Pse është e lodhshme “arkitektura e vetvetes”?

Jan 12, 2026 | 8:45

gezimtushiGËZIM TUSHI

Kurrë më parë raportet e përgjegjësisë individuale me atë sociale nuk kanë qenë më të vështira për t’u kuptuar dhe të ndërlikuara për t’u interpretuar drejt. Një paqartësi me themele ekzistenciale, e cila është bërë pjesë organike e jetës së përditshme, por edhe një pengesë për të ndërtuar parametrat e të sotmes dhe përballuar sfidat e së nesërmes. Kjo situatë kaotike e shoqëruar me lodhje të njeriut në luftën me jetën konkrete dhe sfidat e përditshmërisë ka arsyet e veta.

Shumica me natyrë subjektive, por po aq edhe me shkaqe ekonomike, sociale e kulturore objektive. Të lidhura së pari me nevojën e kuptimit të ndryshimeve thelbësore të kohës postmoderne, sistemit politik e natyrës dhe dimensioneve së shtetit social. Faktorë që duhen kuptuar jo në mënyrë të sipërfaqshme dhe interpretuar me koncepte doktrinare empirike, por në thelbin e tyre ato ndryshime të thella, të shfaqura në domosdoshmërinë, konceptimin dhe realizimin e mekanizmave që ndihmojnë, favorizojnë apo pengojnë njeriun në rrugën e gjatë, të vështirë e me pengesa të shumta, të shumëfishta në betejën e vazhduar për të ndërtuar “vetveten sovrane”, personalitetin dhe individualitetin e tij.

Kjo luftë e njeriut me kohën, sistemin dhe veten është e vjetër sa bota. Por për ne është imediate dhe aktuale, sepse kemi vetëm tri dekada e gjysmë që kemi hyrë në epokën e shoqërisë postmoderne, duke u përballur brutalisht me të vërtetat e “jetës së vërtetë”, larg metanarrativave ideologjike idiote apo gënjeshtrave të bukura, sikurse ishte jeta e dikurshme e “njeriut të ri”, e mbushur me ketmanë të të gjithë formave, që ndihmonin për të krijuar një identitet të rremë, një vetvete të pavërtetë, një personalitet të dubluar të ndërtuar mbi iluzione, të shfaqura në mënyrë evidente në sjelljes sociale dhe personale, në format konformizmit social banal, si thelb i diktuar për njeriun manekin të socializmit. Njeriu, që më shumë se identiteti dhe vetvetja, e shqetësonte lidhja, marrëdhënia, adoptimi social me faktorët e jashtëm imponues të këtij modeli sjelljeje dhe formë e strukturimit të personalitetit brenda kornizës sunduese, normave të ngurta doktrinariste të jetës në turmën kolektiviste, pa nevojën për të qenë “vetja” dhe pa domosdoshmërinë e strukturimit të “vetvetes” si shfaqje e nevojës humane për identitet personal.

Koha e “njeriut të bindur” dhe mekanizmi i ndërtimit të vetvetes, në përputhje me kërkesat normative politike, ideologjike, morale e sociale të shtetit totalitar dhe shoqërisë me “arkitekturë konvencionale” fikse, të patundur, të pandryshueshme, ishin më të qarta dhe më të sigurta për t’u përmbushur me çdo kusht dhe pa pasoja. Një shoqëri e mbushur me tabu morale, me një enumeracion i pafundëm të ketmanëve ideologjikë, mbuluar me slogane të vendosura në radhë si “fishekë gjerdani”, imponuese politikisht dhe diktuese moralisht, përbënte një terren të thjeshtë të ndërtimit të detyruar të “arkitekturës konformiste” të vetvetes. Në një shoqëri kazerme, me norma fikse, me praninë e një shoqërie të ndërtuar me “njeriun e bindur”, pa identitet dhe subjektivitet, me personalitet të kufizuar nga përmasat e forcës imponuese të “shoqërisë së kontrollit”, nuk ishte e mundur të strukturoje vetveten në përputhje me tipologjinë e veçantë të subjektivitetit personal, pavarësisht nga ndikimet determinante të faktorëve që imponoheshin nga jashtë, brenda të cilëve ishte e pamundur, e palejueshme të mendoje për veten, të ndërtoje edhe vetveten në mënyrë të pavarur. Në një shoqëri “serike”, e ndërtuar nga qenie të ngjashme që jetojnë në të njëjtën mënyrë, që detyrohen të mendojnë njësoj, me parametrat dhe mendjen e “Tjetrit”. Vetja fiziologjikisht ekzistonte, por e shfaqur në mënyrë timide e në hapësira të kufizuara, në përmasa e drejtime të determinuara. Të gjitha “virtytet” sociale e morale, që përbënin piketat e ndërtimit të personalitetit të njeriut të ri të socializmit, nuk favorizonin ndërtimin e vetvetes, por bindjen ndaj të tjerëve.

Pyetja që vjen natyrshëm është: po sot, si paraqiten raportet e reja të njeriut me veten, ndërtimin e strukturës së vetvetes? Në parim, por pjesërisht edhe në praktikë, problemet e vlerësimit të mundësive dhe kushtet e ndërtimit të “arkitekturës së vetvetes” kanë ndryshuar thlbësisht në përmbajtje, në formë dhe në praninë reale të mekanizmave të personalizuara të ndërtimit, sigurimit, garantimit të personalitetit si qenie sociale dhe vetvetes si individ. E megjithatë, edhe pse kushtet politike, ekonomike e sociale kanë ndryshuar radikalisht, ndërtimi i sigurt i “arkitekturës së vetvetes” nuk është aq i thjeshtë, as proces linear, i lirë, pa pengesa objektive dhe subjektive, apo automatikisht dhe vetvetiu i realizueshëm.

