QSUT, vatër infeksionesh, penalizime për 50 mjekë

Dec 27, 2011 | 12:04

Mjekë që hyjnë e dalin nga sallat operatore pa larë duart. Personel që me të njëjtën përparëse të bardhë hyjnë në baret rreth spitalit, futen në sallën e operacionit apo në pavijon. Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” është kthyer në vatër infeksionesh për pacientët. Ata shkojnë të trajtohen për një sëmundje dhe marrin peshqesh nga spitali edhe një të dytë. Nuk bëjnë përjashtim as sallat e operacioneve, të cilat duhet të jenë ambientet më sterile. Pas disa matjeve të kryera, ku ka rezultuar se pjesa më e madhe e të sëmurëve marrin infeksione të dyta në spital, vetë institucionet shëndetësore kanë filluar të pranojnë problemin. Nga monitorimet e kryera së fundi nga Drejtoria e Shëndetit Publik ka rezultuar se situata është kritike. Nuk kanë munguar as masat administrative. “Janë rreth 50 masa administrative. Kemi konstatuar probleme të infeksioneve spitalore, persona që shkojnë me një dhe dalin me dy infeksione. Kjo nuk do të tolerohet nga ana jonë. Është e papranueshme që një mjek, i cili vjen nga lokali, shkon e futet direkt në sallën e operacionit”, është shprehur Mëhill Gecaj, drejtor i Shëndetit Publik, Tiranë. Sipas tij, gjoba janë vendosur edhe për sanitarët, kryeinfermierët dhe shefat e pavijoneve, të cilët nuk janë kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve. Sallat operatore në spitalin nr. 1 rezultojnë të jenë më problematiket, por edhe tek spitali i sëmundjeve të brendshme higjiena lë për të dëshiruar. Janë penalizuar mjekë dhe shefa pavijonesh, që nuk kanë qenë të pajisur me librezë shëndetësore. “Vetë punonjësit, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli mjekësor duhet të ketë librezën shëndetësore të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pra, ky person së pari duhet të jetë vetë i garantuar për problematikat të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik”, shprehet Gecaj. Inspektimet në QSUT do të vijojnë të kryhen deri në fund të janarit. Menjëherë pas kësaj qendre spitalore, inspektorët e Drejtorisë së Higjienës do të kontrollojnë edhe dy maternitetet e Tiranës.
Reagon Drejtoria e QSUT
Në pavijonet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” nuk mund të hyjë askush pa lejen e shefave të shërbimit. Kjo është masa e fundit, që pritet të zbatohet që nga muaji janar në QSUT. Gjithçka e bëri me dije dje drejtori Sajmir Ivziku. Sipas tij, higjiena ka probleme, por krahasuar me 8 vite më parë kur është bërë monitorimi i fundit, ka përmirësim të ndjeshëm. “Ndërkohë, të dhënat më të fundit të këtij institucioni mbi kontrollet e bëra në pavijon tregojnë se në vitin 2003 Instituti i Shëndetit Publik në “La Sapienza” kreu matje mbi infeksionet spitalore dhe shifrat ishin alarmante, tani pas 8 viteve shifrat janë afër normës. Ka vetëm pak muaj që ekspertë të qendrës spitalore bënë matjet mbi infeksionet spitalore në sallat e kirurgjisë, në kardiologji, në pavijonin e urologjisë dhe në një sërë laboratorësh, apo ambiente ku kryhen ndërhyrje apo manipulime, siç quhen në gjuhën mjekësore”, është shprehur Ivziku. Sipas tij, zonat më të ndotura kanë rezultuar ato në hyrje të sallës së operacionit, që do të thotë se kushtet përkeqësohen gjatë hyrje- daljeve të mjekëve dhe personelit. Ndërkohë, brenda QSUT-së këtë vit do të ngrihet qendra e sterilizimit të mjeteve spitalore.

Familjarët
Drejtoria e QSUT-së do të ndalojë hyrjen e familjarëve të të sëmurëve, duke mbyllur hyrjet për automjetet private. Ndërkaq , nëpër pavijone nuk do të mund hyjë askush pa lejen e shefit të shërbimit. Këto masa merren pasi fluksi i madh i familjarëve ka shtuar mungesën e higjienës dhe kaosin nëpër spitalet e QSUT-së. “Ekzistojnë disa hyrje të paligjshme, të cilat do të mbyllen. E dyta është që do të bëjmë një monitorim shumë më të rreptë për sa i përket trafikut të automjeteve. Këtu janë rreth 3000-3500 automjete që hyjnë në ditë dhe do merren masat dhe me disa institucione të tjera shtetërore, qofshin këto qendrore apo lokale në hartimin e një plani dhe zgjidhjen e mirë të çështjes së parkimit të automjeteve”, thotë Sajmir Ivziku, drejtor i QSUT.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura