Pse pinjollët nuk dallojnë nga etërit

Dec 29, 2011 | 10:59

BUJAR NISHANI

Kohët e fundit, dukshëm vihet re një shkulm urrejtjeje dhe akuzash përbaltjeje ndaj strukturave që merren me luftën ndaj kriminalitetit dhe veçanërisht fokusuar drejtuesve kryesorë në Policinë e Shtetit. Formalisht, ky duf përcillet nga aktorë politikë të Partisë Socialiste. Por, po ashtu, dukshëm nuk mund të mos bjerë në sy se ky shkulm “përkon” me aktivitetin më të madh të identifikuar ndonjëherë të luftës ndaj trafikantëve të drogës dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të kanabisit dhe jo pak të heroinës. Natyrisht, gjithkush e kupton se bëhet fjalë për qindra mijëra euro të hequra nga dora, jo të transportuesve, por të bosëve që menaxhojnë këtë aktivitet të rëndë kriminal.Për rastësi, ky sulm ndaj strukturave drejtuese në këtë betejë udhëhiqet nga ish-ministri i Rendit Publik të viteve 2000-2002, Ilir Gjoni. Duke pasur ndër sy këtë prejardhje të autorit të këtyre sulmeve, natyrshëm kushdo bëhet kureshtar për të parë performancën e këtij ish-ministri, që logjikisht përkeqësimi i sigurisë do ta bënte të reagonte shumë ashpër.
Por, fatkeqësisht, në arkivat e administratës sonë të Ministrisë së Brendshme nuk gjen asnjë gjurmë të punës së këtij institucioni në këto vite. Thuajse askush nuk ka ekzistuar në atë kohë. Thuajse askush nuk ka marrë rrogën në këtë ministri në atë kohë. Asnjë shenjë, asnjë gjurmë. Punë dukshëm e “përgjegjshme”.
Por, fatmirësisht, ka të tjera burime informacioni, shumë serioze, ku gjithsecili prej nesh gjen të drejtën e informimit edhe për atë periudhë.
Për këtë arsye iu referova raporteve te Departamentit Amerikan të Shtetit, ku gjen në mënyrë të shkëlqyer gjurmët e situatës së atyre viteve në rend, siguri dhe kriminalitet.
Në raportin e Departamentit të Shtetit të vitit 2000 (z. Ilir Gjoni ishte ministër i Rendit Publik) thuhet shprehimisht: “ … vendi vazhdon të përballet me nivele të larta të krimeve të dhunshme, vrasje të shumta ndodhin në të gjithë territorin e vendit…”. Statistikat tona tregojnë se në vitet 2000 dhe 2001 (z. Ilir Gjoni ishte ministër i Rendit) kanë ndodhur përkatësisht 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) dhe 208 (dyqind e tetë) vrasje. Paçka se në këto vite, këto krime janë reduktuar me më shumë se 50% dhe se sot ndodhin 100 (njëqind) vrasje më pak se sa ndodhnin kur z. Ilir Gjoni ishte ministër i Rendit (të mos harrojmë se në atë kohë policia varej drejtpërdrejt nga ministri), ky zotëri gulçet se sot “…mungesa e sigurisë së jetës së qytetarëve, klima e terrorit po mbërthen shoqërinë…”.
Në raportin e Departamenti të Shtetit të vitit 2000 (z. Ilir Gjoni ishte ministër i Rendit Publik) përmenden një sërë rastesh të dhunës së tmerrshme policore mbi aktivistë të Partisë Demokratike. Përmendet aty rasti i dhunimit të 4 (katër) veprimtarëve të PD në Lezhë, rasti i Besnik Papës, i cili përfundoi në spital nga dhuna, rasti i Besnik Jakut apo rasti i Besim Biberajt, i cili përfundoi në spital me një numër kockash të thyera, thotë raporti. Ndërsa sot, kur shqiptarët e kanë parë fare mirë se sa “u bie në qafë” policia aktivistëve politikë të opozitës, z. Ilir Gjoni gulçet tek thotë se “Policia e Shtetit, nga një institucion ligjërisht i depolitizuar, ajo tashmë është kthyer në një instrument politik”.
Dhuna ndaj aktivistëve opozitarë të PD gjatë ministrimit të Policisë nga Ilir Gjoni në atë kohë pati komente të shumta nga qytetarët e thjeshtë se “pinjollët nuk dallojnë e as ndryshojnë nga të parët e tyre”.
Po në këtë raport të DASH nënvizohet se “…trafikimi i grave dhe vajzave për qëllime prostitucioni është një problem serioz, …. Një OJQ shqiptare vlerëson se 30 000 (tridhjetë mijë) vajza punojnë si prostituta në Turqi dhe në vende të tjera përgjatë një viti…” .
Në atë kohë pothuajse flitej hapur se kokat e trafikut ishin në zyrat e shtetit dhe se ata që i transportonin viktimat e trafikut ishin thjesht ushtarë.
Por situata vijonte të përkeqësohej edhe më tej.
Ja se çfarë gjejmë në raportin e DASH për vitin 2001 (z. Ilir Gjoni vijonte të ishte përsëri ministër i Rendit Publik).
Që në hyrje të këtij raporti deklarohet se  “policia është e përfshirë në abuzimin e të drejtave të njeriut”. Në atë kohë Policia ishte në varësinë e drejtpërdrejtë të ministrit Ilir Gjoni. Po në këtë raport përmendet rasti i një fëmije jetim 11 vjeç në Sarandë, të cilit ia thyen krahët nga rrahja dhe iu dogj trupi me cigare nga policia. Këto fakte të një realiteti rrëqethës denoncojnë çdo sojsëz që kish kultivuar metodat e ish-Sigurimit të Shtetit, përsëri në Policinë shqiptare.
Viti 2001 do të mbahet mend përgjithnjë në memorien e shqiptarëve për grabitjen e kutive të votimit nga oficerë policie që i shqyenin ato nëpër ferrat dhe rrugët e fshatrave dhe i mbushnin më pas me votat për shefat e tyre.
Raporti i DASH për këtë çështje referon se “… OSBE dhe ODIHR që vëzhguan zgjedhjet konstatuan ndërhyrje të policisë”, gjë e cila as shkohet nëpër mend këto vite të fundit, paçka se z. Ilir Gjoni gulçet kur thotë se “… policët e shtetit janë katandisur në instrumente qorre që pranojnë kokulur çdo komandë idiote dhe nëpërkëmbje dinjiteti”.
Interesant është fakti se ky konstatim i z. Gjoni përkon me një sërë urdhrash të dhëna policisë për goditjen e disa grupeve të transportit të sasive të mëdha të drogës.
Por le të vijojmë me raportin e DASH për vitin 2002 (z. Gjoni vijon ministër i Rendit). Raporti referon: “…Gangsterët e krimit të organizuar e kanë kthyer trafikun e emigrantëve ilegalë shqiptarë, kurdë, pakistanezë, kinezë, turq dhe të nacionaliteteve të tjera në një biznes fitimprurës”;  “…vendi vazhdon gjithashtu të jetë vend i tranzitit të madh të trafikut të vajzave dhe fëmijëve për shkak të kontrollit të dobët të kufirit”. Ky realitet i ministrimit të z. Ilir Gjoni është sot përballë një modeli administrimi kur nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm të kapjes së emigrantëve ilegalë nga vende të treta që kanë kaluar përmes kufirit shqiptar në vendet e BE.
Tani, kur z. Ilir Gjoni akuzon për kriminalizim të Ministrisë së Brendshme, le ta gjykojë kushdo që e lexon raportin e DASH për 2002-shin dhe atë për situatën e viteve të fundit, se ku është apo ku ka qenë kriminalizimi i vërtetë.
