Qeveria: Borxhi, mbi 5 miliardë euro

Nov 15, 2011 | 8:51

Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miraton në parim vetëm me votat e maxhorancës projektbuxhetin e vitit 2012. Peza: Bashkia e Kavajës e PS ka 32% më pak grant nga buxheti

Ishte deputeti socialist Pandeli Majko, i cili duke u nisur nga situata financiare në Greqi dhe Itali, kërkoi të njihej në terma absolutë për borxhin që Shqipëria mbart prej vitesh. Deputeti socialist Majko pyeti gjithashtu dhe se sa është kësti që Shqipëria duhet të paguajë gjatë vitit të ardhshëm për këtë borxh. Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave tha se Shqipëria do të paguajë 370 milionë euro për shlyerjen e borxhit gjatë 2012-s. “Deficiti i buxhetit do të vazhdojë të financohet nga burime të brendshme dhe të huaja. Në këtë buxhet nuk janë parashikuar të ardhura nga privatizimet, siç bëhet zakonisht. Nëse ndonjë objekt strategjik do të privatizohet, ai do të bëhet pjesë e buxhetit duke u përdorur një pjesë për uljen e borxhit publik dhe një pjesë për investimet”, u shpreh Dhëmbi. Ndërsa deputeti socialisti i qarkut të Tiranës, Dashamir Peza, akuzoi qeverinë se po diferencon në trajtimin me fonde njësitë vendore të fituara nga socialistët. Duke sjellë në vëmendje Bashkinë e Kavajës, e cila u fitua më 8 maj pas shumë vitesh nga PS, Peza tha se granti i pakushtëzuar nga buxheti i shtetit është 32% më i ulët se një vit më parë kur drejtohej nga Partia Demokratike. Deputeti socialist, Bashkim Fino, e ka cilësuar të paligjshëm përcaktimin që bëhet në nenet e buxhetit të shtetit të grantit të pakushtëzuar, duke i diktuar pushtetit vendor se si duhet ta përdorë atë. “Ka një diskriminim për pushtetin vendor, bashkitë e mëdha, të cilat i ka fituar opozita, po diskriminohen. Në nenin 15, ku keni kushtëzuar dispozitat tuaja për njësitë vendore për përdorimin e transfertës së pakushtëzuar, pra ju keni vënë përqindje se si do të përdoret kjo transfertë qoftë për shpenzime të administratës, qoftë për pastrim e rregullim”, u shpreh Fino. Ndërsa drejtoresha e Buxhetit u shpreh se ky nen është miratuar një vit më parë dhe ndihmon pushtetin vendor të realizojë më shumë investime sesa punësime në administratë. “Kjo pikë është diskutuar dhe vendosur që në buxhetin e 2011-s dhe filozofia ishte që meqë i gjithë shteti bën reformë administrative, edhe pushteti lokal duhet t’i nënshtrohej këtij koncepti dhe objektivi që më shumë fonde të përdoreshin më shumë për investime, sesa për rroga dhe punësime. Sivjet është shtuar dhe fakti i ri që një pjesë e transfertës së pakushtëzuar do të përdoret për pemëtari dhe gjelbërim. Ky është prioritet i këtij viti dhe kjo duhet përqafuar dhe nga pushteti lokal”, u shpreh Dhëmbi.

Debatet në Komisionin e Ligjeve
Borxhi

Pandeli Majko: Dy fqinjët tanë më të afërt, Italia dhe Greqia, janë duke bashkëpunuar me FMN-në për borxhin. Sa është borxhi i Shqipërisë në terma absolutë në euro?
Mimoza Dhëmbi: Në fund të vitit 2011 do të jetë 781.8 miliardë lekë. Në euro, mbi 5 miliardë euro.
Pandeli Majko: Sa janë interesat që ne do të paguajmë për këtë borxh në vitin 2012.
Mimoza Dhëmbi: Interesat 49.6 miliardë lekë, ose 370 milionë euro.
Pushteti vendor
Bashkim Fino: Ka një diskriminim për pushtetin vendor. Bashkitë e mëdha, të cilat i ka fituar opozita, po diskriminohen. Në nenin 15, ku keni kushtëzuar dispozitat tuaja për njësitë vendore për përdorimin e transfertës së pakushtëzuar; pra ju keni vënë përqindje se si do të përdoret kjo transfertë qoftë për shpenzime të administratës, qoftë për pastrim rregullim.
Mimoza Dhëmbi: Kjo pikë është diskutuar dhe vendosur që në buxhetin e 2011-s dhe filozofia ishte që meqë i gjithë shteti bën reformë administrative, edhe pushteti lokal duhet t’i nënshtrohej këtij koncepti dhe objektivi që më shumë fonde të përdoreshin më shumë për investime, sesa për rroga dhe punësime. Sivjet është shtuar dhe fakti i ri që një pjesë e transfertës së pakushtëzuar do të përdoret për pemëtari dhe gjelbërim. Ky është prioritet i këtij viti dhe kjo duhet përqafuar dhe nga pushteti lokal.
FMN
Bashkim Fino: A është konsultuar qeveria me institucionet ndërkombëtare me të cilat ne asistohemi dhe me mbështetje fondesh?
Mimoza Dhëmbi: Në fakt, ka një konsultim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare, por nuk ka një detyrim apo marrëveshje që duhet zbatuar. Ne jemi konsultuar dhe me FMN-në. Ata ishin para ca kohësh këtu, ata kanë parashikimet e tyre, ne kemi tonat. Ka pika që nuk bashkohemi. Parashikimet e FMN-së janë tepër konservative, ndërsa parashikimet tona janë më afër asaj reales që është realizuar.
Investimet
Bashkim Fino: A janë të mbështetura financiarisht nga të ardhurat projektet madhore si rruga Tiranë-Elbasan? Ç’mund të na thoni se nuk shoh gjë në buxhet?
Mimoza Dhëmbi: Tuneli Tiranë-Elbasan është i mbuluar nga financim i huaj, është një kredi e Bankës Islamike.
Bashkim Fino: Në buxhetin e 2012-s kjo qeveri nuk do ndërtojë asnjë pallat për të pastrehët. Sa janë parashikuar nga qeveria?
Mimoza Dhëmbi: Është parashikuar tek Urbanistika një fond 1.2 miliardë lekë për strehim.
Dëmshpërblimet
Shega Ligori: Çfarë fondesh janë përcaktuar për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit?
Mimoza Dhëmbi: Pjesa më e madhe e fondit të kompensimit të ish-pronarëve financohet nga të ardhurat që sigurohen nga procesi i legalizimit dhe një pjesë më e vogël nga buxheti i shtetit. Buxheti ka parashikuar rreth 1.7 miliardë lekë për ish-pronarët. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.7 miliardë lekësh.

Rusmali ironizon socialistët
Deputeti socialist, Dasha-mir Peza, i kërkoi përfaqësueses së qeverisë nëse është parashikuar fond për Gjykatën Administrative. “Qeveria e ka pasur prioritet ngritjen e Gjykatës Administrative. Si është parashikuar ajo në buxhet?”, pyeti Peza. Ndërsa drejtoresha e Buxhetit u shpreh se është parashikuar një fond për ngritjen e Dhomës Administrative sa për të nisur nga puna për sa kohë që nuk është miratuar ligji. Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, ironizoi socialistët duke thënë: “Ore, këta Gjykatën nuk e miratojnë, ndërsa fondin për Gjykatën Administrative e kërkojnë. Habi e madhe. Për tre vjet na kanë nxjerrë ujin e zi, sot duan fondin”. “Fondin e duam ne sepse duhet ngritur godina, pastaj të fillojë puna”, iu përgjigj deputetja Ligori.

Harasani, debat me drejtorët e BSH: Nuk dini as ligjin tuaj
Deputetët e opozitës dhe të maxhorancës kanë dhënë në unanimitet votën “pro” ndryshimeve në ligjin për bankat, i cili vjen në një moment kur vendet fqinje janë në pasiguri totale. Kriza në eurozonë është parë si një motiv më shumë për të përshpejtuar miratimin e këtij ligji, i cili i mbron bankat nga risqet që mund të kanosen. Për herë të parë futen në qarkullim “bankat urë”, të cilat do të jenë institucione financiare që do të administrojnë asetet e një banke nëse ajo nuk është më e aftë që ta bëjë këtë. Relatori i projektligjit, Selami Xhepa, u shpreh se projektligji garanton një kontroll më të mirë të depozitave dhe kredisë si dhe kontrollin ndaj risqeve sistemike. Ndryshimet nga deputetët e të dyja palëve u konsideruan si të domosdoshme për të garantuar stabilitet të sektorit. Nga deputetja Mimi Kodheli u kërkua të dihej nëse lidhur me projektligjin është marrë mendimi i bankave, çka nga përfaqësuesit e BSH-së u komentua se kanë qenë një pjesë e mirë e këtyre bankave që kanë ngritur herë pas here probleme, të cilat rregullohen përmes ndryshimeve të fundit në ligj. Por, debati në Komision nuk ishte dhe aq “paqësor” kur vjen fjala për projektligjin. Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, u impenjua për më shumë se gjysmë ore për të debatuar mbi konceptin e e-money, të cilën tre përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë, edhe pse u munduan ta shpjegonin, nuk arritën ta bënin dot. Mes nervozizmit asnjëri prej tyre nuk arriti të jepte një përgjigje që ta bindte deputetin socialist lidhur me ndryshimet mes e-payment dhe e-money, si dhe me direktivat që përcaktojnë këtë të fundit. “Nuk e ka implementuar asnjë vend. Ose ju këtu në ligj e keni për e-payment dhe nëse e keni për atë, hajde të diskutojmë ose nëse e keni për e-money, jeni komplet out (jashtë)”, tha Harasani. Projektligji u miratua në parim dhe opozita dha votën e saj, por për gjithë ndryshimet me përjashtim të pjesës mbi e-money, për të cilën u komentua se Shqipëria nuk ka ende infrastrukturën e duhur dhe as ndonjë emergjencë për ta zbatuar.
Aristir LUMNEZI

© Panorama.al

Te lidhura