Grupi parlamentar socialist vendosi dje bojkot të jetës parlamentare. Në orën 14:00, në selinë rozë me deputetët ka qenë i pranishëm dhe kreu socialist, Edi Rama.Nga diskutimet e bëra, është lënë që fillimisht PS të ngrijë marrëdhëniet me Kuvendin, duke nënkuptuar mospjesëmarrje në komisionet parlamentar, por dhe në seancën plenare të Kuvendit, deri në përfundim të procesit zgjedhor të 8 majit. Vetë Edi Rama është shprehur se qëndrimi i PS dhe deputetëve të saj do të varet nga vendimi që do të marrë Kolegji Zgjedhor për rezultatin e Tiranës dhe vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, gjatë mbledhjes ka pasur dhe zëra për një radikalizim të qëndrimit të PS, duke mos njohur asnjë nga institucionet. Deputetët Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj këna kërkuar nga grupi një qëndrim të qartë dhe të vendosur radikal, bojkot të Kuvendit dhe qëndrim në këtë pozicion deri në rikthimin e ligjshmërisë në KQZ dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar, ashtu siç është lexuar nga të gjithë. Ndërsa sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade, kërkoi në mbledhjen e djeshme një qartësim të qëndrimit që PS dhe deputetët e saj do të mbajnë për këtë situatë, pasi, sipas saj, ky qëndrim duhet të dalë nga një vendimmarrje kolegjiale, e jo përmes deklaratave në televizione. “Unë dua të di se çfarë qëndrimi zyrtar do të mbajë grupi parlamentar socialist, sepse ne ende nuk kemi një vendimmarrje, ndërsa shohim në televizione deklarata për bojkot, revolta dhe lënie mandatesh të deputetëve dhe të të zgjedhurve vendorë. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat që bëjmë dhe e shoh me vend që ato të dalin si rrjedhojë e një vendimmarrje kolektive, dhe jo si deklarata personale”, mësohet të jetë shprehur Dade. Deputeti socialist Arben Malaj kërkoi një qëndrim më të qartë, dhe jo konfuz të grupit parlamentar socialist, lidhur me zgjedhjet e 8 majit. Sipas tij, me deklaratat e deritanishme të bëra nga përfaqësues të PS duket se nga njëra anë kërkohet bojkot i institucioneve dhe nga ana tjetër mbështetje nga ndërkombëtarët, të cilët nga ana e tyre kanë përsëritur zhvillimin e debatit dhe të luftës politike brenda institucioneve. “Unë dua të di se çfarë qëndrimi zyrtar do të mbajë grupi parlamentar socialist, sepse ne ende nuk kemi një vendimmarrje, ndërsa shohim në televizione deklarata për bojkot, revolta dhe lënie mandatesh të deputetëve dhe të të zgjedhurve vendorë. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat që bëjmë dhe e shoh me vend që ato të dalin si rrjedhojë e një vendimmarrje kolektive, dhe jo si deklarata personale”, mësohet të jetë shprehur Malaj.
Diskutimet në grupin e PS
Gramoz Ruçi: Jemi sot në një situatë që njihet nga të gjithë, kur KQZ, në shkelje të hapur të ligjit, nuk shpalli rezultatin e Tiranës, numëroi votat e hedhura gabim në kutitë e tjera, të cilat nga të gjitha KZAZ-të deri në atë moment u cilësuan të pavlefshme. Ne jemi duke ndjekur me ekspertët dhe specialistët tanë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë shkelje ligjore, e cila është flagrante. Por qëndrimi ynë politik duhet të jetë i papajtueshëm me të gjithë sjelljen e maxhorancës, pasi është Berisha që dikton në këto veprime të KQZ. Në këtë kuptim, ne duhet të vendosim një marrëdhënie të ngrirë me Parlamentin, duke mos marrë pjesë as në komisionet parlamentare dhe as në seancat plenare.
Taulant Balla: Unë mendoj se këtu ku kanë shkuar gjërat, duke përdhosur ligjin dhe duke dhunuar opozitën përmes mijëra policëve të të gjitha strukturave, ne duhet të jemi të vendosur në qëndrimin tonë, duke mos njohur Parlamentin. Qëndrimet tona duhet të jenë radikale dhe të mos tërhiqemi nga ky pozicion.
Arben Ahmetaj: Jam dakord me Taulantin. Qëndrimi ynë nuk duhet të lëkundet. Ne duhet të vendosim bojkotin tonë me Parlamentin, pasi kur shkelet edhe vota që u numërua në sy të të gjithë shqiptarëve, s’kemi çfarë u themi dhe njerëzve tanë që na mbështesin. Përveç bojkotit, ne duhet të organizojmë popullin që na kërkon një qëndresë sa më të fortë ndaj këtij pushteti policor dhe kusarësh.
Arben Malaj: Ne si parti ligjore duhet të ndjekim të gjithë hapat ligjore që na jep ligji dhe Kushtetuta. Nuk duhet të krijojmë mbivendosje të qëndrimeve tona. Nuk mund të kërkojmë nga njëra anë mbështetje të faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të ambasadorëve më të rëndësishëm në Shqipëri dhe nga ana tjetër të radikalizojmë qëndrimin tonë, duke dalë nga institucionet e zgjedhura nga populli. Këtu ne duhet të jemi të qartë me veten në radhë të parë, me popullin që na ka votuar, por dhe me ndërkombëtarët që na mbështesin dhe duan të shohin veprime brenda kuadrit ligjor për të cilin kemi pranuar dhe rënë dakord të gjithë.
Arta Dade: Unë dua të di se çfarë qëndrimi zyrtar do të mbajë grupi parlamentar socialist, sepse ne ende nuk kemi një vendimmarrje, ndërsa shohim në televizione deklarata për bojkot, revolta dhe lënie mandatesh të deputetëve dhe të të zgjedhurve vendorë. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm me deklaratat që bëjmë dhe e shoh me vend që ato të dalin si rrjedhojë e një vendimmarrje kolektive, dhe jo si deklarata personale.
Edi Rama: Ne duhet të kuptojmë se çështja e goditjes së demokracisë përmes vjedhjes së votës përmes KQZ-së nuk është më vetëm çështja jonë, por dhe e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët po përpiqen intensivisht që të vendosin në hullinë e ligjit këtë proces. Nuk është momenti për të vendosur për veprime dhe qëndrime radikale, vendimet do të merren në kohën e duhur, duke parë sjelljen dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për këtë proces.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











