë planifikon me të drejtë që paratë më shumë t’i marrë nga rritja e bazës së taksapaguesve, pse për qytetin duhet të kontribuojnë të gjithë ata që me ligj duhet të paguajnë taksat e shtetit. Ndërkohë, kjo bashki ka parashikuar lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët. Po ashtu, parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale dhe bonusi i qirasë për familjet në nevojë. Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhetin Tirana 2012, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, 2 shkollave të mesme, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve. Punësim, arsimim të mjaftueshëm e cilësor, këto janë gjërat që çdo qytetar, përtej pragut të derës së vet, pret nga administrata e qytetit të tij.

© Panorama.al

Te lidhura