Qytetarët ulën konsumin, dyshime për ekonominë

Dec 29, 2011 | 11:34
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Qytetarët kanë mbajtur deri në fund të këtij viti qëndrimin e tyre konservator në kahun e shpenzimeve për konsum, duke preferuar më shumë të kursejnë. Por në të njëjtën linjë ka qenë edhe biznesi, i cili nuk ka preferuar të bëjë investime, çka ka reflektuar një kërkesë të ulët për kredi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në daljen e tij të fundit për këtë vit para mediave pas mbylljes së takimit të Këshillit të Mbikëqyrjes analizoi disa nga këto sjellje në ekonominë shqiptare. “Konsumi dhe investimet private kanë pasur një ecuri të ngadaltë. Në përputhje me ecurinë e ekonomisë, të ardhurat e disponueshme të familjeve shqiptare vlerësohen të jenë rritur me ritme të reduktuara gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht kësaj, ecuria e ngadaltë e konsumit shqiptar ka reflektuar më së shumti orientimin e rritur të familjeve drejt kursimit”, tha Fullani. Kjo nuk është hera e parë që Banka e Shqipërisë adreson shqetësimin e konsumit të ulët në vend, duke bërë thirrje për rritje të tij. Sipas Fullanit, është e rëndësishme që të gjallërohet kjo pjesë e ekonomisë dhe sektori privat, pasi kontributin e rritjes për vitin 2012 në pjesën më të madhe pritet ta japë pikërisht ky sektor. “Kontributi i sektorit publik në rritjen e kërkesës agregate pritet të vijë në ulje gjatë vitit 2012. Në këto kushte, masa dhe shpejtësia e gjallërimit të kërkesës së sektorit privat të ekonomisë do të jenë përcaktuese për rritjen e aktivitetit ekonomik në vend”, tha guvernatori. Lidhur me mbylljen e vitit 2011 dhe me ecurinë që ekonomia jonë ka pasur përgjatë këtij viti, kreu i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se është vështirë të gjykohet, pasi mungojnë të dhënat zyrtare që normalisht publikohen nga INSTAT. “Mungesa e të dhënave direkte mbi treguesit e ekonomisë reale vështirëson analizën e plotë të ekonomisë shqiptare. Gjykimi jonë për ecurinë e aktivitetit ekonomik bazohet mbi të dhëna indirekte, të cilat përafrojnë zhvillimet e sektorëve të veçantë të ekonomisë”, u shpreh Fullani. Në fund, ai theksoi se Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë do të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në 4.75 për qind dhe kjo përmbush edhe synimin për mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe garantimit të kushteve monetare për mbështetjen e ekonomisë.

Vlerësimi i S&P dhe Moody’s
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi faktin që dy agjenci të gjykimit të borxhit kanë cilësuar Shqipërinë si stabël. “Një zhvillim pozitiv për tregjet financiare në vend është dhe rikonfirmimi në vlerat aktuale i primit të vlerësuar të rrezikut për borxhin e qeverisë, nga agjencitë e mirënjohura Moody’s dhe Standard & Poor, si dhe parashikimi për qëndrueshmëri të tij në të ardhmen”, tha Fullani.

Vlerësime të BSH
1.     Ekonomia është rritur nën potencial dhe nuk janë shfrytëzuar gjithë kapacitetet
2.     Janë reflektuar presione të kufizuara mbi kostot e prodhimit dhe mbi çmimet finale në ekonomi
3.     Analiza e plotë e ekonomisë shqiptare vështirësohet nga mungesa e të dhënave direkte mbi treguesit
4.     Konsumi dhe investimet private kanë pasur një ecuri të ngadaltë
5.     Kërkesa për kredi mbetet e ulët si nga biznesi, edhe nga konsumatorët
6.     Norma bazë e interesit për lekun mbetet e pandryshuar, 4.75 për qind

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura