Qitësja Ermira Dingu: Fisheku i fundit, që më bëri kampione Europe

Oct 2, 2011 | 13:59
Ermira Dingu duke rrëfyer për gazetën Panorama, FOTO: VLASOV SULAJ

Nga Kampionati Ndërkombëtar i Spanjës, ku rroku çmimin e parë dhe u shpall “Kampione e Europës”, tek humbja e beftë në Titograd. Historia e një ish-kampioneje, që sot shijon ditët në pension, xhirot nga Liqeni Artificial. Si nisi rrugën e sportit, kampionatet ndërkombëtare, mungesa e investimeve dhe sigurimi i fishekëve në ish-Jugosllavi

Ishte fisheku i fundit, që vulosi fitoren e saj! Në gjuajtjen e 60-të, në një arenë ndërkombëtare në Madrid të Spanjës, me konkurrentë pjesëmarrës nga e gjithë bota, sportistja shqiptare, u shpall kampione e Evropës në gjuajtjen e standardit. Nuk do të mjaftonte fitorja, për t’ju gëzuar sakaq edhe jehonës që ky çmim pati për kohën, vitet 1980. Sepse për vendin e origjinës së Ermira Dingut, dihej shumë pak… Spanjollët nuk kishin mundur të ç’bënin konturet e një sistemi politik komunist, për sa kohë që nuk posedonin as edhe një emblemë simbolike, një flamur shqiptar. Mes ecejakesh dhe peripecish, që mund të çonin deri në një incident diplomatik, flamuri rezervë i marrë nga Tirana do të shpëtonte sportistët dhe protagonisten e çmimit të parë, nga pasojat e paparashikuara. Nga emocioni pozitiv i përzier me shijen e hidhur të kësaj eksperience, tek humbjet e pa menduara. Ish-kampionia e Evropës, tregon për vështirësitë dhe arritjet e sportit të qitjes, karriera si krye trajnere e sport klub “Partizani”, dhe jeta e “vakët” në moshën e pensionit.
Pas Elisabeta Karabollit, kampiones së parë të Europës në sportin e qitjes, ju jeni kampionia e dytë. Si e keni përjetuar?

Ermira Dingu, në Kampionatin Europian në Madrid, më 1980, ku u shpall dhe “Kampione e Europës”

Ishte një eksperiencë e vyer dhe e suksesshme. Pas koleges sime, Elisabetës, e cila ishte kurorëzuar një vit më parë si kampione Europe, në vitin 1980 unë konkurroj në kampionatin ndërkombëtar të qitjes, që zhvillohej në Madrid të Spanjës. Ishim gjithsej 10 vajza konkurrente në qitjen me pushkë, që garonim për të shkuar në këtë aktivitet. Në garën e precizionit dola e katërta, ndërsa në ushtrimin e standardit 3×20 fitova dhe hyra në përbërje të ekipit. Shkova në Spanjë me dëshirën për të përfaqësuar denjësisht vendin tim. Në garë gjuaj 59 fishekë dhe në fishekun e fundit nuk më ngrihet më tabela. Nga komunikimi me trajnerin dhe gjyqtarin, ata më pohojnë se i kisha mbaruar të 60-të fishekët e garës. Kokëfortësia ime më bëri që të mos lëvizja nga vendi, dhe pas 30 minutave garë pa lëvizur, u desh të qëndroja dhe 18 minuta të tjera, ashtu me pesë kilogramë pushkë në supë, derisa sollën kryegjyqtarin e garës, i cili pas përllogaritjeve më konfirmoi që mungonte edhe një fishek. Pikërisht ky i fundit preku vijën e 10-ës, çka bëri që të renditesha e para dhe fituese e asaj gare. Të dilje kampione e Europës, mes gjithë atyre shteteve pjesëmarrëse me përvojë të gjatë në këtë sport, ishte fitore dhe sigurisht prestigj për mua dhe vendin tim.
Si u prit kjo fitore shqiptare nga organizatorët?
Shteti organizues i asaj gare dinte shumë pak për Shqipërinë, madje shumë trajnerë apo sportistë të huaj atje më pyesnin se ku binte Shqipëria. Pasi u shpalla kampione, duhej të dilja në podium, por shoh që në vend të flamurit shqiptar, më kishin vendosur një flamur me fushë të kuqe dhe një akrep të zi në mes. Në mënyrë kategorike refuzoj të dal në podium, dhe kërkoj që çështja të zgjidhej menjëherë, sepse kjo mund të shënonte një incident të rëndë diplomatik. Nëse do të pozoja nën atë flamur të huaj e të panjohur për mua, kur të kthehesha në Tiranë, jam e bindur që të do të kisha pasoja të pashmangshme. Falë Zotit, pas kërkimesh, trajneri i skuadrës shqiptare kishte marrë një flamur rezervë nga Tirana, të cilin e kam qepur me dorë për të sjellë në madhësinë e flamujve të dy shteteve të tjera të vendit të dytë, e të tretë. Për mua i rëndësishëm është fakti që fitoren time e përfaqësova denjësisht deri në fund të atij kompeticioni.
Sporti i qitjes shpesh është konsideruar si disiplinë e “mashkullore”. Si u lidhët me këtë sport?

