
Opozita në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kërkon futjen në axhendën parlamentare të ligjit për kontrollin parlamentar të Shërbimit Informativ Shtetëror.Në mbledhjen e djeshme të Komisionit, ku pas shumë muajsh bojkot ishin edhe deputetët e Partisë Socialiste, u miratua një marrëveshje me qeverinë franceze për “shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Në fjalën e tij, në përfundim të miratimit të marrëveshjes, nënkryetari i këtij komisioni, Ilir Gjoni, vuri theksin pikërisht te rikthimi në axhendën e Kuvendit të draftit të hartuar së bashku me ekspertët e OSBE-së. “Dua të ngre në vëmendjen e Komisionit se është hartuar një projektligj për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative. Projektligj që është hartuar dhe me konsulencën e OSBE-së dhe ekspertëve britanikë. Projektligji është në Kuvend dhe është mirë që t’i sugjerojmë kryetares që ai të futet në axhendën e këtij Kuvendi për t’u marrë në shqyrtim sa më shpejt”, u shpreh Gjoni. Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj, i cili theksoi se SHISH ka shtatë vjet që nuk kontrollohet nga Komisioni i Sigurisë. “Është e rëndë për ta thënë, por SHISH nuk është kontrolluar nga Parlamenti dhe institucioni përkatës që ka Parlamenti, që është Komisioni i Sigurisë, gjatë gjithë aktivitetit të tij prej 6-7 vjetësh. Kjo, për mendimin tim, është bërë për shkak të neglizhencës tashmë të deklaruar të maxhorancës për t’u marrë me SHISH-in në mënyrë institucionale. Kjo maxhorancë e ka fokusuar vetëm për ta prishur dhe denigruar SHISH-in”, theksoi Lutaj. Në përgjigje të deklaratave të deputetëve të opozitës, kryetari i Komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Leonard Demi, tha se kontrolli për SHISH-in ka munguar për shkak të boshllëqeve në ligj, ndërkohë që ka theksuar se ka pasur raste kur raportimet e kreut të Shërbimit kanë dalë të gjitha në publik. “Për institucionet e tjera ne e kemi bërë kontrollin dhe kemi qenë shumë efikas. Për SHISH-in nuk e kemi bërë sepse nuk kemi ligj. Ligjin për kontrollin e shërbimeve informative në Shqipëri e ka filluar maxhoranca”, u shpreh Demi. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, i Partisë Socialiste, kërkoi zhvillimin e disa seancave raportimi me krerët e Ministrisë së Brendshme, të Drejtësisë, të Mbrojtjes dhe asaj të Jashtme. “Do të përfitoja nga rasti të parashtroj dhe njëherë kërkesën për disa raportime që ne si përfaqësues të opozitës i konsiderojmë të domosdoshme për të parë ecurinë e disa prej institucioneve kryesore të sigurisë kombëtare, siç është një raportim i nevojshëm nga ministri i Mbrojtjes dhe drejtori i SHIU-t, që të vijnë të raportojnë për reformën që është bërë dhe bëhet te SHIU dhe në përgjithësi, të reformave të Ushtrisë, për t’iu përshtatur sa më shumë standardeve të NATO-s. Po ashtu kemi kërkuar që dhe ministri i Brendshëm, dhe sidomos drejtori i Përgjithshëm i Policisë, të bëjnë një raportim mbi ecurinë e reformave në Policinë e Shtetit dhe kryesisht për situatën kriminale në vend”, është shprehur Gjoni. Duke u ndalur te kërkesa për raportimin e ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Demi tha se kreu i Diplomacisë ka raportuar një herë më parë, megjithatë, shtoi se nëse do të ketë një kërkesë nga Komisioni, ai do të jetë sërish i pranishëm.
Debatet në Komision
Ilir Gjoni: Dua të ngre në vëmendjen e Komisionit se është hartuar një projektligj për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative. Projektligj që është hartuar dhe me konsulencën e OSBE-së dhe ekspertëve britanikë. Projektligji është në Kuvend dhe është mirë që t’i sugjerojmë kryetares që ai të futet në axhendën e këtij Kuvendi për t’u marrë në shqyrtim sa më shpejt.
Leonard Demi: Janë detyrime kushtetuese që Komisioni i ka kryer në bazë të axhendës dhe do të vazhdojë t’i kryejë, për të plotësuar detyrimin e vet kushtetues.
Pirro Lutaj: Është e rëndë për ta thënë, por SHISH nuk është kontrolluar nga Parlamenti dhe institucioni përkatës që ka Parlamenti, që është Komisioni i Sigurisë, gjatë gjithë aktivitetit të tij prej 6-7 vjetësh.
Leonard Demi: Për institucionet e tjera ne e kemi bërë kontrollin dhe kemi qenë shumë efikas. Për SHISH-in nuk e kemi bërë sepse nuk kemi ligj. Ligjin për kontrollin e shërbimeve informative në Shqipëri e ka filluar maxhoranca.
Rikthimi në Kuvend, PS voton pro paktit me Francën
Partia Socialiste ka dhënë votën e saj pro për një marrëveshje në Komisionin e Sigurisë, pas shumë kohësh qëkur bojkotoi punimet e Parlamentit. Në mbledhjen e djeshme është diskutuar pakti me qeverinë franceze për “shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Në marrëveshje parashikohen masat e nevojshme që duhet të marrin dy qeveritë në përputhje me legjislacionin e tyre të brendshëm, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtje të përshtatshme të informacionit të klasifikuar. “Republika e Shqipërisë merr përsipër që informacionin e klasifikuar, të siguruar nga qeveri të huaja apo organizata ndërkombëtare, ta sigurojë në kushte të tilla që të shmangë ekspozimin dhe njohjen e tij nga persona të paautorizuar. Marrëveshja përcakton mënyrën dhe etapat e masave të sigurisë që duhet të marrin palët për dërgimin e informacionit të klasifikuar nëpërmjet shkëmbimit të tyre”, thuhet në relacionin e marrëveshjes. Në përfundim të diskutimeve deputetët e të dyja partive të mëdha votuan pro paktit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











