
Sekretari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, përmes një e mail-i dërguar të gjithë deputetëve socialistë u kujton atyre mënyrën se si duhet votuar në seancën e sotme parlamentare.
Gazeta ka zbuluar emailin e plotë të Ballës, sipas të cilit vota e deputetëve socialistë duhet të jetë pa përjashtim kundër buxhetit gjatë diskutimit nen për nen në seancën e sotme të Kuvendit. “Për seancën plenare të datës 5 dhjetor 2011 të Kuvendit të Shqipërisë, grupi ka vendosur si më poshtë: Votimi nen për nen i projektligjit “Për buxhetin e shtetit 2012”.KUNDËR!”, thuhet në njoftimin që sekretari i Grupit Parlamentar socialist u drejton deputetëve, duke i njohur me vendimet e marra në mbledhjen e fundit të grupit.
Gjithashtu, në njoftimin e Ballës, deputetëve u kujtohet se votimi për buxhetin është një vendim politik i Grupit Parlamentar. “Ashtu siç është vendosur nga Grupi ynë Parlamentar, vendimmarrja politike e marrë në mbledhjen e grupit do të respektohet pa përjashtim nga të gjithë deputetët”, shkruan Taulant Balla në e mail-in e tij drejtuar të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar. E mail-i u është drejtuar të gjithë deputetëve të grupit, por vë në dijeni për këtë njoftim kryetarin e partisë dhe kryetarin e Grupit Parlamentar socialist.
Mësohet se ka disa javë që në Grupin Parlamentar socialist është vendosur edhe kjo mënyrë njoftimi e deputetëve si për rendin e ditës së mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, ashtu dhe për mënyrën se si do të votohet në seancat plenare, duke u kujtuar deputetëve vendimin e marrë gjatë mbledhjeve në grup.
Kjo mënyrë ka nisur të aplikohet, pasi ka pasur raste që deputetët që kanë munguar në mbledhjen e grupit nuk kanë qenë të orientuar rreth vendimmarrjes së mbledhjes. Por gjithashtu kjo mënyrë njoftimi mësohet se ka filluar të aplikohet rregullisht edhe pas debateve për vota të hedhura kundër vendimmarrjes në grup.
Në debatet e zhvilluara në mbledhjet e Grupit Parlamentar, disa deputetë janë justifikuar me faktin se nuk kanë qenë të qartë me vendimin që kishte marrë grupi rreth projektligjeve që votoheshin në seancë plenare. Por gjatë votimeve në Parlament, sekretari i grupit, Balla, është parë që të orientojë votimin e deputetëve socialistë duke ngritur kartonin, para se deputetët të shtypnin butonin e votimit.
© Panorama.al











