Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka kritikuar ashpër sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, se po mbështet protestuesit që e akuzojnë atë për mashtrim në zgjedhje. Putin tha se sekretarja amerikane e Shtetit “u dha një sinjal” kundërshtarëve të tij. Në një prononcim televiziv, Putin tha: “Ata dëgjuan sinjalin dhe me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit nisën punën e tyre aktive”. Klinton i ka kritikuar vazhdimisht votat e zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Rusi, duke u shprehur se “votuesit rusë meritojnë një hetim të plotë të mashtrimit dhe manipulimit elektoral”. Që nga e hëna, Rusia është përballur me protestat më të forta të mbajtura gjatë viteve të fundit, ku mijëra protestues kërkojnë rinumërim të votave ose zgjedhje të reja. Me gjithë praninë e lartë të forcave policore, protestat nuk kanë reshtur, edhe pse presioni i autoriteteve ruse për t’i dhënë fund tubimeve “të paligjshme” vazhdon, duke arrestuar me qindra persona në ditë, përfshirë edhe figura të larta të opozitës. Të shtunën pritet një manifestim akoma më i madh, ku mijëra protestues nga qytetet e tjera do t’u bashkohen atyre në Moskë. Partia e Putinit ka qëndruar për 12 vjet në pushtet dhe kjo ka rritur zërat për manipulime edhe kësaj radhe. Me mbi 50 mijë policë dhe 2 mijë ushtarakë në rrugët e Moskës, Putin paralajmëroi se qeveria mund të ndjekë një linjë akoma më të ashpër.











