Qarku Gjirokastër, gjykata lë në fuqi Muçobegën e PS

Dec 28, 2011 | 12:59
Qyteti i Gjirokastres

Shkalla e Parë e Gjy-qësorit i cilëson të rregullta veprimet e Këshillit të Qarkut që zgjodhi socialistin Sulo Muçobega kryetar të këtij organi. Në vendimin e dhënë nga kreu i trupit gjykues në Gjykatën e Faktit të Gjirokastrës, Guxim Boçi, mbështeten veprimet e kryera nga këshilltarët e Këshillit të Qarkut më 20 shtator të këtij viti, ku u zgjodh Muçobega, kreu i PS-së së Tepelenës, si dhe veprimet e mëpasshme që e shoqëruan të gjithë procedurën zgjedhëse të tij dhe organeve të tjera mbështetëse. Dosja e dorëzuar në gjykatë nga ana e institucionit të prefektit të Gjirokastrës, për pavlefshmëri të vendimeve të marra në mbledhjen e 20 shtatorit, u rrëzua përfundimisht nga ana e Shkallës së Parë, duke i dhënë afat 10-ditor prefektes së qarkut, Mimoza Çomo, ta ankimojë vendimin në Apel. Menjëherë zyra juridike në institucionin e prefektit e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, ku kjo e fundit, brenda muajit janar të vitit të ardhshëm, pritet të rrëzojë apo të mbështesë vendimin e Shkallës së Parë. Anëtarët demokratë të Këshillit të Qarkut në Gjirokastër kanë reaguar ndaj vendimit më të fundit të Shkallës së Parë duke e quajtur atë alogjik. Ndërkaq, kreu i PD së Gjirokastrës, njëkohësisht kreu i këshilltarëve të djathtë në Këshillin e Qarkut, Altin Çomo, është shprehur për gazetën “Panorama” se çështja do të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Sipas tij, atje do të rrëzohet vendimi i Shkallës së Parë që legjitimon të gjitha veprimet ilegale të ndërmarra nga këshilltarët e majtë për të zgjedhur kryetar një person që ka marrë rrogën si punonjës i administratës së qarkut deri ditën e konstituimit të Këshillit të ri të Qarkut të Gjirokastrës. Ky është vendimi i dytë i Gjyqësorit në Gjirokastër që rrëzon pretendimet e prefektes Mimoza Çomo për ilegjitimitetin e procedurave të ndjekura nga këshilltarët e majtë në mbledhjen e datës 20 shtator në konstituimin e Këshillit të Qarkut. Në fund të nëntorit, Gjykata e Apelit në Gjirokastër rrëzoi vendimin e Gjykatës së Faktit, ku kjo e fundit mbështeste argumentin e prefektes së Gjirokastrës, Mimoza Çomo, që ajo të drejtonte Këshillin e Qarkut përkohësisht, derisa të zgjidhej çështja në themel. Kjo, në kushtet kur ishin djegur afatet kohore për mbledhjen e radhës së Këshillit të Qarkut. Sulo Muçobega është zgjedhur kryetar Qarku më 20 shtator të këtij viti me votat e 23 këshilltarëve të majtë, në një kohë kur paguhej deri në ditën e zgjedhjes së tij në këtë post, si drejtor i Zyrës së Administrimit të Tokave në Tepelenë, pjesë e administratës së Qarkut. Pikërisht kjo pikë u përdor nga demokratët si shkelje, pasi bie ndesh me ligjin e autonomisë vendore. Ky argument nuk u mor për bazë nga Gjykata e Faktit të Gjirokastrës, e cila i çmoi si ligjore procedurat e ndjekura dhe pagesën e tij si pjesë e administratës së Qarkut deri më 20 shtator, ndërkohë që ligji specifikon se personi që duhet të jetë këshilltar qarku duhet të japë dorëheqjen si i punësuar nga administrata e tij 90 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Çështja e Fierit
Çështja e kreut të Qarkut të Fierit është një tjetër pikë e pazgjidhur edhe pse kanë kaluar muaj të tërë nga mbledhja e parë e këtij organi. Përplasjet mes socialistëve dhe demokratëve për kreun e Qarkut kanë kaluar në gjykatë. Dy ditë më parë, Gjykata e Faktit në Fier çmoi si të ligjshme mbledhjen që shpalli fitues demokratin Artur Shehu. Ndërkohë, të majtët deklaruan se do ta çojnë çështjen në Apelin e Vlorës, duke pretenduar se pikërisht kandidati i tyre, Vangjel Ndreko, është kryetar Qarku, shpallur në muajin shtator.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura