PS nuk fut në kalendar shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Ina Zhupa: Iu duhet për projektet e librit “Albanian Files” të Ramës

Jul 14, 2026 | 13:40

Kryetarja e Komisionit për kulturën, turizmin dhe diasporën Ina Zhupa, deklaroi se mazhoranca rrëzoi me 7 vota kundër kërkesën e saj për të përfshirë në projekt-kalendarin e punimeve nismën ligjore për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të depozituar prej saj më 14 maj.

zhupa

Sipas Zhupës, refuzimi për ta futur nismën në kalendar deri në fund të korrikut tregon se mazhoranca nuk dëshiron as debat dhe as shfuqizimin e ligjit, pasi ai u shërben projekteve të parashikuara në zonat e mbrojtura.

Ajo argumentoi se ligji 21/2024 ka hapur rrugën për ndërtime në këto zona, duke dobësuar mbrojtjen e tyre, ndërsa e lidhi qëndrimin e mazhorancës me projektet e paraqitura në librin “The Albanian Files”, të promovuar nga Kryeministri Edi Rama si vizioni për zhvillimin e turizmit shqiptar.

“Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.”, thekson ajo.

Reagimi i Ina Zhupës: 

Sot, në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkova që në projekt-kalendarin e punimeve të përfshihej për shqyrtim nisma ime për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të cilën e kam depozituar që më 14 maj.

Përfaqësuesit e mazhorancës votuan 7 vota kundër dhe refuzuan ta fusin në kalendar deri në fund të korrikut. Një vendim që tregon qartë se nuk duan as debat, e jo më shfuqizim të këtij ligji.

Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.

Ligji 21/2024 hapi derën për ndërtime në zonat e mbrojtura, dobësoi mbrojtjen e pasurisë sonë natyrore dhe vuri në rrezik biodiversitetin, peizazhet dhe të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj ai duhet të shfuqizohet sa më parë.

© Panorama.al

Te lidhura