Qëlloi kandidatin e PD në Dajt, lihet i lirë autori

Apr 4, 2011 | 13:22

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Ylli Hidrin, i akuzuar për plagosjen e kandidatit të PD për komunën e Dajtit, Besim Kuka. Vendimi është marrë në seancën e sotme në ngarkim të Hidrit, ku trupi gjykues, duke e cilësuar të paligjshëm arrestimin, ka vendosur që ai të hetohet në gjendje të lirë.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi mbremjen e 1 prillit, kur kandidati demokrat për komunën e Dajtit, Besim Kuka, rrezikoi jetën pas një incidenti që ka pasur, menjëherë sapo ka dalë nga takimi elektoral që po zhvillonte me banorët e zonës përreth “Freskut”. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, incidenti që i ndodhi Kukës është klasifikuar si “tentativë vrasje”, pavarësisht se, për fat të mirë, asnjë nga plumbat nuk e ka goditur. Të njëjtat burime saktësuan se autori i “vrasjes së mbetur në tentativë”, Ylli Hidri, pasi ka qëlluar 4 herë me armë, është larguar nga vendi i ngjarjes me makinën e tij “Tuareg”, në drejtim të malit të Dajtit. Paraprakisht, grupi hetimor ende nuk ka zbuluar shkaqet e vërteta të konfliktit që Kuka ka pasur me Hidrin, por dyshohet se incidenti ka motive politike.

Dëshmitarët

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes, të cilët janë ndodhur shumë pranë protagonistëve në momentin e incidentit, thanë që sherri mes tyre ka nisur me pyetjet “Pse më sheh?” dhe më pas është shoqëruar me fyerje, fillimisht nga Ylli Hidri dhe më pas është kundërpërgjigjur edhe Besim Kuka. Menjëherë pas debatit me tone të larta, Hidri është drejtuar tek makina e tij, e parkuar përballë zyrës elektorale të Partisë Demokratike dhe ka nxjerrë nga aty një armë tip “Shotgan”. Pa asnjë paralajmërim, duke e mbajtur armën në drejtim diagonal me Besim Kukën, Hidri ka qëlluar katër herë dhe më pas ka hipur në makinë, duke u larguar. Kandidati demokrat, Besim Kuka, garon për kryesimin e komunës së Dajtit, përballë socialistit Kujtim Qefalia.

© Panorama.al

Te lidhura