Alarm në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, NASA urdhëron astronautët të strehohen në kapsulën “SpaceX” pas rrjedhjeve të ajrit

Jun 5, 2026 | 16:55

Astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) janë urdhëruar të strehohen përkohësisht në anijen e tyre kozmike “SpaceX”, ndërsa po zhvillohen punime urgjente për riparimin e rrjedhjeve të reja të ajrit, njoftoi NASA.

nasa

“Për shkak të kujdesit maksimal, NASA ka udhëzuar katër anëtarët e misionit SpaceX Crew-12 dhe astronautin Chris Williams të marrin masa të shtuara sigurie dhe të qëndrojnë në kapsulën Dragon gjatë kohës që po kryhen riparimet”, thuhet në deklaratën e agjencisë hapësinore amerikane sipas BBC.

Zëdhënësja e NASA-s, Bethany Stevens, bëri të ditur se problemi lidhet me modulin e shërbimit Zvezda, pjesë e segmentit rus të stacionit hapësinor.

“Tuneli i transferimit i modulit Zvezda, i njohur si PrK, ka pësuar çarje dhe rrjedhje prej disa vitesh. Roscosmos ka ndërmarrë vazhdimisht masa për të kufizuar problemin, ndërsa NASA e ka monitoruar nga afër situatën. Të dyja agjencitë kanë punuar për të përcaktuar shkakun e këtyre çarjeve”, tha Stevens.

Sipas saj, pas zbulimit të rrjedhjeve të reja, agjencia ruse Roscosmos vendosi të kryejë një operacion më të gjerë riparimi këtë të premte.

NASA ka urdhëruar pesë nga shtatë astronautët që ndodhen aktualisht në ISS të strehohen në kapsulën SpaceX Crew Dragon “Freedom”, e cila është përcaktuar si zonë e sigurt në rast emergjence. Ndërkohë, dy kozmonautë rusë po punojnë për riparimin urgjent të defektit.

Problemi është përqendruar në segmentin rus të stacionit, konkretisht në tunelin e transferimit të modulit Zvezda, të njohur si PrK.

Kjo nuk është hera e parë që ISS përballet me këtë situatë. Çarjet që shkaktojnë rrjedhjen e ajrit janë evidentuar prej rreth gjashtë vitesh dhe kanë qenë vazhdimisht objekt monitorimi dhe riparimesh të pjesshme.

Megjithatë, pas mbërritjes së një anijeje ruse transporti muajin e kaluar, Roscosmos vuri re një rënie të re dhe të ngadaltë të presionit në tunel. Ky zhvillim i fundit i shtyu specialistët të heqin dorë nga zgjidhjet e përkohshme dhe të ndërmarrin një operacion më të gjerë riparimi.

NASA theksoi se po vazhdon bashkëpunimin me partnerët rusë dhe me komunitetin ndërkombëtar që mbështet funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, me synimin për të gjetur një zgjidhje të përhershme për problemin.

© Panorama.al

Te lidhura