Qeveria, borxhi arrin 158 milionë USD

May 19, 2011 | 9:56

Shpenzimet e mëdha të qeverisë në investimet publike, të nxitura edhe nga viti elektoral, e kanë çuar deficitin buxhetor në nivelin 158 milionë dollarë në katër muajt e parë.Ky nivel borxhi konsiderohet i lartë krahasuar me një vit më parë, kur deficiti në katërmujorin janar-prill ishte vetëm 12 milionë dollarë. Treguesit fiskalë të buxhetit, të publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë së pavarësisht se të ardhurat janë realizuar sipas planit, shpenzimet kanë ecur me një rritëm të madh, duke krijuar edhe këtë nivel deficiti. Gjithsesi, parë nga një këndvështrim tjetër, duket se për qeverinë gjithçka ka ecur sipas planit. Nëse në buxhet ajo ka parashikuar një deficit prej 468 milionë dollarësh për gjithë vitin, për çdo katërmujor i takon që mesatarisht deficiti të rritet me 150 milionë dollarë. Ajo që vihet re këtë vit në financimin e borxhit është fakti që ka ndryshuar struktura e financimit. Nëse gjatë 2010-s, në katërmujorin e parë, qeveria zgjodhi që të financonte deficitin e saj jashtë vendit, në shumicën e tij këtë vit financimi po bëhet nga bankat vendase. Kjo në fakt vjen e nxitur edhe për faktin që për shkak të kërkesës së ulët për kreditim në vend, bankat kanë mundësi që t’i japin kredi qeverisë. Në shifra, struktura e financimit të deficitit këtë vit është 139 milionë dollarë të marra nga bankat e nivelit të dytë në vend dhe 19 milionë dollarë të financuara nga jashtë. Për vitin 2010, nga totali prej 12 milionë dollarësh për katërmujorin janar-prill, rreth 9 milionë dollarë janë marrë në tregjet e huaja, kurse 3 milionë dollarë nga bankat vendase.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Në treguesit fiskalë të buxhetit vihet re një ecuri e mirë e të ardhurave. Për katërmujorin e parë të këtij viti janë derdhur në arkën e shtetit 103.6 miliardë lekë nga 362 miliardë të parashikuara për gjithë vitin. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë qenë në nivelin e 70 miliardë lekëve. Nga TVSH-ja janë realizuar 38.4 miliardë lekë të ardhura, kurse nga akcizat 10.3 miliardë lekë. Sipas të njëjtëve tregues, të ardhurat nga pushteti vendor janë në nivelin 4.8 miliardë lekë. Ndërkohë, në kahun tjetër të buxhetit, kahun e shpenzimeve, duket se fushata elektorale ka bërë punën e vet sa u përket investimeve. Vetëm për katërmujorin e parë shpenzimet kanë kapur vlerën 190 milionë dollarëve, nga të cilat vetëm për shpenzimet kapitale vlera është 24 miliardë lekë, ndërkohë që pjesën tjetër të madhe të shpenzimeve e zënë ato korrente, me 94.7 miliardë lekë. Shpenzimet për buxhetin vendor në katërmujorin e parë të këtij viti zënë nivelin 9.7 miliardë lekë.

12 milione usd
ishte deficiti buxhetor në katërmujorin e parë të vitit të kaluar. Shumica e këtij deficiti, në nivelin 9 milionë dollarë, u financua jashtë, ndërsa vetëm 3 milionë dollarë në tregun e brendshëm

158 milione usd
është deficiti buxhetor për katërmujorin e parë 2011, sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave. Deri në fund të vitit, deficiti është parashikuar të jetë në nivelin 468 milionë dollarë

Treguesit fiskale te buxhetit

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura