
Kërkohet votimi i fshehtë për dekretet dhe ulje e masave disiplinore.
Partia Socialiste rikthen në Parlament nismën për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Në mbledhjen e dy ditëve më parë të grupit të punës që është ngritur për reformën parlamentare, opozita ka kërkuar që nisma e saj, e tërhequr përkohësisht, të diskutohet sërish. Burime nga grupi i punës, i përbërë nga dy përfaqësues, të maxhorancës dhe opozitës, bëjnë të ditur për gazetën se dy ekspertë të Kuvendit po përgatisin materialet dhe të gjithë praktikën europiane që do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme. Maxhoranca, nga ana e saj, është shprehur skeptike për propozimet e opozitës, por ende nuk ka artikuluar asnjë qëndrim derisa nisma të rikthehet zyrtarisht dhe të diskutohet në mbledhjen e grupit të punës.
Nisma e PS
Propozimi kryesor i Partisë Socialiste për ndryshimin e Rregullores është mënyra se si votohen raportet e komisioneve hetimore që propozojnë shkarkimin e drejtuesve të institucioneve. Në draftin e paraqitur fillimisht në shtator nga PS-ja propozohet që “Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë”. Gjithashtu, PS kërkon që të hiqet pika 1/1 e nenit 60 të Rregullores, ku thuhet: “Në rastin e dhënies së pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit për emërim në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, votimi është nominal”. Një tjetër amendament i opozitës është edhe puna që bëjnë komisionet parlamentare me zhvillimin e seancave dëgjimore me kandidatët për institucionet e ngritura me ligj. Pas precedentit kur disa dekrete të Presidentit për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese u rrëzuan që në Komisionin e Ligjeve, PS kërkon që kjo procedurë e vendosur së fundi të hiqet. “Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni, nëpërmjet raportit të tij, i kërkon kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje”, thuhet në pikën 7 të nenit 111, që propozohet të hiqet. Opozita kërkon gjithashtu që diskutimet jashtë rendit të ditës, që tashmë bëhen në fund të seancës, të rikthehen në fillim të saj, si deri në vitin 2010. Propozimet e PS-së prekin edhe periudhën e masës disiplinore për deputetët që prishin seancën. Kështu, PS-ja kërkon që masa disiplinore nga 21 ditë, të bëhet sërish 15 ditë. Gjithashtu kërkohet që sa herë flet Kryeministri, ta marrë fjalën edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës.
Rregullorja për rastin e prishjes së seancës
PS-ja kërkon që të hiqet pika 5 e nenit 64 të Rregullores, ku thuhet se “kur deputeti pengon zhvillimin e rregullt të seancës nëpërmjet zaptimit të foltores dhe moslejimit të deputetit të radhës të marrë fjalën, për më shumë se 2 minuta, atëherë kryetari i Kuvendit i tërheq vërejtjen dhe e paralajmëron për marrjen e masës së përjashtimit në rast vazhdimi. Në rast se deputeti vazhdon të mbajë të zaptuar foltoren edhe pas tërheqjes së vërejtjes, për më shumë se një minutë, përjashtohet nga seanca plenare dhe komisionet me maksimumin e parashikuar në nenin 65 të Rregullores”.
Propozimet e PS
.Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë.
.Të hiqet paragrafi ku përcaktohet se komisionet parlamentare zhvillojnë seanca dëgjimore me kandidatët për në institucionet e ngritura me ligj.
.Të hiqet paragrafi ku thuhet se dekretet e Presidentit për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese votohen nominalisht.
.Diskutimet jashtë rendit të ditës të bëhen në fillim, dhe jo në fund të seancës.
.Masa disiplinore ndaj deputetit të jetë 15 ditë, dhe jo 21 ditë.
.Të shtohet një paragraf ku të saktësohet që sa herë merr fjalën Kryeministri, ta marrë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës.
Rekomandimet e BE, gati plani i veprimit
Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive se në bashkëpunim me opozitën është përgatitur një plan i ri veprimi, i cili tashmë ka mbështetje të gjerë. Sipas tij, “procesi njohu një ngadalësi për disa shkaqe që tashmë janë universalisht të njohura. Fakt është se opozita është angazhuar të kontribuojë në këtë proces, dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Mbi këtë angazhim, Ministria e Integrimit së bashku me Komisionin Parlamentar të Integrimit, që kryesohet nga opozita, rishqyrtoi edhe një herë planin e veprimit”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “kur themi zhvillim, nënkuptojmë një vend që do të integrohet si vend i zhvilluar, me dinjitet, në Bashkimin Europian. Gjithçka është në funksion të integrimit në Bashkimin Europian, ndaj edhe strategjia do të adresojë të gjithë problematikën e planit të veprimit, të gjithë problematikën strategjike të raporteve të Komisionit Europian”.
Takimi: Bushati dhe Lesi, gati të bashkohen
Kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati dhe kreu i LDK-së, Nikoll Lesi, janë takuar dje me qëllim bashkimin e të gjithë demokristianëve. Në këtë takim, ish zv.ministri i Integrimit, Bushati, tha se “është vetë elektorati ynë, delegatët e zgjedhur të kongresit të bashkimit të demokristianëve që duhet ta zgjedhin nëpërmjet një votimi të lirë e demokratik e nëpërmjet një votimi të fshehtë kryetarin e tyre”. Ndërsa Lesi theksoi se “Lëvizja Demokristiane dhe Aleanca Demokristiane janë dy subjekte demokristiane që veprojnë në të njëjtin spektër politik dhe së bashku janë pjesë e maxhorancës qeverisëse dhe e kanë shumë më të lehtë për të përafruar qëndrimet e tyre drejt bashkimit”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











