Partia Socialiste akuzon Kryeministrin se po blen mediat e pavarura me paratë e korrupsionit dhe të kontrabandës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Sajmir Tahiri, tha se rasti më i fundit është ai i “News24”. “Makineria e parave të pista të korrupsionit e kontrabandës së Saliut dhe Lulit, është ndezur si kurrë më parë për të vënë diktatin, duke i blerë me para të pista ato media që po rezistojnë të lira, e për të nënshtruar duke shkatërruar e asgjësuar nga godinat e deri në themel, ato media që me para nuk i blen dot kurrë”, tha deputeti i PS-së. Sipas tij “rasti më i fundit për të cilin jemi vënë në dijeni, dhe njëkohësisht rasti më flagrant, është rasti i televizionit “News24″. Prej disa kohësh, njerëz të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin, po përpiqen të blejnë këtë televizion me çdo çmim, duke përdorur paratë e pista të korrupsionit për të cilin Saliu vrau qytetarë të pafajshëm në bulevard, si dhe paratë e pista të kontrabandës së armëve me të cilat diktatorë anembanë botës vrasin qytetarë që protestojnë për liri e demokraci”. Nga ana tjetër, Partia Demokratike reagoi dje duke hedhur poshtë akuzat e opozitës. Në një deklaratë të selisë blu, thuhet se “për fat të keq, kjo deklaratë, tregon se Partia Socialiste dhe kryetari i saj, nuk ka ndërmend të lëvizë nga kursi i vjetër i politikës së shpifjes, hedhjes së baltës dhe të konfliktit. Për më tepër, qëndrime të tilla qesharake, sa vijnë dhe shtohen, ndërsa vendi është futur në fushatën për zgjedhjet vendore të 8 majit”. Sipas PD-së “siç edhe demonstrohet çdo ditë, media në vend është e lirë, raporton dhe mban qëndrime kundër qeverisë sa herë të dojë. Problemi është se me lirinë e të shprehurit po abuzon në fakt Partia Socialiste, e cila shpif çdo ditë të vitit”.











