Qeset plastike dhe ambalazhe të tjera të këtij lloji do të shiten me lekë në të gjitha supermarketet apo pikat e tjera tregtare. Praktika europiane tashmë do të hyjë edhe në Shqipëri.Për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve nga plastikat, kjo masë është parë e nevojshme për të reduktuar përdorimin e tyre. Ministria e Mjedisit ka gati draftin, të cilin pritet ta dorëzojë shumë shpejt në qeveri. Po kështu, në vendin tonë vitin që vjen nuk do të lejohen më të prodhohen dhe tregtohen qese plastike, të cilat nuk janë të biodegradueshme, pra që kanë përmbajtje të tillë që shpërbëhen dhe dekompozohen nga bakteret ose me mënyra të tjera biologjike. “Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit”, thuhet në draft. Sipas tij, prodhuesit e materialeve të ambalazheve, në zbatim të programeve kombëtare, rajonale e vendore për parandalimin e mbetjeve, hartojnë programet e tyre specifike për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve. “Prodhuesit e ambalazheve, të materialeve të ambalazheve dhe të mallrave të ambalazhuara prodhojnë ambalazhe dhe materiale ambalazhesh apo tregtojnë ambalazhe, me kusht që shuma e niveleve të përqendrimit të plumbit, kadmiumit, mërkurit ose kromit hekzavalent të pranishëm në ambalazh apo pjesë të ambalazhit, nuk kapërcehet”, thuhet në draft. Ministria ka përcaktuar edhe sa do të jenë këto nivele. Po kështu janë vendosur edhe normat e riciklimit si detyrim për prodhuesit. “Çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhues, që ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të rikuperojë dhe riciklojë minimalisht sasitë e mëposhtme të ambalazheve dhe mbetjeve nga ambalazhet brenda kufijve, gjithashtu rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 50-65 % të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara. Po kështu, riciklon 25-45 % të totalit të peshës të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit, dhe të paktën 15 % të peshës për secilin material në veçanti”, kanë vendosur specialistët.
Parandalimi i gjenerimit të mbetjeve
Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit.
.Prodhuesit e materialeve të ambalazheve dhe ambalazheve, në zbatim të programeve kombëtare, rajonale e vendore për parandalimin e mbetjeve, hartojnë programet e tyre specifike për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve.
Do të ndalohen
Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohet prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë;
.Mbas datës 1 shtator 2012, ndalohet importimi i qeseve të plastikes të pabiodegradueshme;
.Mbas datës 1 janar 2013, ndalohet përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare.
.Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake.
ZIRINA LLAMBRO











