PS: Rritja e çmimeve, për faj të Qeverisë

Mar 7, 2011 | 10:08

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë për rritjen e çmimeve të ushqimeve në treg. Sekretari i Këshillit Ekonomik të PS-së, Ervin Bushati, tha në një konferencë për shtyp se shifrat e nxjerra nga qeveria, sipas të cilave inflacioni është i pandryshueshëm në këtë periudhë, nuk janë të vërteta. “Rritja e pandalshme e çmimeve të ushqimeve në treg, po prek sot në një masë të gjerë jetesën e familjeve normale, dhe jo me vetëm familjet e varfra. Bizneset e qeveritarëve kontrollojnë tregun dhe bëjnë para me monopolet që mbrojnë, ndërsa fatura patjetër që i mbetet dikujt tjetër, qytetarit. Shifra e prodhuar nga qeveria për inflacionin zyrtar, që mbetet po njësoj, edhe në këtë vit të rëndë tingëllon e pavërtetë në realitetin tonë”, u shpreh Bushati. Sipas tij, “shqiptarët janë tashmë të dëmtuar rëndë nga ngritja e çmimeve në ushqime, në ilaçe, në energji, në karburante etj. Të ushqyerit është problem në Shqipëri, sepse ne jemi katër herë më të varfër se mesatarja e BE-së (Eurostat). Qeveria është shkaktare e situatës së rënduar. Ajo bllokon funksionimin e një tregu të lirë, duke ndihmuar dhe kontrolluar biznese monopol. Në studimin e fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Shqipëria renditet në vendin e 109-të/139-të në botë, përsa i përket monopoleve. Janë pikërisht këto monopole të qeveritarëve, që ruajnë çmimet e larta në treg të ushqimeve sot”. Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, theksoi më tej se ekzekutivit është duke ruajtur monopolin e të bërit para me çmime të larta në treg. “Fraza të kohës së komunizmit që përdor kabineti Berisha, si ‘spekulante”, “mafia e miellit” apo “kulakë”, janë huazuar keq nga filma të dobët të realizmit socialist, ndërsa qeveria shmanget nga përballimi me problemin real të vendit, ushqimin e popullatës. Shkaktarë të kësaj situate të rëndë nuk janë as familjet, e as tregtarët, të cilët veprojnë ashtu si kanë vepruar gjithmonë. Fajin e ka një dorë qeverisëse, dhe jo mijëra aktivitete të ndershme private në treg”.

© Panorama.al

Te lidhura