
“Një nga vlerat më themelore që ka PS, është solidariteti njerëzor e respekti për kontributet”
Ish-kreu socialist, Fatos Nano, e cilësoi të gabuar përjashtimin e Kastriot Islamit nga Grupi Parlamentar Socialist. I ndodhur dje në ceremoninë e promovimit të librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu, Nano u shpreh se një përjashtim i tillë do të ishte me pasoja për Partinë Socialiste. I pyetur nga “Panorama” se çfarë mendon për përjashtimin e mundshëm të Islamit nga Grupi Parlamentar Socialist, Nano tha: “Nuk e di sa e qartë është kjo situatë, por do të ishte një veprim shumë i gabuar, jo vetëm politikisht, por edhe për një nga vlerat më themelore që ka Partia Socialiste, solidaritetin njerëzor dhe respektin për kontributin për të gjithë brezat”, u shpreh ish-kryetari i Partisë Socialiste. Ai bëri apel që Partia Socialiste të mos përsërisë të njëjtat fenomene dhe dukuri si ato të Partisë së Punës së Enver Hoxhës. Nano kërkoi solidaritet dhe stabilitet të brendshëm për të ruajtur mbështetjen e saj në popull. “Kam besim që PS nuk mund të lëshohet kaq kollaj në ethet e së kaluarës, si kjo që përshkruan edhe Fevziu në bibliografinë për Enver Hoxhën. Do të ishte një gabim fatal, por unë dua të besoj se socialistët dinë të ruajnë solidaritetin dhe mbi të gjitha, vlerësimin që mbajnë stabilitetin politik elektoral të partisë gjallë”, u shpreh Nano.
Kryesia
Për ish-kreun socialist, edhe mënyra se si u zgjodh Kryesia e re e PS-së, e cila la jashtë saj disa emra të rëndësishëm, janë filozofi e gabuar. “Në eksperiencën dhe filozofinë time, kjo është rruga e gabuar”, u shpreh Nano. Ish-kreu socialist ishte i shoqëruar dje në promovimin e librit të Fevziut nga bashkëshortja e tij Xhoana, ndërsa gjatë gjithë kohës ai ka pasur takime me personalitetet e larta që ndodheshin në këtë ceremoni. Blendi Fevziu, i zoti i shtëpisë, bëri të mundur një shtrëngim duarsh mes Nanos dhe Kryeministrit Berisha, i cili ndodhej në këtë ceremoni. Mes dy burrave, përveç një shtrëngimi duarsh nuk pati deklarata politike, por ata pyetën njëri-tjetrin për shëndetin dhe familjet. Pak minuta më pas, Nano dhe Berisha u ndanë prej tyre, ndërsa ka qenë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ai që u takua me ish-kreun socialist me të cilin Nano shkëmbeu urimet e kortezisë. Pas tij, një tjetër diplomat i rëndësishëm në Tiranë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili gjithashtu shkëmbeu pak fjalë me kryeministrin e fundit socialist. Duke komentuar politikën shqiptare jashtë politikës së ditës dhe mbi palët, Nano shprehu angazhimin e tij të vazhdueshëm për të mbajtur sa më gjatë konsensuset në politikën shqiptare. “Kam thënë që me eksperiencën politike dhe filozofinë e krijimit të konsensuseve më të mëdha kombëtare në dobi të integrimit dhe përshpejtimit të axhendës europiane të Shqipërisë, jam, kam qenë dhe do të jem prezent në axhendën politike të vendit, jo vetëm tani, por edhe në 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar, nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash, ky është një imperativ që e ka çuar vendin para deri sot e që duhet të konsolidohet në mënyrë që të mos biem viktima të ngërçeve të reja politike”, u shpreh Nano. Pak ditë më parë, ish-kreu socialist shprehu hapur kandidaturën e tij për president vitin e ardhshëm. Në një intervistë dhënë në “Top Channel” nga Londra, Nano u shpreh se është duke gjetur partnerët e duhur nga të dy kampet. “Unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale, jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur për fat të keq dy vitet e fundit. Jam shumë i vëmendshëm për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshme prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkurruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit”, u shpreh Nano në intervistën e tij në “Top Channel”.
