Qeveria miraton pagën minimale, nga 1 korriku, 20 mijë lekë

Jul 21, 2011 | 9:46

Qytetarët që paguhen me pagë minimale në vend, duke filluar nga ky muaj do të përfitojnë nga vendimi i fundit i qeverisë. Nga 1 korriku, paga minimale do të jetë 20 mijë lekë dhe ky vendim u miratua dje nga qeveria gjatë mbledhjes së radhës ku u dhanë edhe detajet e tjera lidhur me këtë pikë. Në përqindje paga minimale në shkallë vendi rritet me 5.2 për qind krahasuar me pagën aktuale, e cila është 19 mijë lekë. Nga ana tjetër, në vendim përcaktohet edhe paga e atyre që punojnë me kohë të pjesshme apo paga orare. Kështu, për të gjithë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës është parashikuar që paga orare të jetë 115 lekë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet që sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë, të cilat shkojnë mesatarisht në 50 për qind mbi pagën bazë. “Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkojnë mesatarisht në rreth 30 000 lekë në muaj”, thuhet në vendimin e qeverisë. Edhe pse i miratuar dje, vendimi i qeverisë shtrin efektet që nga data një korrik. Ky është një nga vendimet e tjera të rëndësishme që qeveria ka miratuar në mbledhjet e fundit të saj. Pak kohë më parë, ajo miratoi edhe rritjen e pensioneve në vend për fshatin dhe qytetin, edhe pse në një përqindje më të ulët sesa një vit më parë.

19 mije leke
ishte paga minimale e detyruar për t’u zbatuar nga personat fizik dhe juridikë në vend e miratuar vjet me një vendim të qeverisë. Dje kjo e fundit e rriti pagën minimale me 5.2 për qind, duke e çuar atë në 20 mijë lekë

© Panorama.al

Te lidhura