Por raporti i 2002-shit vijon përsëri duke referuar se “ …një raport i CRCA raportonte në vitin 2000 se statistikat e ofruara nga censusi italian tregonin se ishin më shumë se 900 fëmijë (vajza të moshës 14 – 18 vjeç) që punonin si prostituta në Itali. Gra dhe vajza të huaja tranzitoheshin, shumica prej tyre nga Moldavia, Rumania dhe më pak nga Ukraina, Rusia, Kosova, Bullgaria dhe vende të tjera. Këto viktima zakonisht hynin nga Mali i Zi, pasi kalonin në Shkodër, i drejtoheshin Portit të Vlorës. Nga Vlora ato transportoheshin me skaf drejt Italisë”. Më tej raporti vijon: “Policia ishte shpeshherë drejtpërdrejt ose indirekt e përfshirë në trafik” . Në atë kohë, të gjitha emërimet, në të gjitha postet drejtuese qendrore dhe lokale të Policisë i bënte ministri i Rendit. Ministër në atë kohë ishte z. Ilir Gjoni.
Imagjino, i nderuar lexues, që sot z. Gjoni akuzon publikisht për “hipokrizi morale të drejtuesve të Ministrisë së Rendit”, sot z. Ilir Gjoni akuzon publikisht drejtuesit e Ministrisë për “përfshirje në punë të pista”. A mund të thotë dikush se a ka përfshirje më të pistë e më imorale se sa të jesh i përfshirë direkt apo indirekt në ato që thotë sipërcituar raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Domethënës mbetet fakti se pas largimit të z. Ilir Gjoni si ministër dhe ardhjes së z. Spartak Poçi në këtë pozicion, shumë gjëra ndryshuan menjëherë. Duket se shumë lidhje u prenë. Z. Ilir Gjoni merr kurajën të akuzojë se drejtuesit e sotëm të Ministrisë së Brendshme kanë kryer vjedhje përmes blerjes së sendit të vjedhur.
Duke iu referuar automjetit që përdor ministri i sotëm i Brendshëm, z. Gjoni, akuzon se “…nëse vjedhja është veprim i gabuar, atëherë dhe blerja e asaj që është vjedhur është e gabuar”.
Kjo është një gënjeshtër ordinere, natyrisht që mund ta prodhojnë vetëm individë ordinerë. Ministria e Brendshme nuk ka blerë asnjë mjet, as të vjedhur, as të pavjedhur. Mjeti që përdor sot ministri i Brendshëm është sekuestruar e më pas konfiskuar nga Gjykata shqiptare. Pas konfiskimit, çdo send i kalon në pronësi shtetit. Mjeti përkatës i ka kaluar në pronësi shtetit pikërisht se ka qenë i bllokuar si i trafikuar. Në legjislacionin shqiptar, këtu e dhjetëra vite të shkuara dhe në çdo vend tjetër, sende të tilla i kalojnë në përdorim për nevojat e veta shtetit. Asnjë procedurë administrative apo gjyqësore nuk është anashkaluar apo nuk është zbatuar. Mjeti nuk është personal dhe nuk përdoret për asnjë arsye personale. Mjeti është dhe do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit.
Në fund më duket shumë interesant fakti që z. Ilir Gjoni i drejtohet PAMECA-s dhe ICITAP-it ta ndihmojnë z. Ilir Gjoni. Kjo është një shenjë e mirë dhe inkurajuese që edhe z. Ilir Gjoni u beson dhe u drejtohet këtyre institucioneve perëndimore. Por kjo do të ishte e besueshme vetëm nëse së pari z. Ilir Gjoni dhe të tjerët pranë tij do t’i adresonin një kërkesë faljeje PAMECA-s dhe ICITAP-it në emër të paraardhësve të tyre, që ashtu si pinjollët e tyre sot na akuzojnë ne në mënyrë monstruoze, akuzuan për 50 vjet PAMECA-n dhe ICITAP-in si kriminelë, vrasës, imperialistë, grabitës të pasurive të popujve të tyre e broçkulla të tjera si këto.
Me sa duket, ajo që qytetarët thoshin nëpër kafene në vitet 2000-2001-2002 se “pinjollët as dallojnë e as ndryshojnë nga të parët e tyre”, mbetet aktuale.
*Ministër i Brendshëm

 

© Panorama.al

Te lidhura