
Komisioni i PS publikon emrin e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit.
Komisioni ad hoc i Partisë Socialiste përzgjodhi Igli Totozanin mes 12 kandidaturave për postin e Avokatit të Popullit. Vendimi u bë publik dje nga kryetarja e këtij komisioni, deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni. Komisioni zhvilloi disa seanca diskutimesh dhe dje arriti të marrë një vendim për kandidaturën më të mirë mes, kryesisht, juristësh. “Kërkuam një Avokat të Popullit me aftësinë për ta synuar dhe imponuar në rrugën e Kushtetutës e të ligjit zbatimin e legjislacionit, duke u bërë mbrojtja publike kurajoze e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim nga shkeljet prej ushtrimit abuziv të pushtetit. Të çdo pushteti, pavarësisht ngjyrës politike. U investuam në këtë proces për t’i ofruar Grupit Parlamentar Socialist dhe pastaj Kuvendit të Shqipërisë një kandidaturë të pakontestueshme moralisht, profesionalisht dhe politikisht”, u shpreh Gjermeni pas shpalljes së kandidaturës së Totozanit. Në faqen online të PS-së, aty ku u pasqyruan të gjitha fazat e garës, komisioni përzgjedhës pasqyroi arsyet pse u zgjodh Igli Totozani. “Në përfundim të gjithë fazave të procedurës, konkursit dhe dëgjesës publike, komisioni ad hoc, i krijuar me vendim të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste: Vendosi, fitues publik dhe i deklaruar i garës është Igli Totozani; Ka një CV të pasur, të shoqëruar me tregues domethënës të aktivitetit shoqëror, shkencor e akademik. Është po ashtu një qytetar aktiv në jetën dhe debatet publike”, thuhet në vendimin e komisionit përzgjedhës.
Kryetarja e komisionit, Eglantina Gjermeni, shprehu dje filozofinë mbi të cilën punoi ky komision në përzgjedhjen e kandidatit. “Kërkuam një Avokat të Popullit me aftësinë për ta synuar dhe imponuar në rrugën e Kushtetutës e të ligjit zbatimin e legjislacionit, duke u bërë mbrojtja publike kurajoze e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim, nga shkeljet prej ushtrimit abuziv të pushtetit. Të çdo pushteti, pavarësisht ngjyrës politike. U investuam në këtë proces për t’i ofruar Grupit Parlamentar Socialist dhe pastaj Kuvendit të Shqipërisë një kandidaturë të pakontestueshme moralisht, profesionalisht dhe politikisht”, u shpreh Gjermeni.
Zhgënjimi
Disa nga 12 kandidatët që ishin në garë, shprehën zhgënjim për mënyrën se si veproi PS-ja dhe komisioni ad hoc në përzgjedhjen e kandidaturës. Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, u shpreh e zhgënjyer nga përzgjedhja e bërë nga komisioni ad hoc. “Jam e befasuar, pse jo edhe e zhgënjyer, që nuk isha unë e përzgjedhura. Unë hyra në garë për të fituar, isha e bindur që i plotësoja të gjitha kërkesat”, u shpreh Subashi. Për Përparim Kabon procesi kishte një non sens. “Avokati i Popullit është një person që ka të bëjë jo me forcat politike. Komisioni që i mori në pyetje 12 kandidatët ishte një komision politik partiak. Këtu mbaron gjithçka. Dëgjesa jonë u bë e hapur, e ndoqi i gjithë publiku, ndërsa votimi i komisionit u bë i mbyllur, një proces që nuk u ndoq nga media”, u shpreh profesor Kabo. Ndërsa kandidatja tjetër, Blerta Kraja, e sheh kandidaturën e përzgjedhur të ndërtuar më shumë mediatikisht. “Vendimi i Komisionit të PS-së na shtron të gjithëve si alternativë se duhet të dalim sa më shumë në TV apo media, se kësisoj u bëke njeri publik dhe dominon mbi të tjerët. Në këtë frymë, po ju jap këtë prononcim të shkurtër, duke falënderuar nga zemra gazetën tuaj për pasqyrimin realist dhe pa sponsorizim të kësaj gare të pazakontë”, u shpreh Kraja.
Subashi: E befasuar dhe e zhgënjyer
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehet e zhgënjyer dhe e befasuar nga përzgjedhja e kandidaturës së Totozanit. “Unë i plotësoja të gjitha kërkesat që PS publikoi për këtë vend pune, kisha të gjithë përvojën e duhur për ta bërë këtë detyrë, isha një person publik, që për aftësitë profesionale nuk kishte kush të më gjykonte, dhe përgatitja për këtë post ishte mjaft serioze. Jam e befasuar, pse jo edhe e zhgënjyer, që nuk isha unë e përzgjedhura. Unë hyra në garë për të fituar, isha e bindur që i plotësoja të gjitha kërkesat”, u shpreh Subashi.
Blerta Kraja: Si avokate e dallova mashtrimin nga larg
“Gjatë procesit të konkurrimit, pra që kur u shpallën emrat e 33 aplikantëve, pati një lojë të pabukur nga disa gazeta, që vetëdeklarohen opozitare, duke pompuar fort një emër dhe duke hedhur baltë mbi të tjerët. Kjo pjesë ia zvetënoi bukurinë garës dhe ne që jemi avokatë e i dallojmë mashtrimet që larg, na shtonte hije dyshimi se diçka po ndodhte. Këtë herë nuk e di pse kisha dëshirë që Avokati i Popullit të vinte nga komuniteti i avokatëve dhe jo nga i juristëve në përgjithësi. Vendimi i Komisionit të PS-së na shtron të gjithëve si alternativë se duhet të dalim sa më shumë në TV apo media, se kësisoj u bëke njeri publik dhe dominon mbi të tjerët. Në këtë frymë, po ju jap këtë prononcim të shkurtër, duke falënderuar nga zemra gazetën tuaj për pasqyrimin realist dhe pa sponsorizim të kësaj gare të pazakontë”.
Besnik Dervishi: PS të mbështesë asetet e saj
“Në asnjë rast nuk e ndiej veten humbës, përkundrazi, për herë të parë pas disa vitesh kam ndjerë solidaritetin dhe vlerësimin e një numri të pafund socialistësh e dashamirësish, gjë që më ka bërë të ndihem mirë si asnjëherë tjetër në jetën time. Është një precedent që duhet mbështetur. Ndoshta prezantimi i objektivave të mia, mesa duket ka qenë i ndryshëm nga ato të komisionit vlerësues dhe për arsye etike si ndaj kolegëve përfaqësues të PS-së, ashtu edhe në profesion, rezervohem të shprehem. Nga ana tjetër, e them me bindje të plotë që Partia Socialiste duhet të jetë më e vendosur dhe e pakompleksuar në mbështetjen e aseteve të saj”.
Hazizaj: Kandidati u vendos nga Rama
“Nuk mund ta kontestoj, për shkak se unë jam profesionist në fushën time, nuk mund ta kundërshtoj, për shkak se kandidatura ime është më e mira nga njëmbëdhjetë të tjerat. Nuk mendoj se kandidatura ishte e paragjykuar për shkak se dhe vetë kandidaturën e kishin paragjykuar nëpërmjet
Twitter-ave që përdorte kandidati, paçka se në një pjesë të tyre shkruante herë keq dhe herë mirë për veten e tij. Kandidati hapi 30 adresa dhe dërgonte me emrat “Pelikani”, “Atdhetari” etj. Mendoj se një ndihmesë të madhe në këtë përzgjedhje ka dhënë vetë kryetari i PS-së dhe një miku i tij. Do ta konsideroja si një produkt i përbashkët i kryetarit dhe shoqërisë civile”.
Perparim Kabo: Komisioni, jo në të gjitha i hapur
“Avokati i Popullit është një person që ka të bëjë jo me forcat politike. Komisioni që i mori në pyetje 12 kandidatët ishte një komision politik partiak. Këtu mbaron gjithçka. Edhe diçka tjetër, dëgjesa jonë u bë e hapur, e ndoqi i gjithë publiku, ndërsa votimi i komisionit u bë i mbyllur, një proces që nuk u ndoq nga media. Unë e përjashtoj veten se nuk jam jurist, dhe pse ligji flet më shumë për të drejtat e njeriut. Po midis nëntë juristëve të tjerë, ky ishte më i miri? Mbi ç’kritere? Nëse edhe kriter është impresioni i jurisë, le ta pranojmë si hapin e parë që do t’i hapë rrugë një procesi që do vijë duke u konsoliduar”, u shpreh Përparim Kabo.
Volfarth përshëndet përzgjedhjen
Kreu i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, mirëpriti përcaktimin e kandidaturës së PS-së për Avokatin e Popullit. Ambasadori Volfarth vlerësoi se ky është një hap kyç për plotësimin e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili sipas tij, duhet të funksionojë me efikasitet. Sipas tij, Avokati i Popullit është organi i cili mbron të drejtat e qytetarëve, dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë një vendim sa më shpjet.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











