Qeveria i faturon KESH-it 1.1 miliardë lekë për përmbytjet

Dec 7, 2011 | 13:29
Lumi Kir pas reshjeve të djeshme

KESH-it do t’i duhet të paguajë në buxhetin e shtetit një shumë prej rreth 1.1 miliardë lekësh për kompensimin e dëmeve nga përmbytja e vitit të kaluar. Në fakt, Korporata Elektroenergjetike ndodhet në kulmin e krizës financiare, pasi nuk ka burime të mjaftueshme për të importuar energji elektrike. Ministria e Financave ka pranuar që po del garant, duke rritur borxhin për kreditë që KESH duhet të marrë për importin e energjisë. Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e vlerës së kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese nga përmbytjet në qarkun Shkodër në një vlerë prej më shumë se 1.1 miliardë lekësh (rreth 11 milionë USD). Në vendim citohet miratimi i listave të familjeve dhe subjekteve të biznesit të këtij qarku, së bashku me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore dhe në biznese sipas listave të njësive të qeverisjes vendore. “Miratimi i listës së familjeve të qarkut të Shkodrës me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në kultura bujqësore, për bashkinë Shkodër; komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Bërdicë, Ana e Malit, Rrethina, Qendër Koplik, Gur i Zi, Kastrat, Gruemirë dhe të tjera, bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe lista e subjekteve të biznesit të qarkut të Shkodrës, me shumën përkatëse të ndihmës për dëmet në biznese, bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhej në vendimin e Këshillit të Ministrave. Sipas këtij vendimi, fondi i mësipërm të përballohet nga shuma, në të njëjtën vlerë, që do të paguajë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë.
Në fakt, pas një thatësire të tejzgjatur prej rreth 7 muajsh, është kthyer frika e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës. Kanë mjaftuar dy ditë me shi që fshati Kuç, në komunën Guri i Zi, të jetë në qendër të vëmendjes. Reshjet e shiut kanë bërë që prurjet në lumin Kir të rriten në mënyrë të ndjeshme. Fryrja e lumit Kir, duke përfituar edhe nga fakti që argjinatura e këtij lumi në drejtim të fshatit Kuç është tërësisht e shkatërruar, ka bërë që ujërat e këtij lumi të dalin nga shtrati, të përmbytin tokat bujqësore dhe të rrezikojnë seriozisht edhe banesat e këtij fshati. Sipas deklarimeve të drejtuesve të kësaj komune, edhe pse ata kanë ngritur me kohë zërin për pastrimin e shtratit të lumit, si dhe forcimin e argjinaturave të këtij lumi nga ana e fshatit Kuç, asgjë nuk është bërë, ndërkohë që përgjigja e institucioneve shtetërore ka qenë se ato do të bëhen në vitin e ardhshëm. Në këtë situatë, nënkryetari i komunës Guri i Zi, Vitor Hila, bëri fajtore qeverinë, e cila sipas tij, nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar përmbytjet në këtë zonë.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura