Erisa Xhixho ka reaguar ndaj situatës së rëndë me ujin e pijshëm në zonat e Komunës së Parisit dhe Selitës, ku çarjet në tubacione kanë sjellë ndotje të ujit dhe dëmtime në banesa.

Ajo thekson se qytetarët kanë marrë ujë të papërdorshëm për disa ditë pa asnjë njoftim nga autoritetet, ndërsa në Selitë lagështira ka dëmtuar shtëpitë dhe nuk ka pasur asnjë përgjegjësi institucionale.
Xhixho denoncon çmimin e lartë të ujit që paguajnë qytetarët që prej 2018-s, mungesën e furnizimit 24 orë dhe faktin që shumë prej tyre detyrohen të blejnë ujë të pijshëm. Ajo akuzon bashkinë dhe qeverinë për shpërdorim fondesh në afera korruptive dhe për mosinvestim në rrjetin e ujësjellësit.
Deklarata e saj kritikon gjithashtu angazhimin e administratës publike në fushata politike, në vend që t’i shërbejnë qytetarëve, si dhe premtimet e pambajtura për furnizim të pandërprerë me ujë. Sipas saj, qeveria po mashtron sërish me premtimin për pasaportën europiane, ndërkohë që realiteti është varfëri dhe ujë i ndotur në rubinetat e qytetarëve.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:
Të nderuar qytetarë!
Ditët e fundit kam marrë me dhjetëra mesazhe në lidhje me situatën e krijuar në zonën e Komunës së Parisit dhe Selitës, për shkak të çarjes së tubacioneve të ujit të pijshëm. Banorët e zonës së Komunës së Parisit u tmerruan javën e kaluar, kur hapën çezmat e shtëpive të tyre, prej të cilave për mëse tre ditë rrodhi ujë i papërdorshëm, me ngjyrë dhe erë. Atyre nuk iu dha asnjë shpjegim për shkakun e ndotjes së ujit, duke krijuar alarm dhe panik, pa folur për pamundësinë për të përdorur ujin, qoftë edhe për pastrimin e shtëpisë.
Një situatë e ngjashme raportohet në Selitë e Vogël, ku çarja e tubacioneve ka shkaktuar dëmtime serioze në banesa, në disa raste duke shembur madje edhe muret rrethuese të shtëpive. Lagështira ka hyrë në banesa, duke u shkaktuar dëme për të cilat nuk përgjigjet askush.
Qytetarët e Tiranës e paguajnë ujin 50% më shtrenjtë që prej vitit 2018. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për furnizim 24 orë, por faturës së kripur të ujit i shtohet edhe ajo e blerjes së ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së besimit te rrjeti i shpërndarjes. Për të mos folur për sezonin e verës, ku lagje të tëra, jo vetëm në periferi, por edhe në qendër, mbeten pa ujë me ditë me radhë. Faturat e ujit janë shumëfishuar për të justifikuar vjedhjen galopante të Bashkisë, por shërbimi nuk është përmirësuar asnjëherë. Paratë kanë shkuar në aferat korruptive si inceneratorët apo kompania 5D, dhe nuk janë kthyer kurrë në investime për përmirësimin e rrjetit.
Të gjithë e mbajmë mend premtimin-mashtrim të fushatës së vitit 2015, për 24 orë furnizim me ujë dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve që e shëmtonin Tiranën. Ky premtim është përsëritur në çdo fushatë dhe ja ku jemi sot, me ujë kanalesh që rrjedh nga rubinetat ose pa ujë fare.
Qytetarëve nuk u përgjigjet askush sepse e gjithë administrata qendrore dhe vendore është vënë në rresht për fushatë. Detyrimi i punonjësve për t’u vënë në shërbim të partisë në pushtet ka lënë pa shërbim qytetarët që paguajnë rregullisht shërbimet.
Qeverisë nuk i mjafton presioni që ushtron çdo ditë ndaj punonjësve të administratës, por u merr edhe ditët e pushimit për t’i detyruar të marrin pjesë në hapjen e fushatës së partisë në pushtet. E pavarësisht imponimit, kryeministri u braktis nga pjesa më e madhe e administratës në hapjen e fushatës. Është praktikë e ndjekur gjithmonë nga kjo qeveri që nuk e ka për gjë të shkelë Kodin Zgjedhor, sepse e di që nuk e ka shumicën.
Ndërsa asfalti elektoral shtrohet me nxitim natën, pasaporta europiane premtohet ditën. Pasi janë mashtruar për 12 vjet me radhë për ujë 24 orë, qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë u serviret mashtrimi i radhës, pasaporta për në BE.
Pasi i zhyti në varfëri dhe i detyroi të marrin rrugët e Europës, Edi Rama u premton shqiptarëve që do t’ua sjellë Europën këtu, por ajo që po u sjell në të vërtetë është uji i ndotur, edhe ai me kufizime. Dikush duhet t’i kujtojë kryeministrit të vendit që qytetarët shqiptarë nuk mund t’i gënjejë më.
Qytetarëve duhet t’u garantohet ujë i pijshëm nga çezmat dhe jo të detyrohen blejnë ujin në dyqane, pasi është bërë biznes fitimprurës. Çdo qytet në Europë e ka ujin e pijshëm në çezma, sepse europianëve u jepet shërbimi për të cilin paguajnë. Në Tiranë, qytetarët paguajnë për ujin në çezma dhe prapë janë të detyruar ta blejnë për së dyti në markete.
Më 11 maj, shqiptarët do të zgjedhin programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, duke refuzuar çdo përpjekje të dëshpëruar të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin me mashtrime!
© Panorama.al