Grupi parlamentar i PS do debatojë rreth propozimit të Ramës për ta çregjistruar
Deputeti takon Ruçin: Dua mbledhje të hapur për mediat.
Grupi Parlamentar Socialist do të mblidhet sot në orën 13:00 për të diskutuar çregjistrimin e Kastriot Islamit. Deputetët socialistë janë konsultuar dje nga kryetari socialist, nga ku kanë mësuar se në këtë mbledhje do të ketë propozim konkret për të çregjistruar nga grupi deputetin Islami, i cili në seancën e fundit parlamentare u largua dhe nuk mori pjesë në votimin e Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së. Sinjalin e parë për këtë masë e dha kryetari socialist, Edi Rama, në mbledhjen e parë të Kryesisë socialiste ditën e premte, ku kërkoi zbatimin e statutit për të gjithë ata që shkelin vendimet politike të grupit parlamentar. Por pasi ka bërë propozimin, Rama në mbledhjen e Kryesisë nuk ka dashur të diskutohet më tej, duke ia lënë të gjithë barrën e diskutimit dhe vendimit mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist. Dhe pse ishte vendosur që kjo çështje të mos bëhej publike dhe të ruhej si sekret i brendshëm i PS-së, lajmi u bë publik në media, ndërsa asgjë zyrtare nuk mbërriti në adresë të deputetit që pritet të çregjistrohet.
Islami-Ruçi
Islami mësohet se ka kontaktuar dje me kreun e Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, të cilit i ka kërkuar një mbledhje të hapur për mediat për të ballafaquar qëndrimet dhe filozofinë e tij politike me atë të lidershipit të PS-së. Mësohet se Islami i ka sqaruar Ruçit se përjashtimi që kërkon Rama nuk ka të bëjë as me rregulloren e as me disiplinën, por me konceptin europian të sjelljes së PS-së dhe filozofinë e bashkimi të së majtës për të garantuar fitoren e saj përballë interesave politike të Ramës dhe veprimeve radikale në funksionin të forcimit të pozitave të tij në krye të PS-së. “Kjo është arsyeja që kërkoj mbledhje të hapur me mediat, në mënyrë që të ballafaqohen këto dy filozofi, njëra në funksion të fitores të së majtës dhe tjera për forcimin e pozitave të kryetarit dhe kontrollin e PS-së”, mësohet t’i ketë kërkuar Islami kreut të Grupit Parlamentar, Ruçi. Pritet që mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar Socialist të zhvillohet mes debateve të forta, dhe pse përkrahësit e çregjistrimit të Islamit nga Grupi Parlamentar do të mundohen të mos ushqejnë debate gjatë mbledhjes. Pritet që të ketë një votim në fund të mbledhjes, ndërsa ende nuk konfirmohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar Socialist. Mbledhja e kryesisë socialiste nuk kaloi pa debate për këtë çështje. Anëtari i kësaj Kryesie, Arben Malaj, i ka kërkuar Ramës që të mos ndërmarrë masa ndëshkuese e përjashtuese, sepse sipas tij, ato do të jenë të dëmshme për sfidat politike të PS-së. “Ne nuk duhet të synojmë rritjen e efikasitetin tonë politiko-elektoral duke rritur masat ndëshkimore ndaj çdo deputeti socialist, edhe në rastet kur mospjesëmarrja në votime apo votimi abstenues nuk prodhon një rezultat politik negativ për PS-në, por ‘shkelje të disiplinës’. Me mospjesëmarrjen e tyre, kolegët deputetë të PS-së nuk i sollën një dështim politik PS-së në votimin përkatës”, është shprehur Malaj në mbledhjen e parë të Kryesisë së re të PS-së. Nga ana e tij, edhe deputeti Ben Blushi kërkoi një dëgjim të deputeti socialist para se të nisë një diskutim rreth çregjistrimit të tij. “Kastrioti të takohet me kryetarin e grupit dhe t’i tregojë atij arsyet e mungesës së tij në seancën e votimit, pasi mund të ketë pasur edhe ai ndonjë arsye të fortë, si dhe Pandi”, është shprehur Blushi. Por, kreu socialist ka kërkuar që ky diskutim të mos jetë pjesë e Kryesisë, por e Grupit Parlamentar.