Nuk mund të mendosh se mund të strukturosh “arkitekturën e vetvetes”, një shoqëri të lirë, por tejet e ndërlikuar, me faktorë objektivë e subjektivë të paqëndrueshëm, të pasigurt, të rrëshqitshëm apo akoma më keq, me mjetet e vjetra të shoqërisë së dikurshme, me modelet e mënyrës së sjelljes individuale e komportimit social, karakteristike për mënyrën e jetës së bindur (koncepti filozofik i njeriut të bindur) në kohën ndikimeve të forta e gjithëpërfshirëse të shoqërisë së “arritjes dhe performancës”, e cila kërkon përpjekje të pafundme, energji të pareshtura për të siguruar strukturimin e vetvetes në përputhje me imperativat e kohës dhe rregullat e suksesit të lëvizshëm.

Shoqëria shqiptare e kohës sonë ka më shumë hapësira, mundësi, kushte që favorizojnë njeriun në procesin ndërtimit të lirë të personalitetit të vetvetes, sepse ai është më shumë i mbrojtur nga tabutë ideologjike, ketmanët politikë, kornizat e skematizmit antiindividual dhe pengesat e shumta ontologjikisht të pakapërcyeshme të shoqërisë totalitare. Por kjo nuk do të thotë se ky proces është i lehtë, voluntarist, pa pengesa që vijnë nga brenda tij si subjekt dhe nga jashtë, të cilat e pengojnë njeriun në “luftën” me veten dhe shoqërinë për të bërë të mundur spikatjen e vetvetes, të strukturës sa më adekuate të “vetes së veçantë”, të pangjashme, madje të ndryshme nga të tjerët.

Por, duket se njeriut koha postmodern në shoqërinë tonë, natyrshëm që i ka sjellë pengesa të reja, tipike të kohës, të panjohura për jetën e njeriut në shoqërinë kolektiviste, supersociale, të disiplinës së determinuar. Kanë dalë pengesa të reja, ontologjikisht dhe ekzistencialisht të forta, me ndikim të fuqishëm në punën e njeriut për të ngritur “arkitekturën e vetvetes”. Koha ka sjellë patologji të reja, lëndë toksike penguese e frenuese.

Depresioni, frika, pasiguria, ndjenja e vetmisë, asocialiteti, mungesa e garancive jetike afatgjata dhe shumë simptoma të tjera analoge e bashkëshoqëruese, janë fenomene tipike, shenja dalluese për jetën e njeriut në këtë shoqëri postmoderne, e cila është prodhuese e shumë psikovampirëve socialë, që sjellin pengesa të reja në rrugën e vështirë të njeriut për të qenë vetvetja apo sikurse e sintetizojnë sociologët “projekti i të qenurit Ego”. Kjo sepse ka më shumë hapësira apo “tepri mundësish” për të ndërtuar vetveten, më shumë liri veprimi, që bëjnë të mundur shfaqjen e iniciativës personale për ta ndërtuar “arkitekturën” e vetes dhe “personalitetin e vetvetes”. Por kjo është një sfidë kryesisht, madje mund të thosha tërësisht individuale, që duhet mbajtur nga njeriu, nëse do të ndërtojë strukturën e vetvetes apo të shfaqjes “egos fisnike” (jo egoizmit, por vetes). Megjithatë, është e udhës që të kemi një koncept më të gjerë, më të integruar të pengesave patologjike, që pengojnë njeriun të jetë vetvetja, sovran. Sepse krahas faktorëve individualë që lidhen me specifikat psikologjike e tipologjitë e temperamentit, duhen konsideruar edhe faktorët socialë dhe ekonomikë, që lëkundin aftësitë, suksesin në luftën për të kristalizuar vetveten, personalitetin individual. Varfëria akoma në normë të lartë, korrupsioni i bujshëm, neurotizmi i zgjeruar social, kriminaliteti, zbehja e funksioneve kohezive të familjes, pasojat destruktive të divorcit, zgjerimi i bullizmit në të gjitha format, si “kanceri social” shumë i fuqishëm, janë gjithashtu faktorë toksikë për procesin e kristalizimit të lirë e pozitiv të vetvetes.

Në këto kushte është bërë gjithnjë e më e vështirë beteja e njeriut me veten dhe mbi të gjitha, lufta konkurrenciale me veten. Koha është e ashpër. Ajo e detyron njeriun që jo vetëm të konkurrojë me veten, por edhe të luftojë pareshtur me të gjitha energjitë që “tejkalojë vetveten”, si detyrim i faktit që në shoqërinë e sotme solidariteti dhe humanizmi social i dikurshëm, është zëvendësuar me “konkurrencën absolute” të njeriut me veten. Edhe pse kjo luftë e lodh, shpeshherë e rraskapit nga energjitë (sindroma Burnout).

Por, kjo është koha dhe jeta e njeriut të vërtetë. Në këto kushte duhet të bindemi se ndërtimi i “arkitekturës së vetvetes”, asnjëherë nuk është dhuratë apo veprimtari me pritmëri pasive. Është një punë e vështirë, të cilën mund ta përballojë me sukses qytetari, që ka brenda vetes “baterinë e vetëvullnetit” për ta bërë këtë gjë, për ta realizuar këtë mision madhor, si esenca vitale e njeriut që kërkon të jetojë në shoqëri, duke pasur të kristalizuar dhe rezistent identitetin dhe “arkitekturën e vetvetes”.

/Gazeta Panorama 

 

© Panorama.al

Te lidhura