Qitësja gjatë një performance sportive jashtë vendit, dhjetor 1974

Të them të drejtën, kur kam filluar sportin, nuk e kisha idenë se kishte edhe një sport me emrin qitje. Njihja gjimnastikën, volejbollin e basketbollin, por qitjen jo. Isha në shkollë të mesme atë kohë, kur troket në klasë trajneri i të rinjve për qitje, i cili kërkonte elementë të spikatur dhe me biografi të pastër për të marrë pjesë nëpër gara të ndryshme. Një nga emrat që u dhanë nga drejtoria, isha dhe unë. Na morën dhe na çuan në poligonin e qitjes dhe në provën e parë mora dy 9-ta dhe një 10-të. Pas asaj eksperience të parë, e shtëna më hyri në gjak dhe ky sport u bë pjesë e pandarë e jetës sime. U ambientova shpejt me poligonin e qitjes, me manovrat e të qëlluarit, nuk kisha frikë si shumë shoqe të miat që mbyllnin sytë kur tërhiqnin këmbëzën. Qitja kërkon përqendrim të lartë. Në momentin e shkrepjes bllokohet frymëmarrja, ngarkesa emocionale është shumë e madhe, sepse emocioni përsëritet 60 herë, aq herë sa shkrepet një fishek. Pikërisht, këto detaje e bëjnë specifik si sport, dhe unë e përqafova shumë shpejt si zhanër.
Humbja më e hidhur që keni përjetuar si sportiste?
Kam pasur edhe unë humbjet e mia, gara që kanë dështuar. Kujtoj se një vit pasi u shpalla kampione e Europës, në 1981 marr pjesë në një kampionat ndërkombëtar që zhvillohej në Titograd. Në garën e standardit 3×20, barkas dhe në këmbë dal shkëlqyeshëm, dhe nga euforia e trajnerëve e kolegëve aty, pak edhe ngarkesa emocionale, në sfidën e fundit në gjunjë, i këpus një gjashtë. Ishte e para gjashtë në jetën time dhe në aktivitetin si sportiste. Ishte një humbje e dhimbshme për mua dhe ajo gjashtë më dogji vërtet shumë.
A ka pasur ndonjë platformë specifike nga ana e partisë-shtet në lidhje me sportin e qitjes?
Mund të them që poligonet nëpër të cilat zhvillonim stërvitjet, ishin ambiente normale, të pranueshme. Për sa i përket armatimit, e kam filluar karrierën në moshën 20-vjeçare dhe e kam lënë thuajse 20 vjet më pas dhe gjatë kësaj kohe kam ndërruar vetëm dy armë. Imagjinoni rrezikshmërinë. Për sa kohë që kishim marrëdhënie diplomatike me Kinën, kishim fishekë me bollëk, prishja me Kinën na futi në një bllokadë të jashtëzakonshme. Nuk kishim fishekë as për stërvitje, as për konkurset ku merrnim pjesë. Më vonë u morën fishekë me klering nga Jugosllavia, dërgonim përmes eksportit domate, fruta e perime, dhe në këmbim merrnim fishekë me cilësi tepër të dobët, që shteti jugosllav i përdorte për gjuetarët amatorë. Pa folur më pas për veshjet, kostume që të vinte turp t’i mbaje në trup e jo më të prezantoheshe nëpër botë. Kjo ishte politika e partisë në pushtet.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme, si ndodhi shkëputja? Keni nostalgji për atë periudhë?
Karriera ime numëron 20 vite si sportiste, dhe 20 vite si kryetrajnere e klubit “Partizani”. Kam stërvitur rreth 150 sportistë. Shkëputja ndodhi në vitin 1984, ku pasi mora pjesë në Kupën e Republikës dhe zura vendin e parë, mendova ta lë sportin jo sepse nuk kisha rezultate, por sepse doja të kualifikohesha në profesionin për të cilin isha diplomuar si inxhiniere mekanike, të merrja një titull shkencor. Kam punuar për 15 vjet edhe në këtë zanat, por edhe kjo dëshirë imja u ndërpre, sepse me urdhër nga lart vendosem trajnere profesioniste e klubit “Partizani”. Sot, më merr malli për pushkën, garat, për ngarkesën emocionale dhe kënaqësinë e rezultatit pozitiv, përgëzimet e kolegëve dhe gjithçka tjetër. Dalja në pension më vrau, u largova nga ajo gjallëri dhe intensitet e sot i gëzohem ndonjë shëtitjeje nga Liqeni Artificial.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura