Qeveria merr vendimin/ Shtyn afatin për shqyrtimin e dosjeve të pronave dhe kompensimin për ish-pronarët

Jan 9, 2025 | 13:22

Qeveria shtyn afatin për shqyrtimin e dosjeve të pronave dhe kompensimin për ish-pronarët.

Screenshot_15

Ministri Ulsi Manja tha se qeveria vendosi të shtyjë deri në dhjetor 2027 shqyrtimi i dosjeve, ndërsa afati i kompensimit të ish-pronarëve u shty deri në vitin 2028.

Manja tha se me miratimin e buxhetit 2025, është parashikuar një fond kompensimi për ish-pronarët, deri në vitin 2028.

Manja: Dy lajme të mira për ish-pronarët. Sapo kaluam në mbledhjen e Këshillit të Ministrave një ndryshim në Ligjin 133 të vitit 2015 për përfundimin e proceseve të pronës dhe kompensimin e ish-pronarëve.

Janë dy ndryshime që lidhen me shtyrjen e afatit për ndryshimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Sa i takon shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, afati sipas ligjit mbaronte në dhjetor 2024, por ne kemi vendosur që të ndryshojmë Ligjin 133 të vitit 2015, duke e çuar afatin e vlerësimit dhe shqyrtimit të dosjeve të patrajtuara nga ATP deri në dhjetor të vitit 2027.

Ndërsa, afati i kompensimit në vlerë të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028. Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme sepse, e para, i jep mundësinë ATP-së që të shprehet për mundësinë e trajtimit të 7110 dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve dhe deri në fund të 2028-ës një numër i konsiderueshëm i ish-pronarëve të kompensohen edhe në vlerë financiare. Siç jeni në dijeni nga akti i miratimit të buxhetit për vitin 2025 në afatmesëm kemi parashikuar rreth tre miliardë lekë deri në vitin 2025 për kompensimin e ish-pronarëve, në vitin 2026-2027 është parashikuar 5,3 miliardë lekë dhe për vitin 2028 që është viti i fundit masa do të jetë 7,63 miliardë lekë.

© Panorama.al

Te lidhura