PS seleksionon 12 emra për Avokatin e Popullit

Dec 9, 2011 | 13:41
Eglantina Gjermeni

Komisioni Përzgjedhës i PS-së për kandidaturën e Avokatit të Popullit ka lënë në garë 12 emra. Pasi janë shqyrtuar dosjet e 33 aplikantëve, komisioni gjykoi se kriteret për postin e Avokatit të Popullit përmbusheshin nga 12 kandidatë. “Pas një hulumtimi të vëmendshëm të dosjes së çdo aplikanti për t’u përzgjedhur si kandidat apo kandidate për Avokat të Popullit, Komisioni Përzgjedhës ad hoc thërret për fazën e dytë në dëgjesën publike të së hënës, datë 12 Dhjetor 2011, 12 emra”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit Përzgjedhës të bërë publik në faqen online në internet. Lista e kandidatëve që do të zhvillojnë seancën dËgjimore dominohet nga juristë, të cilët do të duhet të ballafaqojnë legjislacionin e vendit në veprimtarinë kushtetuese të Avokatit të Popullit. Të hënën, në ambientet e Universitetit Mesdhetar, çdo kandidat do të dëgjohet për 15 minuta nga Komisioni Përzgjedhës, gjatë të cilave do të paraqesë vizionin e vet për detyrën e Avokatit të Popullit. Për paraqitjen e tyre kandidatët do të mund të përdorin sipas dëshirës edhe në po//er point. 10 minuta të tjera do të jetë koha e pyetjeve nga ana e Komisionit, në funksion të shtjellimit të vizionit të paraqitur apo shpjegimeve të ndryshme që me gjasë do të nevojiten për procesin e përzgjedhjes.
Akuzat
Në përgjigje të akuzave të bëra nga një prej kandidatëve në listën prej 33 emrash për postin e Avokatit të Popullit, Besim Ndregjoni, i cili u shpreh i zhgënjyer nga kjo listë, reagoi dje anëtarja e Komisionit Përzgjedhës, Eglantina Gjermeni. “Zoti Ndregjoni dëshironte të konkurronte dhe këtë ma shprehu drejtpërdrejtë. Unë nga ana ime e sigurova zotin Ndregjoni më shumë se një herë se komisioni ynë s’ka asnjë parapëlqim dhe asnjë paragjykim, por ka përgjegjësinë ndaj opozitës dhe ndaj publikut të nxjerrë kandidaturën që gjykon më të përshtatshme në fund të procesit. Duke qenë se zoti Ndregjoni nuk e kishte depozituar aplikimin ende dhe biseda jonë e fundit u bë ditën e fundit, në respekt të asaj çka zoti Besim Ndregjoni përfaqëson si drejtues i një organizate të të përndjekurve politikë, po edhe të historisë së tij personale e familjare, dhe sigurisht mbi fjalën e tij se donte të futej në garë ne vendosëm ta përfshijmë në listë në mirëbesim”, u shpreh Gjermeni dje në sqarim të akuzave të Ndregjonit. Sipas saj, “bashkë me një aplikant tjetër, dokumentacioni i të cilit erdhi me postë në orët e fundit, numri i aplikantëve u ngjit kështu nga 31 që deklaruam në mesditë kur u pyetëm nga shtypi, në 33 në mbrëmje”.

Kandidatët për Avokatin e Popullit
1.     Artur             Lazebeu
2.     Besnik         Dervishi
3.     Bilal             Kola
4.     Blerta         Kraja
5.     Dëshira         Subashi
6.     Elisabeta         Imeraj
7.     Ermir             Dobjani
8.     Ksenofon         Krisafi
9.     Igli             Totozani
10.     Përparim         Kabo
11.     Qirjako         Qirko
12.     Sokol             Hazizaj

12 kandidatë
janë në garën e së hënës për postin e Avokatit të Popullit, përballë Komisionit Përzgjedhës ku ata do të paraqesin vizionin e tyre për të drejtuar këtë institucion

Ndregjoni: U zhgënjeva

Besim Ndregjoni

Kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë, Besim Ndregjoni, u shpreh dy ditë më parë i zhgënjyer nga lista e PS-së për kandidatët për Avokatin e Popullit. “Nuk kam aplikuar për Avokat të Popullit. Kam pyetur pranë Komisionit të Përzgjedhjes së kandidaturave, sepse më pëlqeu ideja e hedhur nga kryetari i PS-së, zoti Rama, për të mos pranuar kandidatura politike, por vetëm nga shoqëria civile, apo dhe kategori të tilla si ish-të përndjekurit politikë. Kur pashë listën e emrave që kishin aplikuar kuptova se ajo që zoti Rama kishte deklaruar ishte një shou politik. Në lista ka vetëm emra politikë nga Partia Socialiste dhe nuk gjeta asnjë emër nga shoqëria civile apo kategoria që unë përfaqësoj. Kjo më bëri që të mos e bëj aplikimin për Avokat të Popullit. Të them të drejtën, u zhgënjeva plotësisht, siç jam zhgënjyer në këto 20 vjet nga politika shqiptare”, u shpreh Besim Ndregjoni.

© Panorama.al

Te lidhura