GJIROKASTER – Selia e PD-së së Gjirokastrës denoncoi dje përfaqësues të Këshillit të Qarkut se kanë tentuar forcërisht marrjen nën kontroll të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Rurale. “Pasi nuk kanë gjetur askënd në zyrat e kësaj drejtorie, kanë tentuar të hapin derën e drejtorit të Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale me një sharrë elektrike dhe të prezantonin aty drejtorin e ri të emëruar nga kryetari jolegjitim i Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, Sulo Muçobega”, thuhej në deklaratën e PD-së. Situata precipitoi më pas kur një pjesë e administratës së kësaj ndërmarrjeje ndërhyri për të mos shkatërruar derën e zyrës së drejtorit. Kreu aktual i Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale, Vait Tola, u shpreh se ky veprim është ilegjitim. Ai kreu edhe kallëzim në polici ndaj përfaqësuesve të Këshillit të Qarkut, duke akuzuar se kanë tentuar të hapin forcërisht zyrën e tij dhe të kryenin aty prezantimin e drejtorit të ri të Ndërmarrjes, i emëruar nga Sulo Muçobega. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bexhet Çobani, u shpreh se “ky veprim është ilegjitim, e para sepse urdhri i lirimit ka të fiksuar datën 3 prill 2012, çka është nonsens sepse ndodhemi në janar të 2012-s. Dhe së dyti, ky urdhër lirimi për drejtorin e Rrugëve Rurale, Vait Tola, ka tejkaluar kompetencat pasi në ligjin 8652, dt. 31 korrik 2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’, neni 54, germa ‘J’, thuhet se emërimi dhe shkarkimi i drejtuesve të ndërmarrjeve që ka në varësi Këshilli i Qarkut ndërmerret vetëm me vendim të Këshillit të Qarkut, çka deri tani nuk është marrë asnjë lloj vendimi”. Gjithçka që ndërmerret në këto kushte, sipas Çobanit, është ilegale sepse Muçobega ende nuk është kryetar i Këshillit të Qarkut, pasi për legjitimitetin e tij funksional i përket gjykatës ta përcaktojë. Sipas tij, çështja për legjitimitetin e zgjedhjes së tij në krye të këtij organi po shqyrtohet në themel në Gjykatën e Apelit dhe deri tani, sipas ligjit, veprimtaria e Muçobegës është e ngrirë deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga Gjyqësori. p.n











