
Kryeministri rus u përgjigjet protestuesve që kërkuan dorëheqjen e tij .
Kryeministri rus, Vladimir Putin, nuk do të japë dorëheqjen, përkundër kërkesave të më shumë se 100 mijë njerëzve që kanë dalë për të protestuar gjatë fundjavës në sheshet e Moskës dhe të qyteteve të tjera ruse. Ata kritikojnë manipulimin në zgjedhjet e fundit ruse, ndërsa duan përsëritjen e tyre dhe largimin e të gjithë zyrtarëve që kanë bërë manipulime, duke ia drejtuar gishtin së pari Kryeministrit të vendit, i cili aspiron të bëhet edhe President në zgjedhjet e marsit të 2012-s. Zëdhënësi i Kryeministrit rus, Dimitri Peskov, dha dje sinjalin se Putin nuk është aspak i shqetësuar për protestat dhe shtimin e zërave kundër tij. Kryeministri “vazhdon të ketë shumicën e shumicës në Rusi”, tha Peskov. “Qoftë si një burrë politike, qoftë si kandidat presidencial, Putin ka gjithnjë mbështetjen e shumicës”, thuhet në komunikatën zyrtare lëshuar nga zyra e Kryeministrit. Zëdhënësi i Kryeministrisë ka shtuar se Putin është “përtej konkurrencës” si kandidat për zgjedhjet presidenciale të parashikuara më 4 mars 2012, ku ai u zgjodh nga partia “Rusia e Bashkuar” për të kandiduar për mandatin e tretë në krye të Kremlinit. Mandati i parë i Putin në Presidencën ruse ka qenë në vitet 200-2004, ku ai mori 53 për qind të mbështetjes, i dyti në vitet 2004-2008, me mbi 70 për qind të preferencave. Më pas, meqë Kushtetuta ruse e ndalon garimin tri herë radhazi për postin e Presidentit, Putin ia la këtë post hapur mikut të tij Dimitri Medvedev, i cili me kënaqësi në fund të këtij mandati do ta hapë sërish krahun për Putinin. Sipas disa sondazheve, popullariteti i Putinit për momentin është nën 50 për qind, dhe parashikohet që kësaj radhe zgjedhjet presidenciale mund të jenë me dy raunde.
Analistët në botë po vlerësojnë se protestat e fundit në Moskë dhe qytete të tjera ruse po e rrezikojnë kandidaturën e Putinit për zgjedhjet presidenciale të marsit. Kjo ka nxitur edhe reagimin e Kryeministrit rus, i cili akuzon Shtetet e Bashkuara se po organizojnë komplote mes protestuese, “kukulla të Perëndimit”, me qëllimin e vetëm për të dobësuar Rusinë. Kremlini ka premtuar një set reformash politike që do të liberalizonin rregullat e zgjedhjeve, ndërsa protestuesit kanë kërkuar përsëritjen e procesit të votimit për zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit dhe ndëshkimin e zyrtarëve që kanë mashtruar me rezultatet.
Zgjedhjet
Më 4 mars do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi. Kandidati më i fortë për to është Vladimir Putin, i cili nëse fiton, merr mandatin e tretë si President i Rusisë, por pas nisjes së protestave kundër tij u shfaq një tjetër kandidat, miliarderi rus, Mikhail Prokhorov. Megjithatë, ai thuhet se do të jetë një kandidat “i rremë” që do t’i shërbejë Putinit.
Gorbaçov kërkon largimin e Putinit

Ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, pas protestave të së shtunës në Moskë dhe qytete të tjera ku rreth 120 mijë persona kërkuan largimin e politikanëve që janë përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve tha se “Vladimir Putin duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme përballë kontestimeve të paprecedenta kundër regjimit të tij”. Deklarata e tij u bë në një radio ruse, dhe ish–presidenti e bëri të tingëllojë si një këshillë. “Putin bën mirë të largohet tani, në mënyrë që të mbahet mend për gjërat e mira që ka bërë gjatë kohës kur ka pasur pushtetin”, tha ish-lideri 80-vjeçar. Gorbaçov nuk njihet të ketë ndonjë fuq në skenën politike të Rusisë gjatë viteve të fundit. Kërkesa e tij për largimin Putinit, dhe pse në kuadrin e një “këshille”, nuk pritet të respektohet, por përkundrazi, pritet të shtojë komentet se Gorbaçov po përdor emrin e tij si ish–president për të kënaqur miqtë e tij në Perëndim.
© Panorama.al











