Putin akuzon liderët perëndimorë për situatën në Ukrainë: E kanë krijuar me duart e tyre! Rusia nuk do e sulmojë Europën

Dec 19, 2025 | 15:24

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka sulmuar ashpër liderët e Perëndimit lidhur me situatën në frontin ukrainas, gjatë konferencës së tij vjetore maratonë për shtyp.

putin

Putin i cilësoi si “marrëzira” pretendimet për një sulm të mundshëm të Rusisë ndaj Europës dhe akuzoi udhëheqësit perëndimorë se “e kanë krijuar me duart e tyre” situatën aktuale në Ukrainë, duke e përkeqësuar më tej konfliktin. Ai theksoi se ata flasin vazhdimisht për përgatitje për luftë me Rusinë.

“Kjo bëhet mbi bazën e motiveve të tyre të brendshme politike, për të krijuar imazhin e një armiku”, tha Putin, duke shtuar se synimi i tyre është “të mbulojnë gabimet që janë krijuar sistematikisht nga udhëheqësit në ekonomi dhe në politikën sociale”.

Putin përsëriti se Rusia nuk do të sulmojë Europën. Ai vuri në dukje se strategjia e re e sigurisë së SHBA-ve “nuk e përmend Rusinë si kërcënimin kryesor”. Për rrjedhojë, ai ia atribuoi pjesërisht përgjegjësinë për tensionet me Moskën NATO-s.

Presidenti rus deklaroi gjithashtu se Rusia është e gatshme të ndalojë konfliktin “nëse merr garanci sigurie”. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë nënkupton ai me termin “garanci sigurie”, pasi deri më tani janë parashtruar kërkesa të mëdha ndaj Ukrainës.

Putin deklaroi se Rusia ka pranuar kompromise lidhur me Ukrainën. I pyetur nëse vendi do të jetojë në paqe vitin e ardhshëm, ai u përgjigj se ky është qëllimi. “Dua ta përsëris me theks: ne duam të zgjidhim të gjitha çështjet”, tha ai.

Megjithatë, Putin theksoi se për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë, është e nevojshme të eliminohen shkaqet fillestare të konfliktit.

“Ne kemi pasur bashkëpunim me NATO-n. Premtimet që na u dhanë për moszgjerim ishin të rreme”, u shpreh ai, duke shtuar se valët e zgjerimit të NATO-s kanë shkaktuar shqetësim në të kaluarën dhe vazhdojnë të shkaktojnë edhe sot.

Presidenti rus vlerësoi Donald Trump për “përpjekjet serioze” që, sipas tij, po bën për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, duke hedhur poshtë çdo përgjegjësi të Rusisë për humbjen e jetëve njerëzore.

“Nuk ishim ne ata që e nisëm këtë luftë”, tha Putin në një intervistë për rrjetin amerikan NBC News.

“Siç e kam thënë disa herë, besoj se ai e bën këtë në mënyrë plotësisht të sinqertë”, shtoi Putin, duke iu referuar Trumpit.

© Panorama.al

Te lidhura