PS voton pro paktin me Francën

Sep 14, 2011 | 10:53

Në votimin e parë të këtij sesioni parlamentar, deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë votuar të organizuar si grup, por në mënyrë individuale.Kjo u vu re gjatë votimit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kur kandidatët për anëtarë në këtë bord morën më shumë vota sesa deputetët e maxhorancës në sallë. Nga deputetët e maxhorancës në kohën e votimit mungonin Kryeministri Berisha dhe ministrat Imami, Ksera dhe Mediu, duke pasur 70 deputetë në sallë. Jo gjithmonë deputetët socialistë dhanë votën kundër, duke abstenuar në disa ligje. Në sallën e Parlamentit dje ishin 128 deputetë, vota të cilat u dhanë të plota për “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Francës për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Më pas u kalua në votimin e dy ligjeve, për të cilat ishte diskutuar më parë nga përfaqësues të të dy krahëve, anëtarë të komisioneve parlamentare. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.173, datë 22.10.2009 ‘Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të Drejtësisë’”, mori 70 vota pro të maxhorancës, 45 kundër, 3 abstenime, ndërsa 10 deputetë të opozitës nuk morën pjesë në votim. Po ashtu dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9718, datë 19.4.2007 ‘Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë’”, mori 69 vota pro, 51 kundër, 6 abstenime, 2 nuk morën pjesë në votim. Ethem Ruka, relator i Komisionit të Shëndetësisë, theksoi se Komisioni e ka marrë në shqyrtim këtë projektligj në të cilin propozohen që të bëhen dy ndryshime të vogla teknike, meqenëse në variantin e vitit 2007 janë harruar disa specialitete, të cilat aktualisht nuk përfshihen në Urdhrin e Infermierit. Ndërsa ndryshimi i dytë ishte për të pasuruar Këshillin Kombëtar të Urdhrit të Infermierit me përfaqësues të tjerë nga Shoqata e Pacientëve, nga Sindikata e Infermierëve, në mënyrë që të rritet sa më shumë pjesëmarrja në këtë Këshill Kombëtar. Ndërsa në votimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vota ishte më fleksibël, ku disa deputetë të opozitës dhanë votën pro tyre. Astrit Hodo mori 72 vota pro, 56 kundër; Kastrin Katro mori 73 vota pro, 53 kundër dhe 2 abstenime; Enkelejda Shehi mori 72 vota pro, 53 kundër dhe 3 abstenime; Enkelejda Idrizi mori 77 vota pro, 46 kundër dhe 5 abstenime.

Votimi dje në Parlament

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Astrit Hodo,     72 vota pro,     56 kundër
Kastrin Katro,     73 vota pro,     53 kundër
Enkelejda Shehi,      72 vota pro,     53 kundër
Enkela Idrizi,     77 vota pro,     46 kundër

“Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave
të Republikës së Francës për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”,    128 vota pro

Ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të Drejtësisë”,
70 vota pro,     45 kundër,      3 abstenime

Ligji “Për Urdhrin e Infermierit”,
69 vota pro,     51 kundër,     6 abstenime,
3 nuk morën pjesë në votim

Autoriteti i Konkurrencës
Kuvendi nuk votoi dje zgjedhjen e Lindita Milos si kryetare të Autoritetit të Konkurrencës, duke e shtyrë këtë votim për seancën e ardhshme. Shkak u bë kundërshtimi nga socialistët i këtij votimi, pasi, sipas tyre, kjo kandidaturë nuk ka kaluar më parë në Komisionin e Ekonomisë. Për t’i dhënë fund debatit, kryetarja e Kuvendit vendosi që votimi i saj të shtyhet. Andis Harasani dhe Arben Malaj kanë kërkuar që më parë kandidatura të diskutohet në Komisionin e Ekonomisë së Parlamentit. Ndërsa kryetari i këtij Komisioni, Edmond Spaho, u shpreh se kjo kandidaturë ka kaluar në Komision dhe ka marrë miratimin e tij. Ai ka shpjeguar se për zgjedhjen e saj, propozimi vjen nga një deputet.

Kompromisi, shtyhet Gjykata Administrative
Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative” u tërhoq nga rendi i ditës dhe votimi. Ky projektligj kërkonte edhe votat e opozitës, e cila kishte marrë vendim një ditë më parë të mos e votonte atë pa bërë ndryshimet e nevojshme për shkak të kohës së gjatë nga diskutimi i fundit që i është bërë atij, dy vjet më parë.  Kryeparlamentarja Topalli, me kërkesë të dy kryetarëve të grupeve parlamentare, vendosi të shtyjë votimin e projektligjit bazë për ngritjen e Gjykatës Administrative, por duke e lënë atë sërish në kalendarin e punimeve. Një ditë më parë, kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi se opozita do të angazhohej për reformat, por nuk do të jepte asnjë votë dhe karton jeshil për ligjet me 3/5, sa për t’i hedhur hi syve Brukselit.

PS: Qytetarët i tremben rastit të Trebickës, Nishani: S’ishte dëshmitar
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se falë ligjeve të hartuara prej saj, asnjë dëshmitar nuk vihet në shërbim të Drejtësisë për të zbardhur ngjarjet. Deputetja e selisë rozë, Ermonela Felaj, u shpreh se qytetarëve u mungon besimi te Drejtësia. “Nuk u mungon sensi i drejtësisë dhe as ai civil shqiptarëve. U mungon besimi në atë strukturë shtetërore që nevojitet të mbrojë jetët e atyre që besojnë te Drejtësia. Kosta Trebicka, i pari dëshmitar i aferës më të madhe kriminale që mori plot 26 jetë njerëzish në fabrikën e vdekjes në Gerdec, nuk u vu kurrë nën ndonjë masë të posaçme mbrojtjeje, edhe pse dëshmia e tij implikonte përfaqësuesit më të lartë shtetërorë. Përfundimi: u bë viktimë e asaj që pa, që dëgjoi dhe së fundi, pati kurajën të dëshmonte publikisht. Thuhet se shkoi për gjah, por, me sa duket, u bë ai vetë gjahu…”.
Në përgjigje të kësaj deklarate, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha se “është pakorrektësi politike kur përmenden një sërë emrash në këtë sallë, duke i referuar ata si bashkëpunëtorë apo si dëshmitarë të Drejtësisë. I ndjeri Kosta Trebicka nuk ka qenë asnjëherë dëshmitar i Drejtësisë, nuk ka kërkuar të jetë dëshmitar, nuk është kërkuar nga organi i Drejtësisë për të qenë dëshmitar. Një ngjarje tashmë e hetuar, e sqaruar nga organet e Drejtësisë, jo pjesë e Ekzekutivit shqiptar, nuk kemi të drejtën qytetare të vazhdojmë të ngacmojmë plagën e familjarëve të tij”.

ARISTIR LUMEZI



© Panorama.al

Te lidhura