Administrata zgjedhore në KZAZ 49 në Njësinë 5 të Tiranës i dha dje fund numërimit të votave, pas një gati një javë numërim, duke mos arritur të na japë ndërkaq fituesin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.
Dje, as Lulzim Basha e as Edi Rama nuk kanë qenë fituesit zyrtarë të Bashkisë, edhe pse në të dy selitë dhe në dy ekipet e partive që ndodheshin në shkollën “Vasil Shanto” shpërtheu gëzimi kur u numërua edhe vota e fundit. Rreth 250 mijë votues, nga 175 mijë që u përfshinë në votim katër vjet më parë, votuan pothuajse në mënyrë të barabartë duke lënë në dilemë fituesin e vërtetë. Me të paktën dhjetë vota më shumë se rivali, Edi Rama deklaroi se ka fituar Tiranën, ndërkaq po me kaq vota apo më shumë flitet për fitoren e Bashës mbi Ramën.
Pavarësisht rezultatit dhe për kë do të shkonte rezultati, një diferencë e ngushtë prej afërsisht dhjetë votash në afro 250 mijë të tilla nxit vullnetin e secilës palë që mund të konsiderohet humbëse për ta ankimuar rezultatin.
Edhe KQZ ka pranuar dje se gabimi njerëzor është i pashmangshëm, siç dhe ka theksuar se rezultati paraprak konsiderohet i pakuptimtë. Nëpërmjet një deklarate të KQZ pas përfundimit të numërimit të votave tek Njësia 5, shprehet se është e kuptueshme që mund të ketë gabime njerëzore gjatë mbledhjes së të dhënave dhe, në këtë mënyrë, kjo është e justifikueshme. KQZ do të fillojë menjëherë verifikimin e procesverbaleve.
Ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon që KQZ, me kërkesë të palëve në proces, por edhe kryesisht kryen verifikim “kur gjatë llogaritjes së tabelës, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit”.
Por, ka edhe një rrugë tjetër të verifikimit të rezultatit, duke shfrytëzuar faktin se vendimet e KZAZ janë vendime të ndërmjetme dhe brenda një periudhe triditore mund të bëhet anikimimi ndaj tyre në KQZ.
Deri para pak vitesh në Kodin Zgjedhor ka qenë edhe një nen që parashikonte se kur fletët e pavlefshme të votimit ishin më shumë sesa diferenca mes konkurrentëve në zgjedhje, atëherë ishte i detyrueshëm rinumërimi i votave. Ai nen u ndryshua, duke shtuar ndërkaq një tufë rrugësh për të kontrolluar dhe ankimuar procesin duke mos kufizuar rastet, por duke u dhënë mundësi palëve të zgjidhnin mënyrat e verifikimit të votës së tyre.
Duke u ndodhur në dilemën e rezultatit në Bashkinë më të madhe të vendit, ku kandidon kryetari i opozitës, çështja e verifikimit bëhet lehtësisht e atakueshme prej zyrave të Partisë Socialiste. Zgjatja e numërimit të votave dhe vëmendja e shtuar përgjatë zgjatjes së këtij procesi nga mijëra qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ka bërë që edhe opozita të ketë lëndë të parë të bollshme e lehtësisht të manipulueshme për ta përkthyer procesin e verifikimit të rezultatit nga KQZ si një tentativë për të vjedhur rezultatin e pëlqyeshëm për opozitën.
Duhet të jetë e qartë se deri tani nuk ka rezultat për Bashkinë e Tiranës. Ka një përfundim të votimit dhe të dhënat e përfituara prej këtij votimi duhen verifikuar për shkak të rezultatit të ngushtë dhe mundësisë së gabimit njerëzor. Në pak sekonda pas përfundimit të numërimit, të dy selitë e partive ishin në gjendje të ofronin një rrjetë rezultatesh, sipas tyre, të bazuara në infrastrukturën e tyre zgjedhore që u jepnin respektivisht fitoren që të dy konkurrentëve. Natyrisht, të dhënat që vijnë prej tyre nuk janë zyrtare, as të rekomandueshme për t’u përdorur, por ndërkaq ato të dhëna frymëzojnë dy rezultate, asnjëri prej të cilëve nuk është i pranueshëm prej palës tjetër, por përbëjnë frymëzim politik dhe shkaktojnë reflektim politik ndaj rezultatit.
KQZ është një institucion tërësisht i kontrollueshëm në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve. Po ashtu tërë procedurat zgjedhore, përveçse janë transparente, lënë edhe gjurmë. Është e pamundur të manipulohet një rezultat, edhe nëse sigurohet vullneti për manipulim prej vetë dy partive më të mëdha politike, të cilat janë autore të këtyre procedurave dhe Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, është i siguruar tërësisht nga dy partitë e mëdha neutralizimi i influencave të njëra-tjetrës në procesin zgjedhor në kurriz të secilës prej këtyre dy partive. Të gjithë e dimë që Kodit Zgjedhor që parashikon edhe ankimimin, edhe verifikimin, ia ka vënë vulën Edi Rama.
Prandaj duket e parakohshme dhe refleks i padurimit të kryetarit të PS-së shpallja prej tij e fitores, fill pas përfundimit të procesit të numërimit, ndërsa nuk e kanë bërë një gjë të tillë as Berisha e as Basha. Duke shfrytëzuar jo pak kartën e të persekutuarit nga pushteti për shkak të të qenit në opozitë, ai ka dhënë shenja të qarta se këtë kartë po përpiqet ta futë në punë për të marrë edhe postin e kryebashkiakut. Ai është në opozitë, por nuk është në opozitë me Kodin Zgjedhor. Ai trajton njësoj si PD e PS dhe po ashtu reflekton bindjet në drejtësinë e një procesi zgjedhor si të opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Dje, ai ka dashur të shtrijë opozitën deri në zemër të zgjedhjeve për të nxjerrë prej andej nën petkun e diskriminimit politik votat që duhen për të kapërcyer Lulzim Bashën. Ndërkaq, po nëpërmjet diskriminimit politik ai ka nisur të mbrohet paraprakisht, nëse i rezulton të dalë i humbur prej garës.
© Panorama.al












