ERMAL FRASHËRI
Në një shkrim të fundit te “Panorama”, “Një tjetër model zhvillimi: shteti zhvillimor”, Blendi Kajsiu diskutonte mbi rolin e shtetit në zhvillimin social-ekonomik. Dua të them që në fillim se jam tërësisht dakord me argumentimin për shtetin zhvillimor. Nga ana teorike dhe politike është propozim i duhur dhe me vend për një shoqëri si e jona. Në kërkimet e mia jam orientuar drejt zgjidhjeve që dalin jashtë klisheve dhe dogmave, dhe ideja e shtetit zhvillimor, aty ku është zbatuar, ka sjellë zhvillim të mbajtshëm dhe afatgjatë. Kam në mënd këtu vendet e Azisë Lindore, të cilat, për një hark kohor 20-vjeçar, u kthyen në vende të industrializuara dhe konkurruese në tregjet globale. Gjithsesi, në këtë shkrim dua të diskutoj mbi një kusht, i cili i bëhet pengesë realizimit të një propozimi të tillë në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që ky model nuk mund të bëhet në vend, përkundrazi, por them se diskutimi i hapur i pengesave sjell si pasojë edhe mundësinë për shmangien e tyre në të ardhmen.
Problemin që e konsideroj si pengesë ka të bëjë me natyrën e qeverisë, e cila është kusht i domosdoshëm që mundëson një shtet të kthehet në shtet zhvillimor. Në këtë sens, trajtimi i karakteristikave të qeverisë duhet bërë ashtu siç është qeveria. Argumenti kryesor që dua të ngre me këtë shkrim është ky, që natyra e qeverisjes dhe qeveritarëve gjatë këtyre, të paktën, 20 vjetëve, si ata që ishin, por edhe më keq akoma këta që janë, e bën pothuajse të pamundur realizimin e modelit të shtetit zhvillimor. Me natyrë të qeverisë kam parasysh këta faktorë: ndërgjegjësimin, vullnetin dhe kapacitetet. Duke qenë se në kontekstin e shtetit zhvillimor, qeverisë i bie të ndryshoje totalisht strukturën ekonomike, atëherë natyra e saj merr një rol vendimtar në realizimin e këtij projekti.
Ndërgjegjësimi. Rilindësit që krijuan projektin e shtetit shqiptar kishin një ide mbi zhvillimin e vendit. Ideja e tyre ishte që Shqipëria i kishte të gjitha burimet e nevojshme që mund ta kthenin vendin drejt industrializimit dhe t’i jepnin atij njëkohësisht orientimin pro-europiano-perëndimor. Duket haptazi fare që qeveritarët e këtyre, të paktën 20 vjetëve, e kanë marrë peng këtë ide dhe projektin e rilindësve. Në vend të përdorimit të burimeve dhe kapitaleve për interesat e zhvillimit, ata kanë bërë sistematikisht vetëm plaçkitjen e tyre. Ky është dhe thelbi i mungesës së ndërgjegjësimit për ta kthyer vendin në një vend të zhvilluar. Dhe vjedhja nuk është bërë vetëm nëpërmjet ryshfeteve. Jo, vjedhja tani bëhet hapur fare me ligje dhe VKM. Duke qenë se nuk mund të dalin hapur e të thonë se duan të vjedhin, qeveritarët fusin në valle koncepte si shteti i së drejtës, të cilin e ngrenë sa herë duan të mbrojnë vjedhjet e tyre, apo më keq akoma, europianizimin e Shqipërisë, duke e kthyer këtë të fundit si në zgjidhje, ashtu edhe në problem. Abuzimi me integrimin europian nga ana e qeveritarëve vendas ndodh në dy drejtime. Nga njëra anë kanë stimuluar idenë se integrimi sjell zhvillimin, duke e kthyer integrimin në BE si zgjidhjen e çdo problemi që kanë shqiptarët, kur njëkohësisht e kanë ditur që anëtarësimi në BE nuk ka për të ardhur shpejt. Pra, në mënyrë të vetëdijshme e kanë shtyrë sa më shumë në kohë zgjidhjen e problemit imediat të shqiptarëve duke hequr përgjegjësinë nga vetja. Në fakt, zhvillimi i një vendi vjen si pasojë e pavarur nga integrimi në një klub të vendeve të zhvilluara. Integrimi dhe zhvillimi, ashtu siç është provuar në disa studime, nuk kanë raportin shkak-pasojë. Me fjalë të tjera, anëtarësimi në BE nuk do ta kthejë Shqipërinë brenda një nate në një vend të zhvilluar. Gjithsesi, projektimi pikërisht i kësaj ideje të pasurimit të vendit si pasojë e anëtarësimit në BE e ka kthyer këtë të fundit në ideologji modernizimi, ose, madje, edhe në dogmë e, si rezultat, edhe në problem. Nga ana tjetër, duke e ditur që integrimi në BE sjell më shumë kontroll mbi vetë qeveritarët, janë munduar të bëjnë gjithfarë akrobacish për të shmangur llogaridhënien si ndaj popullit, po kështu edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Vullneti. Duke qenë se si premisë të qeverisjes kanë pasur pasurimin e shpejtë të tyre, qeveritarët i kanë mëshuar me forcë ngritjes së bizneseve që sigurojnë xhirimin e të ardhurave të jashtëligjshme. Kjo në vetvete përforcon atë ide që qeveritarët as e kanë ndonjëherë interesin për të bërë investime afatgjata për ristrukturimin e ekonomisë vendase, për ta kthyer atë ose në ekonomi që mbështet prodhim e konsumin vendas, ose në ekonomi eksportuese. Për ta ilustruar këtë argument po marr si shembull vetëm dy nga sektorët më abuzivë