Pukë, rrëzohet bastioni i PS

May 10, 2011 | 10:52
Genc Uruci dhe Lorenc Luka

Numërimi i votave në qarkun e Shkodrës ka sjellë me vete surpriza për partitë, ku tendencat për bastione të sigurta ranë poshtë.E para bashki ku ndodhi rotacioni ishte ajo e Pukës, ku numërimi i votave përfundoi herët në mëngjes. Fituese e kësaj “gare” ishte Aleanca për Qytetarin, me kandidat Beqir Arifi, i cili mori 955 vota përballë kandidatit të Aleancës për të Ardhmen, Enver Sulejmani, me 902 vota. Numërimi ka vazhduar përgjatë gjithë ditës edhe në katër KZAZ-të e tjera të qarkut, njëra e Malësisë së Madhe dhe tre të Shkodrës. Përgjithësisht, për këto tre të fundit, para se procesi të fillonte normalisht, janë shfaqur një sërë problematikash, të cilat lidheshin si me çështje teknike, ashtu edhe ato organizative të palëve. Kështu, për KZAZ Nr. 40, procesi i numërimit të votave ka filluar rreth orës 12:00. Kjo vonesë erdhi për shkak se nga 12 anëtarë të grupeve të numërimit të Partisë Socialiste, vetëm gjysma e tyre plotësonin kushtin e shkollës së lartë. Për shkak të kësaj procesi është shtyrë deri në momentin që PS do të bënte zëvendësimin e këtyre anëtarëve. Në KZAZ-në Nr. 41, procesi i votimit ka filluar në mëngjes, pas këmbënguljes së anëtarëve të grupeve të numërimit të PS, të cilët kanë argumentuar këtë shtyje me lodhjen e madhe të tyre. Ndërsa në KZAZ-në Nr. 42 numërimi ka filluar paraditen e djeshme për shkak të mbërritjes në orët e para të mëngjesit të materialeve zgjedhore të 6 qendrave të votimit të komunës Temal, të vonuara për shkak të distancës së largët nga Shkodra.
Numërimi i një pjese të mirë të kutive ka dhënë edhe një rezultat paraprak për rezultatet. Bashkia e Shkodrës dhe komuna Bushat rezultojnë me një tendencë për fitore të dy ish-kryetarëve aktualë. Edhe pse Paria Socialiste e ngriti fushatën e saj me fokus përmbytjen në Shkodër, disa nga lagjet e përmbytura gjatë vitit të kaluar, siç janë ato të Shirokës, apo Bahçallëkut, kanë votëbesuar sërish kreun aktual të Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, në një mandat të dytë. Rreth mesnatës së djeshme, Luka kishte siguruar një numër prej 2822 votash kundrejt 1510 të Genci Uruçit të PS-së. Një rezultat i papritur ka qenë dhe ai i komunës Rrethina, i mbaruar në mbrëmje vonë. Kandidati i PS, Kleves Muja ka fituar me 3159 vota përballë kandidatit demokrat, Gëzim Hardolli, me 2640 vota. Në proces numërimi ishte mbrëmë komuna e Bushatit, ku kryesonte Zef Hila i PD-së me 4029 vota, ndërsa Gojart Salja i PS 1996.

SHKODER

Bashkia Pukë
Beqir Arifi, PD 955 vota
Enver Sulejmani, 902 vota

Komuna Bushat
Zef Hila  PD  4029 vota
Gojart Salja PS  1996 vota

Komuna Gruemirë
Lirim Nehani PS  1685 vota
Asim Burgaj  PD  1655

Komuna Rrethina
Kleves Muja, PS fiton me 3159 vota
Gëzim Hardolli me 2640 vota

Komuna Gruemirë

Në KZAZ-në 44 t ë rrethit Malësi e Madhe, është në proces përfundimi i numërimi i 24 qendrave të votimit të komunës Gruemirë. Nga të dhënat e para, kur janë numëruar 20 qendra votimi nga 24 që janë gjithsej, kandidati i PS, Lirim Nehani, ka një përparësi të lehtë ndaj kandidatit të PD, Asim Burgaj, me 30 vota. Nehani është në prag të një mandati të dytë të tij si kryetar i kësaj komune, por me një ndryshim, që 4 vite më parë ai garonte për PD, ndërsa sivjet për PS.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA


© Panorama.al

Te lidhura