Pse i the që të thashë?

Dec 18, 2011 | 12:21

Pak muaj më parë, me t’u shfaqur premiera e një pjese në një nga sallat e teatrove në Tiranë, u dëgjuan zëra të çuditshëm. “E kishte qarë atë rol, ishte shumë mirë, vetëm se si e çuditshme duket. Do ketë kaluar një çik, se s’ka mundësi, jo se ku dëgjova edhe diku tjetër që nuk kishte kaluar kohë të mira”. “Po jo moj, unë e pata takuar, shumë mirë ishte. Madje. kur e takonin kolegët në teatër, e provokonin, demek e kapnin në befasi, se sa po jetonte me personazhin, përgjigjja ishte më e mirë edhe se ‘provokimi’ më i mençur e më i befasishëm”. – “Ëhë, e mi mirë, kështu më thanë, varja. – Edhe ti pale sa të tjerëve u ke thënë! – Jo mi se s’ka rënë biseda për të…ha ha Kjo bisedë u ngacmua (në fakt, këtu, vetëm biseda të tilla që nuk kanë fare nevojë për ngacmime se vetëm të tilla bëhen, por gjithsesi e kanë një shkak se pse përmendet një emër e jo një tjetër në aksh çast) kur pak ditë më parë më erdhi një SMS nga aktori i sipërpërmendur për të më ftuar në shfaqjen e radhës. Biseda u mbyll aty domosdo, do ktheheshim në qesharakë po ta vazhdonim, por vlejti që t’i bashkëlidhja biseda të tjera e të tjera, që më kishin ardhur në vesh, po në këto ditë. Rudina Xhunga qenkësh shtatzënë! D.m.th, jo se ishte vërtet, prisni sa ta lexoni deri në fund fjalinë përpara se të merrni telefonin për ta përcjellë lajmin. Të paktën kështu na tha: “Jo, nuk jam shtatzënë”. Atëherë nga doli?! Në fakt, lajmi për shtatzëninë u dëgjua që ditën kur mësuam për martesën e saj me Dritan Hilën, por zërat aq vrullshëm sa u dëgjuan, aq edhe u zbehën. Tani sepse ju erdhi frymëzimi sërish! Që Rudina ishte shëndoshur pakëz, këtë na e tha vetë, vetëm se lajmin e mohoi. Edhe telefoni i prishur nuk na e tha me siguri, mëdyshas e kishte. Kur e pyeta sa i sigurt je, 50 me 50 tha. Nejse, Rudina do jetë me fat nëse këto radhë do dalin pasi të ketë dalë ndonjë titull i tipit “Dyshimi: Rudina Xhunga shtatzënë!”. Po edhe nëse ka dalë, ne ju themi atë që na tha ajo vetë, se sa për dyshime, kemi tonat edhe ne. Po e lëmë edhe këtë personazh, se siç ju thashë ka qenë javë e ngjeshur. Po pale, ngaqë u ftoh pak koha, ngaqë erdhën festat, e sikur nuk rrihet vetëm! Po mirë, ja dakord, vetëm nuk rrihet, po pse të ndërrosh atë që kishe me një tjetër xhanëm, apo festë?! Siç e nuhasni, kjo ishte tema tjetër. Mos prisni t’ju themi edhe emrin tani. Jo se vërtet e përmendëm emrin e Rudinës, por tek e fundit, i vërtetë a i rremë lajmi prej saj, kurdo që të vijë, vetëm i gëzueshëm (mirë, s’po themi për të gjitha) do jetë; ky tjetri, çoç është më ndryshe. E kështu, ajo ishte ndarë me atë, në fakt kish kohë me atë tjetrin, po tani ishte ndarë për fare. Po pra, kishin shkuar të jetonin bashkë më në fund. Edhe ai tjetri ishte sistemuar, mos ia qani hallin, vetëm se fëmijët kishin mbetur pak si të paterezitur. Me ata të dy nuk na duhet gjë, fundja bitisën atë që kishin nisur, punë për ta, e kishim me këtë çorbën