të shoqërisë, që natyrisht, janë në epiqendrën e vëmendjes qeveritare. Njëri është turizmi dhe tjetri është projekti që do t’i lërë vend përpunimit të plehrave të botës në Shqipëri. Në një shkrim të mëparshëm, “Mësimet që nxjerrim nga krizat”, në dhjetor të 2009-s te “Panorama”, kam provuar se ideja e përdorimit të turizmit si motor zhvillimi është false, është thjesht një mit që përdoret për t’u hedhur hi në sy shqiptarëve. Boll të shohësh masakrën urbane në qytete si Durrësi dhe Vlora për të menduar dy herë për dobishmërinë e turizmit si motor që gjoja do t’u sjellë prosperitet të gjithë shqiptarëve. Nga ana tjetër, më paradoksal, por edhe më kriminal për nga synimet, është projekti që po prezantohet nga qeveria e po mbrohet nga ministra si Olldashi për importimin e plehrave. Paradoksal në sensin që nga njs ans tërhiqet vëmendja drejt turizmit e, nga ana tjetër, i lihet vend importimit të plehrave të të gjithë botës mu në mes të një vendi të vogël si Shqipëria. Kriminal në sensin që po i lihet vend i hapur fare mafies të pushtojë shtetin shqiptar. Olldashi, para se të bëjë avokatin mbrojtës të plehrave e të tundë si dokumente shtetërore ato palo shkresa që firmos vetë, është mirë të japë hesap për lidhjet e qeverisë me mafien. Të gjithë e dinë që kjo palo administratë as kastravecët nuk kontrollon dot, e jo më të jetë e aftë t’i bëjë kontroll mafies. Edhe kjo e fundit, vetëm po të supozojmë se vërtet zyrtarët kanë qëllim parandalimin e futjeve të mbetjeve helmuese. Nga ky projekt i qeverisë aktuale, qytete historike si për shembull Vlora, Elbasani e Gjirokastra, do të katandisen në vend-grumbullime plehrash. Nuk do shumë mend të kuptosh se këta qeveritarë, vullnetin nuk e kanë për të ndërtuar e zhvilluar Shqipërinë, përkundrazi, për ta vullneti është vetëm për të shkatërruar shtetin shqiptar dhe për të përfituar maksimalisht prej këtij shkatërrimi për xhepat e tyre.
Kapacitetet. Siç përmenda edhe më lart, një nga detyrat e shtetit zhvillimor është të ristrukturojë ekonominë duke e kthyer atë ose në një ekonomi që nxit prodhimin vendas e po ashtu konsumin bazuar mbi këtë prodhim, ose e orienton ekonominë drejt eksporteve. Mirëpo, të bësh këtë ndërmarrje kaq të madhe, duhen në radhë të parë kapacitete perfekte të shtetit, d.m.th. administrata shtetërore duhet të jetë në kulmin e aftësisë të saj, e superkualifikuar. Le të marrim dy aspekte që ilustrojnë sa dobët është kjo administratë. Një shtet i fortë kërkon një administratë kompetente. Gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, por sidomos në këto gjashtë vitet e fundit, administrata ka qenë thelbësisht e paaftë për t’u bërë ballë problemeve të qytetarëve dhe fenomeneve sociale. Rëndom haset rasti kur njeriu shkon në zyrat e shtetit dhe nuk arrin të zgjidhë gjë nga indiferenca, paaftësia a korrupsioni i zyrtarëve. Me dijeni të plotë qeveritarët kanë shkërmoqur administratën duke kalcifikuar një sistem punësimi që ka për bazë luajalitetin ndaj partisë, e jo ndaj shtetit. Çdo gjë mund të kërkosh në administratën shqiptare, por vetëm aftësi që nuk gjen dot. Në biseda që kam pasur me ish-kolegë të mi që tani janë katapultuar në pozicione të larta shtetërore, jam shtangur nga besnikëria e tyre e verbër ndaj partisë në pushtet. Kuptohet që në këtë rast nuk ka më vend të flasësh se çfarë mendimi të pavarur a vizion mund të kenë zyrtarët. Po të dëgjosh se si flasin qeveritarët, të vjen për të ulëritur nga cektësia e mendimit të tyre, për të mos thënë nga injoranca e plotë që i karakterizon. Edhe kur përdorin gjoja argumentime të huazuara nga teori të ekonomisë ose të së drejtës, ato ide që përmendin kanë të paktën nja 30 vjet që nuk i përdor më njeri në botë. Për më tepër, gënjejnë veten keq kur mendojnë se po ia hedhin popullit edhe partnerëve ndërkombëtarë duke përdorur retorikën e tyre kundër tyre. Një aspekt i dytë ka të bëjë me gjendjen financiare të shtetit. Nga njëra anë, nuk ka tashmë asnjë dyshim se qeveria nuk ka më mundësi të marrë kredi dhe se gjendja e financave publike është për të qarë hallin. Nga ana tjetër, projekte zhvilluese të shtetit zhvillimor kërkojnë burime financiare të konsiderueshme për të mbështetur si bankat e zhvillimit, po ashtu edhe industri të caktuara. Një qeverie të re i duhet të forcojë financat publike për t’i kthyer ato në një gjendje të shëndetshme. E gjithë kjo tablo mbi natyrën e qeverisë dhe qeveritarëve nuk ka si synim për të na demotivuar, përkundrazi. Shteti zhvillimor i duhet Shqipërisë dhe duhet të jetë modeli i qeverisjes të së nesërmes. Për të bërë të mundur këtë, do të na duhet të shporrim horrat që kanë marrë peng shtetin e shqiptarëve.