Statuti i PS
Neni 363. Shkallën e autonomisë së anëtarëve të vet për votimin në seancën parlamentare, grupi vendos paraprakisht, sipas rëndësisë dhe natyrës së projektligjit që shqyrtohet. Vendimi politik i marrë më shumicën e votave në mbledhjen e GPS është i detyrueshëm për zbatim prej tyre.
4. Në rastet e mospjesëmarrjes, votimi kundër dhe abstenimit ndaj vendimit politik për çështje të tilla si:
a. miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar;
b. miratimi i buxhetit të shtetit;
c. votëbesimit për qeverinë, përbërjen dhe programet që ajo paraqet;
ç. zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore;
d. çështjet të tjera më rëndësi të veçantë që vlerësohen si të tilla nga Grupi i PS-së.
Deputeti çregjistrohet menjëherë nga GPS5. Në rastet e pikës “d” deputeti mund të kërkojë, por jo më parë se një vit, revokimin e masës në Kryesinë e Grupit të PS, e cila është e detyruar ta shqyrtojë dhe të marrë vendimet përkatëse.
Vendimi i Kryesisë së Grupit të PS-së miratohen në Kryesinë e PSSH-së.
Agasi: Në PS nuk kanë ndodhur përjashtime
Ish-sekretari socialist i Burimeve Njerëzore, Bardhyl Agasi, i cilësoi të paprecedenta përjashtimet për PS-në. “Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në PS që të ketë përjashtime. Madje, ka pasur dhe debate shumë të ashpra dhe kundërvënie ndaj liderit të partisë dhe në asnjë rast nuk rezultoi të ketë ndonjë përjashtim. Me vjen keq që kohët e fundit ka dy raste për përjashtime. Është fjala për 6 deputetët, të cilët i dhanë një zgjidhje krizës presidenciale dhe mbështetën Presidentin. Atë President që sot e mbështet PS-ja, dhe duket i pakuptimtë përjashtimi i tyre, duke parë dhe ngjarjet e fundit. Dhe kjo linjë vazhdon me përjashtimin e një prej figurave më të spikatura e më të njohura dhe themeluesit të PS-së, siç është Kastriot Islami. Me duket se është gjetur një shkak për të marrë këtë vendim tepër të nxituar”, u shpreh dje Agasi.
Rama takon deputetët: Ata që duan çregjistrimin të mos debatojnë
Një ditë para mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, ku do të vendoset përjashtimi i Kastriot Islamit, kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka zhvilluar dje takime me disa deputetë. Burime nga PS-ja bëjnë të ditur për gazetën se mesditën e djeshme Rama ka pritur në zyrën e tij deputetë sipas qarqeve, dhe më konkretisht, ata nga Lezha, Berati, Korça dhe Elbasani. Mësohet se në këto takime, të cilat kanë zgjatur nga rreth 30 minuta, ka folur vetëm Rama. Ai u ka kërkuar deputetëve të Grupit Parlamentar që gjatë mbledhjes, e parashikuar të nisë në orën 13:00, të shmangen sa më shumë debatet dhe nxehja e situatës. Kreu socialist ka njoftuar deputetët se në rendin e ditës do të jetë pikërisht qëndrimi që do të mbahet ndaj anëtarit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, Kastriot Islami. Gjatë mbledhjes, pritet të jetë Rama që do të kërkojë zbatimin e statutit të PS-së, sipas të cilit ndaj deputetit mund të merret masa e largimit nga grupi, nëse nuk voton sipas qëndrimit zyrtar të partisë. Rama mësohet t’u ketë kërkuar deputetëve në takimet e djeshme që të mos kërkojnë të debatojnë, nëse do të votojnë pro shkarkimit të Islamit. Ndërsa për deputetët që janë kundër, mund të diskutojnë dhe të argumentojnë qëndrimin e tyre. Ky është takimi i parë i Grupit Parlamentar Socialist që pas mbledhjes së Kryesisë të premten e kaluar, ku u hodh për herë të parë propozimi për përjashtimin e Kastriot Islamit. Ish-ministri socialist mungoi në seancën e së enjtes në Kuvend, ku për shkak të disa mungesave, PS-ja nuk rrëzoi dot dekretin e Presidentit të mbështetur nga maxhoranca për të emëruar në krye të KLSH-së Bujar Leskajn.
