QETSOR FERUNAJ: Fituesi i “Vip Shpija” ishte një djalë gay që kishte frikë të deklarohej

May 21, 2011 | 13:33

Ai ka sharmin e protagonistit, përderisa pas mbylljes së show-t “Vip Shpija” në Kosovë, gjithë stafi i këtij “reality” kanë udhëtuar drejt Vlorës, për të festuar mbylljen e spektaklit në hotelin e tij në Orikum. Janë organizuar bashkë, njësoj siç ndodhi dy vite më parë, kur gjithë stafi i “Top Channel” e festoi fitoren e tij të “Big Brother 2” në Vlorë. Por, kësaj here, Qetsori ishte një humbës shumë pranë fitores, siç preferon ta cilësojë bilancin e kësaj loje, një ndjesi që thotë se i ka bërë shumë mirë për egon. Hera e dytë e tij në një show ku protagonistët vënë në lojë veten dhe jetën e tyre, tregon për fansat e rinj që bëri për vete në Kosovë dhe planin për të nisur një karrierë atje.
“Vip Shpija 2” tashmë ka përfunduar dhe ka shpallur një fitues, që është këngëtari kosovar, Ardit Stafaj. U ndjeve i zhgënjyer, si e përjetove pozicionin e humbësit?
Nuk u zhgënjeva aspak nga kjo humbje, përkundrazi u kënaqa jashtë mase, sepse më bëri mirë për veten time ndjesia e të qenit humbës.
Në rregull, por ndryshe nga gjithë konkurrentët e tjerë, t’i hyre me një ambicie të hapur për të fituar… Ishe i bindur vërtet?
Në fakt, e bëra me qëllim, pasi duke pasur parasysh faktin që gjithë personazhet konkurrentë ishin VIP, vendosa të hyj me një armë sigurie në lojë, thjesht për të ushtruar paksa trysni ndaj tyre, pra kisha shumë qejf t’i bëja të ndiheshin disi të kërcënuar nga unë. Por theksoj që, edhe pse nuk e fitova unë “Vip Shpija 2”, në të vërtetë i jam afruar shumë fitores.
Pse mendon se nuk fitove ashtu si në “Big Brother 2”? Ku mund të kesh gabuar apo mund të mes jesh shfaqur aq interesant?
Ndoshta nuk jam më aq i mirë sa kam qenë në “Big Brother” ose kosovaret kërkonin një tjetër personazh VIP për shijet e tyre. Nuk e di, mund të ketë shumë arsye që i di vetëm publiku, varet si jam shfaqur në sytë e tyre.
Aq i sigurt u shfaqe, sa para se të hyje në lojë nxorre në shitje shtëpinë që do të jepej si trofe për fituesin?
Unë shquhem për vetëbesim, por në këtë rast unë e thashë dhe në lojë, që çmimin nuk do e merrja për vete, por do e dhuroja për bamirësi, për familje kosovare të dëmtuara gjatë luftës.
Ishe dakord me fituesin dhe për cilin prej konkurrentëve bëje tifo, përveç vetes?
Unë me fituesin pata disa përplasje, ndërsa e cilësova “gay” apo e thellova më tej këtë debat në lidhje me prirjet e tij seksuale, ndërsa i thosha se: ”Gay në fakt është Elton John, ti je shumë poshtë për t’u krahasuar me të”. Ai më kundërshtonte dhe e mohonte këtë fakt, megjithatë ç’rëndësi kanë këto tashmë. Arditi është djalë i mirë, profesor muzike dhe vjen nga një familje artistësh. Por unë s’do preferoja Arditin fitues. Unë personalisht bëra tifo për rockerin Xuxi dhe nëse do ishte për mua, do kisha dëshirë që çmimin ta merrte ai.
Tashmë që je kthyer në Vlorë, çfarë mendon se ke humbur këto kohë që ishe tek “VIPShpija?
Humba mospraninë time në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 8 majit, që ishte gabim nga ana ime. Mendoj se do kishte qenë më mirë t’i qëndroja afër mikut tim që kandidonte për kryetar bashkie, por unë e kisha mbyllur kontratën kur u shpall kandidatura e tij. Madje, para zgjedhjeve u solla disa herë pak çuditshëm, duke ngacmuar banorët, me qëllim që të më penalizonin dhe të më nxirrnin nga shtëpia e të bashkohesha me fushatën, por çuditërisht producentët s’më nxorën që s’ më nxorën.
Ndërkohë që shumë nga banoret ishin femra VIP, si t’u duk bashkëjetesa me to?
Me femrat? Të tregohem i sinqertë, asnjërën prej tyre nuk e njihja prej ekranit. Edhe Ingrid Gjonin që e kisha parë ndonjëherë, në realitet m’u duk krejt ndryshe nga ajo që kisha pare unë në ekran. Por do të thosha që Ingridi ishte tip, Zajmina po ashtu m’u duk vajzë interesante, Albërie Hadërgjonaj ishte shumë e kompletuar si femër, Rovena Stefa s’më la ndonjë shije të keqe, ndërsa Bertina më pëlqeu, ishte vajzë e mirë.
Cila prej tyre nuk kishte komplekse për t’u veshur thjesht dhe pa grim në shtëpi?
Zajmina, Ingridi, dhe Albëria ishin origjinale, komode, pa ekzagjerime në veshje e grim, me një look normal për të qëndruar rehat në një shtëpi.
Ndoshta të tingëllon si e tepërt kjo pyetje për statusin e të martuarit që ke, por cila prej femrave në lojë të joshi vërtet?
Hmmm. Unë tashmë i kam ngritur muret e jetës sime dhe nuk dëshiroj të ngre mure të reja. (qesh) Por, kur  je në garë, s’mendon për joshje, pastaj në këtë pozicion që jam, nuk kam asnjë arsye për t’u përfshirë në emocione të kota për këto që po më thoni.
Do e provoje përsëri në lojë të tillë “reality show”, mund të ketë një herë të tretë?
Pse jo, më duket eksperiencë shumë interesante dhe tashmë jam mësuar të bëj një lojë të tillë. Për më tepër, të jetoj i rrethuar nga kamerat, më shijon dhe intrigon shumë.
Por që të marrësh pjesë në një show të tillë, duhet të largohesh nga familja. Ke pasur konflikte me bashkëshorten?
Njerëz jemi edhe konflikte kemi pasur, edhe në rastin për të marrë një vendim si ky. Por, si përfundim, ramë dakord të dy që unë të merrja pjesë në këtë lojë.
Pas një ekperience të tillë, cilat do të jenë lidhjet e tua me Kosovën?
Pas mbylljes së spektaklit, unë nuk i lashë kohë vetes që të merrja opinionet e kosovarëve, pasi direkt vendosa të kthehesha në Vlorë, për të takuar pas 40 ditësh mungese familjen dhe, për më tepër, dy fëmijët e mi. Producentët më thanë që shumë gazetarë donin të më intervistonin dhe shumë fansa kishin shprehur dëshirën të më takonin. Me sa duket, jam bërë i njohur atje. Megjithatë, për sa i përket pyetjes suaj, lidhjet e mia me Kosovën ka shumë mundësi që të fillojnë pikërisht tani. Shumë shpejt do të udhëtoj drejt Prishinës për çështje pune dhe, nëse bie dakord, pas kësaj mund të zhvendosem të jetoj atje për ca kohë.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura