PS, sondazh për koalicionet

Sep 12, 2011 | 11:10
Grupi parlamentar i PS

Selia rozë kërkon të testojë të zgjedhurit e saj për rezultatin zgjedhor dhe të marrë një vlerësim për kryetarin, Kryesinë e Asamblenë Kombëtare.Sekretari Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj, u ka shpërndarë deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare një pyetësor, përmes të cilit, përveç propozimeve për reformën organizative dhe statutore, kërkohet të merret një mendim sa më i gjerë nga të zgjedhurit për atë që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit. I ndarë në gjashtë kapituj, ku përfshihen 57 pyetje, sondazhi i Sekretariatit të PS-së tenton të marrë një mendim sa më të plotë rreth të gjitha çështjeve që debatohen në PS, që nga përgjegjësitë për humbjet elektorale, largimet apo ndëshkimet në parti, amnisti të figurave që kanë qenë dhe kundër vijës zyrtare të ndjekur nga kjo forcë politike si dhe hapjes së saj ndaj intelektualëve dhe të rinjve. Që në fillim të pyetësorit kërkohet një vlerësim nga i intervistuari, i cili është një i zgjedhur në PS lidhur me funksionimin e kryetarit të Partisë, Kryesisë, sekretarëve, Asamblesë Kombëtare, Asamblesë lokale, Asamblesë së rrethit, kryetarëve të partisë të njësive vendore, kryetarëve të rretheve, këshillave bashkiakë e komunalë, si dhe Grupit Parlamentar. Gjithashtu kërkohet nga të intervistuarit të merret mendimi se si kanë reaguar këto institucione pas rezultateve të deritanishme në këtë parti. “A ka vend për reflektim e ndryshime në funksionimin e institucioneve të mësipërme? Çfarë do të sugjeronit konkretisht? Cili është vlerësimi juaj për mënyrën e vendimmarrjes në forumet dhe institucionet e mësipërme?”, thuhet në pyetësor. Në kapitullin e aleancave dhe koalicioneve zgjedhore, kërkohet të merret një opinion sa më i gjerë për shkaqet që çuan në humbjet elektorale të Partisë socialiste. “A mendoni se një ndër faktorët e rezultatit zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 ishte qasja e PS ndaj koalicioneve dhe ndërtimi i koalicioneve prej PS dhe PD? A)PS nuk arriti të ndërtojë një koalicion fitues; b)PS ndërtoi një koalicion fitues dhe fitoi, por rezultati i zgjedhjeve u deformua?”, thuhet në pyetësorin e PS. Më tej kërkohen dhe mendime se si duhet të jenë koalicionet e ardhshme dhe me cilat parti duhet të ndërtohet. “Si e mendoni ju përbërjen e mundshme të një koalicioni zgjedhor të PS për zgjedhjet e ardhshme? Cilat parti ose grupime politike duhet të ftohen në këtë koalicion? A duhet të parashikohen në Statut disa parime dhe kushte themelore për ndërtimin e koalicioneve politike dhe zgjedhore?”, thuhet në pyetësorin e PS.
Propozimet
Në pyetësorin që u është shpërndarë të zgjedhurve, janë hedhur për diskutim dhe propozimet e bëra nga anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, i cili kërkon modernizimin dhe hapjen e PS. “A duhet të ketë kufizime dhe papajtueshmëri në mandatet politike dhe përfaqësuese të PS? Cilat mandate duhet të kufizohen dhe cilat të përjashtohen? Si mund të realizohet më mirë hapja e PS ndaj intelektualëve, simpatizantëve, të rinjve, grave si dhe ndaj ish-drejtuesve ose aktivistëve socialistë që në vite kanë pasur qëndrime të ndryshme ndaj vendimmarrjes së saj politike?”, thuhet në pyetësor.

Pyetësori i PS për Statutin dhe reformën organizative
• Cili është vlerësimi juaj lidhur me funksionimin e forumeve, institucioneve drejtuese e përfaqësuese të partisë, në të gjitha nivelet (kryetari i Partisë, Kryesia, sekretarët, Asambleja Kombëtare, Asambleja lokale, Asambleja e rrethit, kryetarët e partisë të njësive vendore, kryetarët e rretheve, këshillat bashkiakë e komunalë, Grupi Parlamentar)?
• A ka vend për reflektim e ndryshime në funksionimin e institucioneve të mësipërme? Çfarë do të sugjeronit konkretisht?
• Cili është vlerësimi juaj për mënyrën e vendimmarrjes në forumet dhe institucionet e mësipërme?
• A ka nevojë për ndryshime në procedurat e vendimmarrjes së institucioneve të mësipërme, për të garantuar një raport më të drejtë/demokratik dhe funksional midis vendimmarrjes kolegjiale, lirisë së shprehjes, diversitetit të mendimeve dhe debatit produktiv? Çfarë do të sugjeronit konkretisht?
• Ju mendoni se PS ka nevojë për një statut me norma gjerësisht të detajuara, apo për një statut parimesh e rregullash themelore, i shoqëruar me një libër të rregullave, të nxjerra në bazë dhe për zbatim të normave statutore, një pjesë e të cilave edhe me vendimmarrje të cilësuar?
• A duhet të ketë kufizime dhe papajtueshmëri në mandatet politike dhe përfaqësuese të PS? Cilat mandate duhet të kufizohen dhe cilat të përjashtohen?
• Si mund të realizohet më mirë hapja e PS ndaj intelektualëve, simpatizantëve, të rinjve, grave si dhe ndaj ish-drejtuesve ose aktivistëve socialistë që në vite kanë pasur qëndrime të ndryshme ndaj vendimmarrjes së saj politike?
• Si mund të harmonizohen më mirë në PS kontributet dhe përvoja me energjinë e të rinjve? A duhet të ketë kritere më të qarta dhe raporte të përcaktuara në procesin e konkurrimit dhe përzgjedhjes? Çfarë do të propozonit konkretisht për përmirësimin e raporteve dhe bashkëpunimit midis brezave në gjirin e PS?
• Si i vlerësoni ju rregullat aktuale statutore lidhur me kufizimin e përkohshëm të mandatit politik dhe përjashtimin nga forumet vendimmarrëse dhe organizata socialiste në rastet e abuzimit dhe kundërvënies publike ndaj programit politik dhe vendimmarrjes politike kolegjiale? A duhet të ketë kritere dhe norma më të qarta për këto masa dhe të ç’natyre duhet të jenë ato? Çfarë do të propozonit konkretisht?
• Jeni për ruajtjen e strukturës aktuale të kryetarit të rrethit, apo për ndarjen sipas 66 ZAZ-ve, sipas Kodit Elektoral?
• Ç’mendime keni për numrin e delegatëve të Kongresit, procedurën e zgjedhjes së tyre, raportin delegatë-të zgjedhur nga strukturat dhe delegatë që hyjnë exoficio, si dhe për mandatin e delegatëve të kongresit?
• Mendoni që përveç funksioneve vendimmarrëse, AK e PSSH të ketë në kompetencat e saj dhe shqyrtimin e raporteve periodike të sekretarëve të PSSH? Çfarë propozoni konkretisht?
• Çfarë mendimi e propozimesh konkrete keni për mënyrën e ndarjes së detyrave e përgjegjësive për anëtarët e Kryesisë së PSSH? Duhet të jenë tematike, apo në bazë territori? Çfarë propozoni konkretisht?
• Cili është vlerësimi për funksionimin e sekretariatit Ekzekutiv si strukturë ekzekutive, rolin dhe kompetencat e tij, ndikimin në strukturat e PS të bazës?
• A ka nevojë për përcaktim më të qartë të kompetencave dhe funksioneve të Sekretariatit ekzekutiv të Partisë? Nëse po, çfarë propozoni konkretisht?
• A mendoni se një ndër faktorët e rezultatit zgjedhor gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 ishte qasja e PS ndaj koalicioneve dhe ndërtimi i koalicioneve prej PS dhe PD? A) PS nuk arriti të ndërtojë një koalicion fitues; b) PS ndërtoi një koalicion fitues dhe fitoi, por rezultati i zgjedhjeve u deformua?
• Si e mendoni ju përbërjen e mundshme të një koalicioni zgjedhor të PS për zgjedhjet e ardhshme? Cilat parti ose grupime politike duhet të ftohen në këtë koalicion? A duhet të parashikohen në Statut disa parime dhe kushte themelore për ndërtimin e koalicioneve politike dhe zgjedhore?

Sekretariati
Në pyetësorin e PS kërkohet një mendim dhe për funksionimin e Sekretariatit ekzekutiv të Kryesisë, duke insistuar në kompetencat dhe ndikimin që ky
Sekretariat ka pasur. “Cili është vlerësimi për funksionimin e Sekretariatit ekzekutiv si strukturë ekzekutive, rolin dhe kompetencat e tij, ndikimin në strukturat e PS të bazës? A ka nevojë për përcaktim më të qartë të kompetencave dhe funksioneve të Sekretariatit ekzekutiv të Partisë?”, thuhet në pyetësor.

Delegatët
Një pikë e nxehtë që i paraprin kongresit zgjedhor të nëntorit është dhe ajo e delegatëve që hyjnë automatikisht në të dhe nuk kalojnë përmes votimit, ku bëjnë pjesë deputetët, ish-kryeministrat dhe ish-presidentët. “Ç’mendime keni për numrin e delegatëve të kongresit, procedurën e zgjedhjes së tyre, raportin delegatë-të zgjedhur nga strukturat dhe delegatë që hyjnë exoficio, si dhe për mandatin e delegatëve të kongresit?”, thuhet në pyetësorin për reformën organizative dhe statutore.

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura