Ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj thotë se ‘premtimet elektorale nuk mbahen sepse kanë theks të caktuar vetëm për thithjen e votave dhe jo për një ndryshim real të ekonomikë’.

Në një lidhje për emisionin “Log” në News24, Malaj u shpreh se kjo cënon kredibilitetin e qeverisjes.
“Ndodhemi përballë asaj që në financa quhet moraliteti i pagimit të taksave, që do të thotë se njerëzit kur janë të pakënaqura nga qeveria kanë vullnet të vogël për të paguar taksat dhe rritet informaliteti”, tha Malaj.
Ai u shpreh se është vështirë të kuptohet sesa të realizueshme janë premtimet.
“Ajo për të cilën hartohet programi politik i cdo partie është që të garantojë që situata të jetë në përmirësim, të ketë një rritje ekonomike më të lartë më të qëndrueshme nga kriza dhe më të drejtë për grupet sociale”, tha Malaj.
Arben Malaj: Programet elektorale nuk kanë të njëjtën peshë si më parë. Nuk jemi në atë botën e ngushtë që kishte vetëm një televizion, por kemi edhe rrjetet sociale. Duket se debati është i fokusuar më shumë tek premtimi elektoral, sa do të rrisin pensionet, ndihmat etj dhe është mirë kur kjo vjen nga krahu i djathtë. Ajo që dua të theksoj është se nëse flasim për premtimet do jetë e vështire të kuptojmë sa të realizueshme janë. Nëse flasim për taksat, këto janë politika specifike. Ajo për të cilën hartohet programi politik i cdo partie është që të garantojë që situata të jetë në përmirësim, të ketë një rritje ekonomike më të lartë më të qëndrueshme nga kriza dhe më të drejtë për grupet sociale. Të gjitha premtimet duhen çekuar me ndikimin e tyre në stabilitetin ekonomik të vendit. Ai është një e mirë publike, një vend që ka një stabilitet financiar, dhe e mban vendin në një trend pozitiv.
Asnjë e treta e premtimeve kanë gjetur një realizim qoftë edhe pjesor. Unë po ndalem në dy elemente. Flitet që do detajojmë TVSH, pra do të ndajmë nëpër grupe sociale se do bëjmë politike. Këto janë në përputhje edhe me direktivën e BE. Por kur kam marrë vendimin unanim edhe me ekspertët e huaj që kisha në e bëmë tvsh nga 12.5 në 20% dhe që nga 1998 që nuk është ndryshuar edhe pse të gjitha partitë kanë dashur ta copëtojnë. Mund ta copëtojnë, por do kenë pasoja negative në buxhet. Vendet nordike e kanë 25% dhe aty gjejnë të ardhura që bëjnë politika sociale. Ne do kemi humbje në buxhet sepse ne do përjashtojmë gati 2/3 nga pagimi i tvsh me nivel të njëjtë.
Kemi taksën e sheshtë 10%. Unë nuk jam kundër taksës së sheshtë. Por taksa e sheshtë 10%, kolegët e PD duhet ta pranojnë është një dështim. Të ardhurat që futim nga taksa e sheshtë 10% nuk i kompensojmë dot nga një rritje më e madhe ekonomike. Dhe në momentin që nuk kompensohen sic ndodhi në 2009-2013, qeveria ndërmerr dy veprime abuzive. E para nuk bën rimbursime, aq sa u shitën edhe hidrocentrale për kompensim dhe rimbursime dhe e dyta bllokon pagesat.
© Panorama.al











