Eshtë e vështirë të ruash qetësinë kur numërohen votat në Shqipëri. Qetësia e vetme në gjithë këto vitet e fundit ka qenë dita e heshtjes zgjedhore dhe ajo e votimit. Pra, ditët kur një herë e ka fjalën media, e ditën tjetër publiku. Me të shkuar ora 00:00, pas datës së votimit, ndizen gjakrat dhe tensionohet situata në vend. E njëjta gjë po ndodh teksa numërohen votat e shqiptarëve, që morën mundimin të mbajnë radhët e gjata më 8 maj. Votimi qytetar, maturia dhe qetësia me të cilën identifikuan veten votuesit nuk është më risi. E njëjta sjellje qytetare për t’u admiruar ndodhi edhe në 2009-n. E, po si atëherë, ajo që gabon është politika.
Që ditën e parë të numërimit, nëse kishte luhatje në diferencën mes kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, socialistët filluan të ngrinin zërin nga KQZ-ja e tyre provizore, prej së cilës raportonin me ton të ashpër e zë të lartë, sikur gjithkush që dëgjonte të ishte i shurdhër. Nëse ka një element që e shëmton Partinë Socialiste publikisht, është pikërisht mënyra me të cilën ligjërojnë disa nga anëtarët e saj. E, pak më shumë, imazhi i frikshëm e tensionues që i jep vetes kjo forcë politike kur është në humbje.
E, akoma më keq, momenti më i pakëndshëm, më kritik, më i ulët dhe më i papërgjegjshëm që bëri selia rozë në momentin e dobët, kur kandidati i saj doli në disavantazh, ishte thirrja publike që iu bë masës “për të mbrojtur votën e lirë”. Publikisht e pafalshme! Si e mbron masa votën? Pse duhen rrethuar shkollat e shndërruara në qendra numërimi? Pse të shpërfillen aq hapur institucionet dhe ligjet e vendit, që miratohen bashkë me votën e këtyre socialistëve, që iu paska hyrë frika se votat që mori Lulzim Basha në Njësinë 10 nuk e paskëshin shumë të qartë vulën nga pas fletës së votimit?
Ngërçi artificial që Partia Socialiste krijoi pasditen e së martës në KZAZ-në Nr. 54, në Tiranë (Njësia Bashkiake Nr. 10), nuk ishte aq e shëmtuar sa zvarritja e pakuptimtë që krijuan komisionerët e djathtë në Njësinë Nr. 5. Jo. Ishte shumë më e shëmtuar.
Po ashtu, kapërcimi i portës prej hekuri prej një deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që për momentin përfaqëson të majtën, ishte një nga shfaqjet më të turpshme të kësaj periudhe zgjedhore. Ashtu siç ishte e gjithë situata artificiale për të penguar numërimin e votave në të dyja njësitë e sipërpërmendura. Zëvendësimi i vazhdueshëm i komisionerëve të saj, pretendimet për “lodhje” të numëruesve, taktikat fëminore e deklaratat histerike që disa prej përfaqësuesve të saj bënë gjatë pseudo-strategjisë për të vonuar numërimin në KZAT-të ku ishte në avantazh kundërshtari, e bëjnë të frikshme imazhin e kësaj force politike kur është në pozita inferiore. A ka vend për sjellje të tilla?
Në çdo pikë ku numërohen votat, përveç komisionerëve, ka edhe vëzhgues vendas e të huaj, partiakë e jopartiakë. Ka edhe kamera. Jo gazetarë. Ka kamera në çdo pikë ku numërohet në Tiranë. Ndaj, frika artificiale e vjedhjes se fletëve të votimit nuk është qesharake; është nervozuese dhe e ndëshkueshme.
Vendimi i pamoralshëm i Partisë Socialistë për të bërë thirrje grumbullimi për këta njerëz të lodhur e të abuzuar deri në palcë nga politika, ishte më i trishti i momenteve zgjedhore. Më i frikshmi gjithashtu. Tensionimi me çdo kusht i situatës, ndihmuar edhe prej mediave e njerëzve të caktuar të saj, nuk e ndihmojnë aspak situatën paszgjedhore.
Nëse palët, siç shprehen, kanë besim të verbër te votëbesimi i popullit, është mirë që ta respektojnë durimin e tij. Presionet, gjoja, psikologjike që u krijuakan me lojërat e numrit të kutive që vijnë nga qytete, komuna, bashki, minibashki, apo edhe pallate që qenkan të ndara me bastione, janë të pafalshme dhe fyejnë rëndë dinjitetin dhe durimin e shqiptarëve, votues ose jo.
Që PD-ja në opozitë ka qenë arrogante, e pakuptimtë, e pabindur, kashtë e thatë fare qytetarie, këtë e dimë. Por kemi filluar ta harrojmë. Për dy arsye; e para, nga bindja që ka treguar ndaj këshilltarëve për bërjen e fushatës risi dhe të sjelljes publike paszgjedhore. E dyta, sepse flamurin e kashtës politike e ka marrë PS-ja, që jo vetëm merr flakë sa dëgjon fjalën zjarr, por shkrumbon gjithçka nëse sheh veten të afrohet pranë tij.
Dominimi politik dhe përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, veçanërisht kur këto duar akoma nuk janë larë nga shumë ngjarje, është i dëmshëm në politikë, shumë i dëmshëm. Por edhe alternativa që ngelet, me thirrje masash për të mbrojtur votën, me histerizma artificialë e me papërgjegjshmëri të tejskajshme politike, është gjithaq e rrezikshme.
Shqiptarët, të mbetur pa alternativa bindëse, nuk kanë votuar pro kandidatëve në këto zgjedhje; kanë votuar kundër kandidatit që nuk duan të shohin në krye të qeverisjes së tyre vendore. Ndaj kemi disa pseudofitues, që në shenjën më të parë të humbjes tjetërsohen e harrojnë të kuptojnë edhe lojën e tyre të ulët politike.
Qëndrimi kokë më kokë për numrin e votave në shumë njësi vendore në vend, ka qenë zhvillimi më pozitiv i këtyre zgjedhjeve. Shqipëria nuk ka bastione. As ta jep më votën thjesht sepse vjen nga një parti e caktuar. As të ndëshkon më prerazi për të njëjtën arsye. Këto votime treguan se çdo kandidat duhet të punojë fort që të meritojë votën e hedhur me aq maturi. Po në vend që shembullin ta japë politika, atë e jep populli. E ç’merr si shpërblim? Thirrje të pafalshme për tensionim të situatave që mezi presim t’i tejkalojmë.
Prapë do të ngelim në klasë për standardet, e prapë për të njëjtat arsye, që shkaktohen vetëm nga politika. Gabim kush luan me durimin e votuesit. Gabim edhe kush i nxit tensionet që prishin të gjithë ekuilibrat e jetën e tij. Asnjëra palë nuk duhet t’i gëzohet asnjë fitoreje, por thjesht të bëjë llogaritë mirë për votat që ka humbur. E, në vend që të mobilizojë e acarojë masat, më mirë të respektojë veprimin e tyre të së dielës, të nxitë numërimin e të përshpejtojë në rrugëtimin për ato të shkreta standarde, që prishen pikërisht për shkak të thirrjeve si ajo e pafalshmja që na lëshoi të martën pasdite Partia Socialiste. Shumë keq.
© Panorama.al












