Qeveria fsheh vendimin që i jep të drejtë një shoqërie të huaj për të kërkuar hidrokarbure në ujërat territoriale shqiptare. Në Fletoren Zyrtare të ditës së djeshme me nr. 65 është njoftuar hyrja në fuqi e një marrëveshjeje me ndarje prodhimi për kërkimin e hidrokarbureve mes “Albpetrol” dhe shoqërisë “Emanuelle Adriatic Energy Limited”. Por, megjithëse në teksin e vendimit thuhet se marrëveshja i bashkëngjitet këtij akti, ajo nuk është publikuar në këtë Fletore Zyrtare. “Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e marrëveshjes me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në det në Shqipëri, blloqet 2, 3 dhe 4 të Adriatikut, ndërmjet ‘Albpetrol’, sh.a. dhe shoqërisë ‘Emanuelle Adriatic Energy Limited’, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi; ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë. Më 21 mars, Parlamenti miratoi vetëm me votat e maxhorancës ligjin “Për hidrokarburet, kërkim dhe prodhim”, që parashikon privatizimin e vendburimeve të naftës së kompanisë “Albpetrol”. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, është shprehur se me privatizimin e “Albpetrol”-it qeveria e tij kërkon të rrisë eficencën e përdorimit të burimeve energjetike të vendit. Ai tha se është në interesin më të mirë të vendit menaxhimi më eficent, si i burimeve ekzistuese, ashtu edhe i kërkimeve të reja. “E vërteta është se zhvillimet e 5-6 viteve të fundit në fushën e hidrokarbureve kanë dëshmuar se Shqipëria është një vend i lakmueshëm në këtë fushë. Disponojmë fushën Patos-Marinëz. Në këtë fushë, “Bankers Petroleum” përllogarit të ketë 6 miliardë fuçi naftë bruto, e cila me metoda parësore dhe dytësore mund të arrijë gjer në 50 milionë tonë”- është shprehur kreu i Ekzekutivit. Gjatë diskutimit në Parlament, të majtët janë shprehur kundër privatizimit të vendburimeve të naftës dhe gazit, duke i cilësuar ato si procese klienteliste dhe aspak transparente. Sipas deputetëve të majtë, Ministria e Ekonomisë, në relacionet e saj ka vendosur në dispozicion dy lista, “A” dhe “B”, ku do të lejohet kërkimi i vendburimeve të naftës, por amendamenti i deputetit Spaho krijon mundësinë e një liste të tretë “C”, për të cilën ende nuk ka vendndodhjen e zonave ku do të kërkohet nafta. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Sajmir Tahiri, akuzoi qeverinë duke thënë se ky ndryshim që i bëhet ligjit lë hije dyshimi për gërmimet në vijën bregdetare të vendit, kërkesë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ose, i njohur ndryshe, “pakti detar me Greqinë”. “Meqë Kryeministri në të disatën herë na u drejtua ne se e dimë ku fshihet lepuri, tani ne i themi Kryeministrit ta dijë ku fshihet, fshihet te lista e ‘Nasipit’. Në fakt, e kam gjysmë-pyetje dhe gjysmë-koment. A përfshihet ajo pjesë e detit në listën ‘C’, që është hedhur poshtë nga marrëveshja e Gjykatës Kushtetuese për paktin detar me Greqinë? Nuk e di nëse ministri do të japë një përgjigje, por në rast se në listën ‘C’ për hidrokarburet përfshihet dhe një çështje e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e hedhur poshtë, ajo patjetër përbën një skandal”, deklaroi deputeti i PS-së.
Braçe
Deputeti i PS, Erion Braçe, denoncoi dje marrëveshjen me “Albpetrol”. “Megjithëse lista ‘C’ ka dalë në shitje, ndërhyn qeveria dhe shkëput apo autorizon Albpetrolin të hyjë në një marrëveshje për një pjesë të sipërfaqes apo vendburimeve të hamendësuara në listën ‘C’, për t’ia dhënë një kompanie tjetër, jashtë garës, jashtë konkurrencës dhe çdo lloj praktike tjetër transparente”.