Berisha: Kombi sot e ka mendjen te Kaçi
“Edhe nëse reflekton Mehmeti (Islami), s’reflekton Enveri”

Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar Socialist ka qenë në qendër të batutave dhe gjatë promovimit të librit “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut. Vetë Kryeministri Berisha nuk ka kursyer batutat për vendimin që pritet të marrë të martën Grupi Parlamentar i PS-së. Kryeministri Berisha është takuar për pak çaste dhe me deputetin socialist, i cili ishte nën shoqërinë e Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, por dhe organizatorit të këtij takimi Blendi Fevziu, Aleksandër Frangajt dhe Henri Çilit. Gjatë takimit me ish-kreun socialist Fatos Nano, Berisha nuk ka dashur të shkëmbejë ndonjë batutë politike, por është kufizuar vetëm për interesimin e shëndetit dhe familjes së Nanos. Për një moment Berishës i është kërkuar ta shoqërojë këtë me një batutë politike. “Sot batuta është vetëm e Islamit. Çfarë do që të thuash, kombi e ka mendjen vetëm te Kaçi… derisa t’i pritet koka”, u shpreh Berisha duke qeshur. Madje, kreu i maxhorancës, duke bërë paralelizma me subjektin e librit të Fevziut, e ka krahasuar Edi Ramën dhe Kastriot Islamin me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. “Njerëzit që kanë lexuar librin, bëjnë lidhjen e fatit të Kaçit nesër dhe personazheve të librit të Enverit”, u shpreh Berisha. Pasi është ndarë nga Nano, Kryeministri Berisha është pyetur nga mediat rreth qëndrimit të tij për zhvillimet e brendshme në PS. I pyetur se mos duhet në këto momente të reflektojë deputeti socialist, Berisha tha: S’kemi ç’t’i bëjmë dhe po reflektoi si Mehmeti (Islami), nuk reflekton ai tjetri (Rama), se është Enveri”, tha Berisha duke qeshur. Kryeministri ka takuar një pjesë të madhe të të ftuarve dje në ceremoninë e promovimit të librit të Fevziut, përfshirë deputetët e PS-së, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj etj. Kreu i qeverisë shqiptare dhe homologu i tij kosovar kanë pasur një takim të veçantë, të pashqetësuar nga të ftuar të tjerë, me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Gjithashtu, kreu i qeverisë u takua dhe me kreun e BE-së në Tiranë, Sequi dhe personalitete të tjera prezente në ceremoninë e promovimit.
Batutat e Berishës për përjashtimin e Islamit
Sali Berisha: Sot batuta është vetëm e Islamit. Çfarë do që të thuash, kombi e ka mendjen vetëm te Kaçi…( qesh) derisa t’i pritet koka”I pyetur nëse mund të reflektojë zoti Islami, Kryeministri Berisha u shpreh duke krahasuar Edi Ramën dhe Kastriot Islamin me personazhet e librit të Blendi Fevziut
Sali Berisha: Njerëzit që kanë lexuar librin, bëjnë lidhjen e fatit të Kaçit nesër dhe personazheve të librit të Enverit. S’kemi ç’t’i bëjmë, edhe po reflektoi si Mehmeti (Islami), nuk reflekton ai tjetri (Rama), se është Enveri.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












