
Asambleja Kombëtare miraton listën e re të kuotizacionit të anëtarësisë së saj
Biznesmenët do paguajnë më shumë, të varfrit më pak
Partia Socialiste nisi të realizojë programin e saj për taksat brenda anëtarësisë së saj. Një vendim i djeshëm i Asamblesë Kombëtare kërkon që kuotat e partisë të paguhen në bazë të të ardhurave, ata që fitojnë më shumë do të paguajnë më shumë, ata që kanë më pak të ardhura, do të paguajnë më pak. Mbi bazën e këtij parimi të ndjekur edhe në hartimin e programit ekonomik të saj, PS-ja nis të aplikojë brenda radhëve të saj taksimin e diferencuar sipas të ardhurave. Biznesmenët, të cilët një vit më parë paguanin 12 mijë lekë të rinj në vit si kuotë anëtarësie, këtë vit do të paguajnë 20 mijë lekë të rinj, plot 8 mijë lekë të rinj më shumë. Ndërsa detyrimi i kuotizacionit për anëtarët e thjeshtë, “për studentët, pensionistët, të papunët, punonjës fshati”, mbetet minimal dhe i pandryshuar, vetëm 200 lekë të rinj në vit. Edhe kuota që deputetët socialistë paguajnë për partinë në vit mbetet e pandryshuar, 72 mijë lekë të rinj në vit. Çdo muaj, deputetëve socialistë u mbahen nga rroga 6 mijë lekë të rinj, fond që kalon direkt përmes bankës në llogarinë bankare të PS-së. Kategoritë e tjera të kuotizacionit mbeten të pandryshuara, si kategori të ndërmjetme të punësimit. Të punësuarit në sektorin shtetëror dhe aktivitetin e vogël privat do të paguajnë 1 mijë lekë të rinj në vit për partinë, anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së tretë, të komunave, kryepleqtë do të paguajnë 1500 lekë të rinj, anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së dytë, 2000 lekë të rinj në vit, anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së parë, 2500 lekë të rinj, kryetarët e komunave, nënkryetarët e bashkive të kategorisë së dytë e të tretë dhe sekretarët e bashkive/komunave do të paguajnë 5 mijë lekë të rinj, dhe 10 mijë lekë të rinj do të paguajnë në arkën e PS-së si kuotizacion kryetarët e bashkive të kategorisë së dytë dhe nënkryetarët e bashkive të kategorisë së parë. Një kuotë e pandryshuar, por relativisht e lartë, ka mbetur kuotizacioni që duhet të paguajnë kryetarët e bashkive të kategorisë së parë, 20 mijë lekë të rinj në vit, aq sa ç’paguan dhe një biznesmen jo i vogël.
Kontrolli
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare nga disa anëtarë është propozuar një rritje e lehtë e kuotizacionit që duhet të paguajnë nënkryetarët e bashkive të mëdha, apo drejtorët e drejtorive dhe sekretarët e përgjithshëm apo administratorët e tyre, për vetë pagat e larta që ata marrin. Kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, i ka konsideruar të diskutueshme këto propozime, por e vuri theksin te mundësia e pagesës dhe e mbledhjes së këtyre kuotave. Mësohet se deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së janë anëtarët më të rregullt që paguajnë rregullisht kuotat e partisë, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera, veçanërisht kategoria e parë, të papunët, pensionistët dhe studentët thuajse nuk arkëtojnë asgjë në arkën e PS-së. Ish-sekretari organizativ në PS, aktualisht anëtar i sekretar për Pushtetin Vendor, ka kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të asamblesë të bëhet një raportim se si mblidhen aktualisht kuotat e partisë dhe se si shpërndahen e administrohen ato. Mësohet se një pjesë e fondit të kuotizacionit të PS-së i kalon qendrës në Tiranë dhe një pjesë i shkon degëve në rrethe, për t’i ndihmuar edhe ato që të funksionojnë.
Kuotizacioni i ri i PS
200 lekë
Për studentët, pensionistët, të papunët, punonjës fshati1000 lekë
Të punësuarit në sektorin shtetëror dhe aktivitetin e vogël privat1500 lekë
Anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së tretë, të komunave, kryepleqtë2000 lekë
Anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së dytë2500 lekë
Anëtarët e këshillave të bashkive të kategorisë së parë5000 lekë
Kryetarët e komunave, nënkryetarët e bashkive të kategorisë së dytë e të tretë dhe sekretarët e bashkive/komunave10000 lekë
Kryetarët e bashkive të kategorisë së dytë, nënkryetarët e bashkive të kategorisë së parë20.000 lekë
Kryetarët e bashkive të kategorisë së parë20.000 lekë
Biznesmenët72.000 lekë
Deputetët
Rama: Programi ynë ka parësor sensin e qeverisjes me drejtësi
Partia Socialiste ka nisur punimet për prezantimin e programit të saj për “Një Rilindje Shqiptare”. Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama pohoi dje se do të nisë ndarja e përgjegjësive dhe detyrave midis anëtarëve për të shpërndare programin në çdo qytet dhe çdo fshat të vendit. Kreu i opozitës deklaroi se programi i PS-së i ofron Shqipërisë një mundësi reale për të ndryshuar dhe për t’u afruar në familjen Europiane. “Ne kemi marrë një angazhim solemn për të vendosur në themelin e alternativës sonë për “Një Rilindje Shqiptare” një politikë të re, e cila sensin e drejtësisë e ka shtysën e vet parësore. Sensin e drejtësisë, duke filluar nga domosdoshmëria për të qeverisur me drejtësi, për të marrë vendime të drejta në të gjitha aspektet dhe për të përçuar frymën e së drejtës për të gjitha qeliza e shoqërisë. Programi ynë kërkon nga njëra anë një zbërthim të të gjitha tezave të guximshme që ai përmban, për të ndërtuar politika të reja, që priren drejt ndryshimesh radikale, por nga ana tjetër, kërkon kontributin e të gjithëve”, deklaroi Rama. Për shefin e së majtës, përmbysja e sistemit të mbledhjes dhe shpërndarjes së të ardhurave do të jetë një prioritet që do të realizohet në qeverisjen e PS-së. Rama rikonfirmoi dhe vullnetin për të implementuar taksimin progresiv për të pasurit, ndërkohë që premtoi shërbim shëndetësor falas dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Ndërkaq, gjatë punimeve të Asamblesë, Rama ka folur dhe për ngjarjet e 21 janarit dhe kërkesën e vazhdueshme të opozitës dhe familjarëve për të vendosur drejtësi. “Bashkëngjis këtu kërkesën tonë publike dhe këmbëngulëse për Prokurorinë, e cila, bazuar mbi të gjitha provat dhe falë mbështetjes së ekspertizës më të lartë botërore, në drejtim të interesimit të saj i shkoi deri në fund çështjes së drejtësisë për 21 janarin”, pohoi Rama.
Berisha: Taksa progresive është populiste
Kryeministri Berisha i ka cilësuar propozimet e PS-së për taksën progresive një populizëm pa materie dhe që sigurisht nuk sjell uljen e varfërisë, ndërsa e ka ftuar atë të jetë konkrete me propozimet që sjellin uljen e varfërisë në vend dhe jo propozime që sjellin truste dhe favorizojnë kompani të caktuara. Sipas tij, ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progresive është ideja e shkatërrimit të suksesit ekonomik të reformave.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












