Qeveria rrit dietat e zyrtarëve që udhëtojnë jashtë vendit për shërbim. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar propozimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili shton me 20 euro më shumë dietat për krerët e shtetit (Presidentin, kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin), si dhe me 10 euro dietat e ministrave, zv.ministrave, sekretarëve të Përgjithshëm dhe drejtorëve të kabinetit. Konkretisht, sipas një vendimi të vitit 2003, Presidenti, nëse udhëtonte jashtë vendit, kishte një dietë prej 100 eurosh në ditë, ndërsa tani do ta ketë 120 euro. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, sipas aktit të tetë viteve më parë, merrnin 80 euro, ndërsa tani do të përfitojnë 100 euro. Ndërsa kategoritë që vijnë më poshtë në hierarkinë e administratës, ministrat dhe funksionarët e tjerë të ministrive, do të përfitojnë një rritje me 10 euro, konkretisht nga 70 euro, që e kanë aktualisht do ta kenë 80 euro dietën ditore. Ndërsa zv.ministrat dhe sekretarët e Përgjithshëm, nga 50 euro dietë që merrnin, tani do të marrin 60 euro. Shefat e kabinetit në ministri nga 40 euro, do të kenë një rritje në 50 euro dietë ditore. Vendimi i miratuar përcakton edhe kategoritë e zyrtarëve që mund të qëndrojnë në hotele me pesë yje. Kështu, vetëm krerët e lartë të shtetit mund të prenotojnë hotele me kushte shumë të mira, ndërsa kategoritë e tjera të administratës, zv.ministrat, sekretarët e Përgjithshëm dhe drejtorët e kabineteve mund të qëndrojnë, sipas hierarkisë, në hotele me katër dhe tre yje. “Për efekt të llogaritjes së dietave, dita e nisjes dhe e kthimit nga shërbimi konsiderohet si gjysmë (1/2) ditë. Në rastet kur: nisja bëhet përpara orës 8:00 dhe kthimi pas orës 20:00, dita përkatëse konsiderohet e plotë; nisja dhe kthimi jashtë vendit bëhet brenda ditës, dita konsiderohet e plotë. Në këtë rast, nëse shihet e domosdoshme, mund të lejohet edhe rezervimi i një dhome hoteli, për qëllime të akomodimit të pjesshëm, por kjo gjithmonë e paracaktuar në urdhrin e titullarit të institucionit”, thuhet në vendimin e miratuar dje. Në të njëjtën kohë përcaktohet se në raste të veçanta, kur organizohen veprimtari ndërkombëtare, ku rezervimi bëhet nga organizatorët ose organizimi i veprimtarisë nuk lejon ndarjen e grupit në hotele të ndryshme, shpenzimet e fjetjes njihen sipas faturës përkatëse. “Në rastet kur distanca nga hoteli në destinacionin ku kryhet veprimtaria, duke respektuar kategoritë e mësipërme, është e konsiderueshme, drejtuesi i institucionit miraton, në urdhrin e shërbimit, lëvizjen në kategoritë e mësiperme të hotelit (jo më shumë se një kategori). Çdo institucion nxjerr rregulla të brendshme për organizimin e punës për sigurimin e hoteleve me koston më të ulët”, thuhet më tej në vendim. Akti përcakton se buxheti i institucionit përballon edhe siguracionin shëndetësor, vizën, taksën dhe qira zyre. “Telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal nuk mbulohen nga shpenzimet e institucionit, por nga vetë punonjësi”, theksohet në vendim.
Dieta 25 euro në ditë
“Trajtim financiar përfitojnë punonjësit edhe kur dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, me urdhër të titullarit të institucionit qendror ose të deleguarit të tij, në rastet kur: shpenzimet mbulohen tërësisht nga buxheti i shtetit. Në këtë rast, masa e dietës përllogaritet në masën 25 euro/USD në ditë; shpenzimet mbulohen pjesërisht nga pala pritëse dhe në dokumentacionin e palës pritëse parashikohet shprehimisht mënyra e mbulimit të shpenzimeve”, thuhet në vendim.
20 EURO Sipas vendimit të qeverisë të miratuar dje, Presidenti, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit do të kenë një rritje të dietës me 20 euro më shumë, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera do të kenë rritje me 10 euro.
Dietat për zyrtarët
Pozicioni Ishte Bëhet
Presidenti 100 euro 120 euro
Kryeministri
dhe kryetari i
Kuvendit 80 euro 100 euro
Zv.kryeministri,
nënkryetarët e
Kuvendit,
ministrat 70 euro 80 euro
Zv.ministrat,
sekretarët e
Përgjithshëm të
ministrive 50 euro 60 euro
Drejtorët e
Kabinetit 40 euro 50 euro
ADI SHKEMBI
© Panorama.al












