Qeveria mendohet: ‘Targa letre’ edhe për Serbinë

Dec 28, 2011 | 9:11

PRISHTINE- Kosova nuk po e përjashton mundësinë që edhe qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë t’i pajisë me targa të përkohshme prej letre. Këtë ia mundëson edhe Marrëveshja për lëvizje të lirë e arritur më 2 korrik të këtij viti në Bruksel.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë të martën se një vendim të tillë paraprakisht duhet ta marrë Qeveria. Nuk është treguar shumë i prerë, por nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.

“Këtë duhet ta shikojmë tani. Në marrëveshje ekziston një klauzolë që edhe Kosovës i lejohet të marrë masa reciproke. Deri tash nuk ka një vendim të tillë. Nëse merret një vendim i tillë atëherë ajo do të zbatohet”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme për “Kohën Ditore”.

Marrëveshja Kosovë-Serbi, që nuk lejon hyrjen në territorin serb me targa RKS, ia njeh të drejtën edhe Kosovës që të aplikojë reciprocitet  për automjetet me targa të Serbisë edhe pse ato janë lejuar deri tash të hyjnë lirisht në Kosovë. Kjo ndodh pasi elementi i reciprocitetit është i përfshirë në marrëveshje.

Një ditë pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes, ai ka vlerësuar se po zbatohet pa probleme të theksuara. Problemet teknike, sipas tij, po shfaqen, por që në një të ardhme pritet të zgjidhen edhe me ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Ky problem më së shumti mund t’u shfaqet kosovarëve që territorin e Serbisë e shfrytëzojnë për udhëtime në Evropë.

© Panorama.al

Te lidhura