Sekretari i Përgjithshëm i partisë Demokratike, njëkohësisht deputeti i saj Flamur Noka tha se selia blu zgjodhi strategjinë që të mos përfaqësohej me kandidatë në zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashkitë e vendit, me qëllimin për të treguar farsën elektorale dhe ndikonim e narkosit në to.
Dhe sipas tij, kjo pati sukses, sepse vetëm 8% e zgjedhësve shkuan në votime dhe ajo ishte administrata e kontrolluar nga narkosi dhe qeveria. Me këtë përfaqësim, Noka theksoi se i tregojnë edhe ndërkombëtarëve, se qeveria që një pjesë e tyre mbrojnë, edhe e implikuar në farsën elektorale dhe në lidhjet e saj me krimin.
“Ne nuk kemi pasur asnjë kandidat. Ndërtuam një strategji për të dalë jashtë vetes tonë dhe dolëm. Ne shkelëm mbi veten tonë, sepse personalitete kishim, u tërhoqëm një hap pas, t’i jepnim një sinjal opozitës se jemi bashkë në këtë nismë dhe të vazhdojmë betejën. Çfarë treguam me këtë? Treguam se për të luftuar anëtarët e narkosit, në zgjedhje shkuan e gjithë administrata për të votuar, narkosi bën gjithçka, tani narkosi ka kryetarë bashkish që përfaqësojnë vetëm 8% të popullit”, u shpreh deputeti demokrat për “News 24”.
Në fund ai pati edhe një apel për zyrat diplomatike në Tiranë dhe ndërkombëtarët, duke nënvizuar se qeveria nuk e ka mbështetjen e popullit dhe se PD ka provuar se ajo mban vetëm farsa elektorale dhe jo zgjedhje.
“I themi dhe ndërkombëtarëve se ja sa ka narkosi, 8% të zgjedhësve, për të bërë një superfarsë, ky është realiteti në përqindje. Për të gjithë ambasadorët që janë mbështetës të narkosit, ky është një mesazh, 8% mbështetje ka narkosi”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.
© Panorama.al












