Opozita vijoi edhe dje protestën e saj para godinës së KQZ-së. Protestës iu bashkuan dhe shumë pjesëmarrës nga qytetet e afërta me Tiranën, si Elbasani, Durrësi, Lushnja, Fieri, Lezha, Fushë-Kruja, të cilët iu përgjigjën pozitivisht apelit të PS për të mbështetur protestën e opozitës.Edhe dje protesta u zhvillua sipas strategjisë së re të PS-së, pa përplasje dhe konfrontime me forcat e policisë, të cilët, nga ana e tyre, dukeshin më të qetë dhe më të lehtë në pajime. Paraditen e djeshme, temperaturat e larta pranverore nuk i penguan protestuesit të qëndronin disa orë para godinës së KQZ-së, ku deputetët i bënë thirrje kryeministrit Berisha dhe kryetarit të KQZ-së të ndërpresë numërimin e votave të hedhura gabimisht në kuti të tjera. Të pajisur me kapele, kryesisht të bardha dhe kapele portokalli të fushatës së PS në 2009-n, por në disa raste dhe kapele të improvizuara me fletë gazetash, simpatizantët e opozitës janë munduar të mbajnë gjallë frymën e protestës. Nga qytetet e afërta me Tiranën kanë mbërritur në kryeqytet me dhjetëra autobusë dhe furgonë që kanë sjellë protestuesit.
Deputetët
Deputetët socialistë, njëri pas tjetrit, mbajtën fjalën duke iu drejtuar protestuesve me megafon, nga ku bënin thirrje për qëndresë në mbrojtje të votës së lirë dhe kundër vjedhjes së votës. Deputeti Pandeli Majko tha se “jemi mbledhur të mbrojmë ligjin e votën. Ftoj Ristanin të mos bëhet qen stani. S’mund të legalizosh votat në kuti të gabuar”. Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, avokat Ngjela, pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, e quajti protestën e PS një lëvizje popullore. “O do të marrim lirinë e votës, o do të bëjmë çdo sakrificë për të realizuar demokracinë perëndimore në Shqipëri”. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha gjatë fjalës së tij se janë “tri familje që kanë bërë valixhet, dhe ato janë familja e Ristanit, e Saliut dhe e Bashës. Madje, Ristani po i mban valixhet te familja e Saliut, se çdo natë po fle atje, e nuk fle te apartamenti i tij”.
Pasdite
Më të shumtë në numër, opozitarët protestuan sërish dje pasdite rreth orës 18:00, para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që brenda saj, Komisioni debatonte rastet e ankimimeve të subjekteve politike rreth zgjedhjeve të 8 majit. Ishin më të shumtë dhe deputetët pjesëmarrës, të cilët vazhduan fjalimet e tyre nën vëzhgimin paqësor të forcave policore, më të pakta në numër se dy ditë më parë. “Sot, dy prej intelektualëve më të mëdhenj të Shqipërisë, Ismail Kadare, njeri i njohur i botës së letrave, dhe Përparim Kabo, antropolog, i drejtuan të dy, veçmas, një thirrje Lulzim Bashës, duke i kërkuar që t’i japë fund kësaj ndyrësie elektorale. Lulzim Basha sot ka mundësinë e artë për të na treguar atë që u përpoq të na tregonte në fushatën e tij, se nuk është si Saliu, se është ndryshe”, u shpreh Bushati. Ndërsa deputeti Ilir Beqja e cilësoi betejën mes maxhorancës dhe opozitës si betejën mes qytetërimeve. “Kjo është betejë midis dy qytetërimeve. Ne jemi e ardhmja, ata janë e shkuara”, u shpreh Beqja. Në fund të protestës së pasdites, rreth orës 20:30, më i vjetri i deputetëve, Namik Dokle, i thirri sërish protestuesit në tubimin e sotëm në orën 10:00 paradite. “Sali Berisha, me një grup trima, i iku gozhda, i mbeti vrima. Gozhda është Ristani. Që vrima të jetë më e madhe, nesër, këtu, në ora 10:00”, u shpreh Dokle, duke mbyllur tubimin paqësor.
ARISTIR LUMEZI