tonë! Fjalët u shpërndanë sakaq gjithandej, sa ditë kalonin, shtohej ndonjë njeri tjetër që pyeste: “Moj, e more vesh për ata të dy, jo unë i kisha parë bashkë, po s’ma morri mendja që kishin avancuar kaq shumë!” (një mikeshë imja m’i bën gjithnjë e fundit këto pyetje, madje mundësisht pasi edhe çifti i ri të jetë ndarë. Epo s’ka faj, sapo i mbushi djali 1 vjeç). Kështu, vargu shtohej, diku shtrembërohej, po prapë drejtohej. Rrugës, dilte ndonjë tjetër e atij, që bënte ç’të mundte për ta përdhosur pak atmosferën, po ç’e do, prapë festive ngelej. Situata si këto ndodhin gjithandej, këtu në redaksi, atje në ministri, e gjithkund ku puna ju lidh me më shumë se 1 person (ju ka qëlluar që edhe 3-shet të jenë të rrezikshme). Këto ishin pak nga ato që dëgjojmë ne të gjithë në punën tonë, po mos mendoni se nuk na vijnë fjalë edhe prej jush. E dimë që ajo sekretarja e përgjithshme e ka halë në sy atë brunoshen që s’lë rast pa shfrytëzuar për të hyrë te zyra e ministrit. Jo, ajo le të mos hyjë, le ta ketë pushim atë ditë, le të dergjet me temperaturë, ajo prapë hyri do thotë. E ka të ndarë mendjen. Ashtu do thonë edhe pasuesit e saj, do shtojnë madje që nuk është vetëm ajo, e kishin parë edhe jashtë me një tjetër, po nuk ishte gjë. Mendoni pak sikur të bëni vetëm biseda të tilla gjatë ditës! Si mund të ishit në darkë?! Ka edhe specialiste të fushës që ia dalin shumë mirë, por një tjetër shtysë pse u ula të shkruaja këto radhë, ishte se tek e kapa veten duke pyetur se kë kishte pasur filania përpara këtij, m’u ngatërruan. Si ngjarjet, edhe personazhet. E humba fillin, thashë varja se s’i dhënkam dot dum (Normale më duket, me aq sa ka ndërruar, s’kisha si ta merrja përsipër!). Si zgjidhje, dialoguesja së cilës nuk i shpëtoi hutimi im (edhe pse në fakt u shoqërua me pyetje Si, si?), mendoi se do të ishte shumë mirë sikur truri ynë të ishte i ndarë me parcela. Të paktën kjo pjesë, edhe pse kishte rrezik të zinte sipërfaqen më të madhe, do të ishte e veçuar e nuk do ju hynte në pjesë gjërave të tjera. Dhe që hutimi im të zbehej ca, ajo propozoi të bëja disa spastrime. Kishte disa personazhe që më kishin zënë shumë vend, shumë histori, ishin aty prej kohësh e duhet t’u ruaja vetëm ngjarjet e fundit. Po të mundnim, nuk do bënim më pyetje idiote të tipit “Si, si, se nuk e kisha mendjen, ma thuaj edhe një herë”. As nuk do hynim në telashe për të zbuluar se kush i tha i pari kujt, pse ajo i kishte thënë asaj tjetrës e të tjera si këto. Sepse për t’i braktisur krejt, është e qartë që s’mundeni(mi). Po s’mundeni të bëni realitet as imagjinatën e mësipërme. Kështu që, largojuni ca, merruni me gjëra tuajat, më të bukura, keni për të qenë më mirë. Ja e morët vesh që aktori është i talentuar dhe i shëndetshëm, që Rudina Xhunga është apo nuk është shtatzënë, që ata të dy po bashkëjetojnë, që andej nga ministria prite kur të plasë… Çfarë, ndiheni më mirë?   ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura