Për të tretin vit radhazi punonjësit e “Tirana Bank” në të gjithë vendin, i janë bashkuar nismës së dhurimit të gjakut, në bashkëpunim edhe me Kryqin e Kuq Shqiptar. Kjo iniciativë është pagëzuar si “Muaji i Kontributit të Bankave”. “Ne jemi të lumtur ta çelim muajin e bankave me ‘Tirana Bank’. Prej tre vitesh, ‘Tirana Bank’ na ka mbështetur, duke u bërë një shembull i rëndësishëm për institucionet e tjera. Tani, falë kësaj banke, të gjitha bankat e tjera që operojnë në Shqipëri, kanë pranuar të jenë pjesë e të na mbështesin në këtë iniciativë të rëndësishme”, u shpreh zoti Zamir Muça, sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar.
Nga ana e “Tirana Bank”, një falënderim i veçantë në këtë event erdhi nga drejtori i Përgjithshëm, Georgios Charalampakis, drejtuar Kryqit të Kuq Shqiptar dhe gjithë punonjësve të “Tirana Bank’, që u bënë pjesë e dhurimit vullnetar të gjakut. “Dua të falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar që na dha mundësinë të tregojmë fytyrën sociale të “Tirana Bank” për të gjithë njerëzit në Shqipëri. Ne e konsiderojmë këtë bashkëpunim si një detyrim social për të ndihmuar dhe mbështetur njëri-tjetrin, pasi të dhurosh gjak është një akt shumë i thjeshtë, por me vlera të mëdha humanitare”, tha Z. Georgios Charalampakis.











